Shaqir Totaj i gatshëm ta zëvendësojë Besim Beqajn si Ministër i Inovacionit

Aktuale

Shaqir Totaj i gatshëm ta zëvendësojë Besim Beqajn si Ministër i Inovacionit

Më: 24 prill 2018 Në ora: 17:44
Shaqir Totaj

Ish- kandidati për kryetar të Prizrenit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj thotë se është i gatshëm të bëhet ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, pozitë kjo të cilën aktualisht e ka Besim Beqaj. PDK tashmë është duke e shqyrtuar mundësinë që ministrin Beqaj ta shkarkojë nga puna, pas aktakuzës që iu ngrit atij në rastin e njohur si ‘Pronto’. Totaj e pranon se bisedimet ende janë duke vazhduar për pozitën e Ministrit.

Partia Demokratike e Kosovës që udhëhiqet nga Kadri Veseli, tashmë e ka gjetur zëvendësin e Besim Beqajt, i cili bashkë më shumë zyrtarë të tjerë po akuzohen për punësimet në bazë të nepotizmit e bindjeve politike, që përbëjnë vepër penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”. Sipas Kodit Penal, vepra të tilla, janë të dënueshme maksimumi deri në 5 vite burgim,

Ai që shumë shpejt pritet të marrë nën udhëheqje ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, është Shaqir Totaj.

Totaj ka shpjeguar se janë në bisedime me partinë, por që deri me tani ende nuk ka diçka konkrete. Ai pranon se është i gatshëm të marrë përgjegjësinë në këtë pozitë.

“Këto bisedime janë ka zgjasin që një kohë,  dhe nuk ka të konfirmune kurgjë, bisedimet janë, tash për shkak të konfedencialitetit s’po muj me thonë kurrgjë me tepër. Derisa kemi biseduar për këtë punë d.m.th që jam i gatshëm ta marr përgjegjësinë”, është shprehur ai.

Anëtari i PDK’së, thotë se politika në vend funksionon ngadalë, dhe sipas tij pritet moment i përshtatshëm se kur të ndodhin lëvizje.

Por, ish-kandidati i PDK’së për Prizrenin i pyetur nëse ka pasur bisedime me ministrin aktual, Besim Beqajn, ai nuk ka dëshiruar të flasë më shumë për këtë çështje.

“Ne kemi kontakte në vazhdimësi dhe bëjmë plane edhe për reformën e degës në Prizren, por edhe  nuk muj me dhon detaje derisa të konfirmohet”, sqaroi ai.

Në aktakuzën e ngritur ndajë zyrtarëve të PDK’së,  është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile

Besim Beqaj kishte reaguar pas aktakuzës duke thënë se Koha do të tregojë se të gjitha këto do të mbesin një histori e keqe për shtetndërtimin e Kosovës. Ka bërë të ditur se është insititucionalist dhe se nuk do të japë dorëheqje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat