Pacolli: Kosova ka mbrojtur të drejtën e saj universale për pavarësi

Aktuale

Pacolli: Kosova ka mbrojtur të drejtën e saj universale për pavarësi

Më: 23 prill 2018 Në ora: 19:41
Behgjet Pacolli

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, njëherësh shef i diplomacisë, Behgjet Pacolli ka deklaruar se pavarësia e vendit tonë është ngushtë e lidhur me ruajtjen e ekzistencës së një populli që ishte larguar nga shtëpia e tij gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe se situata me Kataloninë është krejt ndryshe.

Ai në një intervistë për Radio Bullgaria tha se Kosova ka mbrojtur të drejtën e saj universale për pavarësi edhe në Gjykatën ndërkombëtare në Hagë, e cila i njohu këtë të drejtë popullit të Kosovës.

“Ne kemi mbrojtur të drejtën tonë universale për pavarësi. Gjykata Ndërkombëtare ka vlerësuar dhe njohur gjithashtu të drejtën e popullit të Kosovës”, u shpreh Pacolli.

Ai ka folur edhe për samitin në Sofje gjatë muajit maj “BE-Ballkani Perëndimor”. Pacolli tha se të gjitha shtetet duhet të trajtohen në një mënyrë dhe shprehu shpresën se samiti do të kontribuojë për përparimin e Kosovës në integrimin e saj të plotë evropian.

“Bullgaria do të ndihmojë për arritjen e një dialogu të mirë me pesë vendet anëtare të Unionit, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj – Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia, si dhe për zgjidhjen e problemeve mes Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë shefi i diplomacisë së Kosovës duke i quajtur bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës “ndoshta më të rëndësishmet e çdo presidence evropiane”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat