“Shqiponja 6”, test për kapacitetet reaguese në situata komplekse

Aktuale

“Shqiponja 6”, test për kapacitetet reaguese në situata komplekse

Më: 4 maj 2018 Në ora: 12:20
Foto nga Konferenca

Ushtrimi fushor “Shqiponja 6” e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka mbledhur tetë shtete të cilat do të zhvillojnë këtë ushtrim për të testuar kapacitetet mbrojtëse në situata emergjente dhe komplekse të sigurisë.

Ky ushtrim do të zhvillohet në gjashtë qytete të Kosovës, në komunën e Prishtinës, Obiliqit, Mitrovicës, Podujevës, Gjilanit dhe Novobërdës.

Drejtori i ushtrimit fushor "Shqiponja 6" gjeneral brigade, Naim Haziri, tha se ky ushtrim ka qenë i planifikuar që nga shkurti i vitit 2017. Qëllimi kryesor i këtij ushtrimi, sipas Hazirit, është testimi i kapaciteteve reaguese të tyre dhe të agjencioneve pjesëmarrëse në ushtrim.  

Haziri: Ky ushtrim ka qëllim testimin e kapaciteteve reaguese në situata emergjente

“Qëllimi i këtij ushtrimi është që të realizohet një ushtrim fushor në nivel të FSK-së me pjesëmarrje të partnerëve qofshin ata vendor dhe ndërkombëtar që të vlerësohen kapacitetet reaguese në situata komplekse, emergjente dhe të sigurisë. Situata e cila është dizajnuar është bërë në funksion të asaj që të gjitha agjencioneve pjesëmarrëse në këtë ushtrim t’iu mundësohet që t’i testojnë kapacitetet e veta reaguese në kuadër të misionit të vet kushtetues që e kanë në Kosovë dhe mbështetjes së partnerëve në mbështetje të trupave tonë në terren”, tha Haziri.

Haziri theksoi se shtetet pjesëmarrëse në këtë ushtrim do t’i testojnë standardet operative të përbashkëta.

Haziri: Pjesë e ushtrimit jemi tetë shtete

“Jemi pjesëmarrës tetë shtete në këtë ushtrim fushor dhe e rëndësishmja e kësaj është se do t’i testojmë standardet operative të përbashkëta me partnerët dhe do ta testojmë ndërveprueshmërinë tonë me partnerët dhe krejt në fund si qëllim kryesor i kësaj është që kurdo herë në situata reale që paraqiten ne të jemi të gatshëm të ndërveprueshëm të reagojmë që situata reale të ndodhin t’i menaxhojmë në mënyrën me të mirë të mundshme, në të mirën e qytetarëve qoftë të Kosovës qoftë të vendeve partnere”, shtoi Haziri.

Shpend Tërdeva nga Këshilli i Sigurisë së Kosovës e quajti rast të mirë këtë ushtrim për demonstrimin e aftësive të tyre.

Tërdeva: Ky ushtrim rast i mirë për testimin e kapaciteteve në raste të nevojave

“Ky ushtrim është një rast i mirë për demonstrimin e aftësive profesionale në nivel vendi dhe atij ndërkombëtarë për të gjithë pjesëmarrësit. Po ashtu është një rast i mirë ku forcat e sigurisë pjesëmarrëse të njihen mes veti, të zhvillohen mbi bazat e sigurisë rajonale dhe përfundimisht do të jetë një rast i jashtëzakonshëm për ngritjen e kapaciteteve të përbashkëta në raste të nevojave operacionale”, theksoi Tërdeva.

Pjesë e ushtrimi fushor "Shqiponja 6" do të jetë edhe ushtria amerikane. Kolonel Justin Wagner tha se ky është një vit i veçantë dhe historik për këtë ushtrim, pasi që është hera e parë që Forca e Sigurisë së Kosovës ka organizuar një ushtrim të kësaj madhësie me skuadrat e specialiteteve ushtarake nga tetë vende të ndryshme.

Wagner: Ky ushtrim i përshtatet mirë aftësisë aktuale të FSK-së

“Si partnerë ndërkombëtarë, ne jemi të nderuar që luajmë një rol, ndihmojmë dhe zhvillojmë, ekzekutojmë dhe vlerësojmë stërvitjen e këtij viti. Pjesëmarrja në këtë stërvitje është një mundësi e jashtëzakonshme për ne si partnerë ndërkombëtarë për të trajnuar forcat tona dhe për të kombinuar mjedisin, diçka që ne nuk kemi gjithmonë mundësi për të bërë, sidomos me fokusin në përgjigjen ndaj katastrofave...Ky ushtrim është në kohë të duhur dhe i përshtatet mirë aftësisë aktuale të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kjo u lejon atyre [FSK-së] të demonstrojnë aftësinë për t'i ardhur në ndihmë të gjithë popullit të Kosovës në kohë katastrofash natyrore ose atyre të shkaktuara nga njeriu”, tha Wagner.

Wagner u shpreh i impresionuar me planifikimin dhe vëmendjen ndaj detajeve, të cilat anëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës i kanë afruar këtij ushtrimi. Sipas tij, ky është një testim për fokusin që ata kanë vënë në ndërtimin e kapaciteteve në mandatin e tyre aktual dhe zhvillimin e aftësisë së lartë për KFOR-in dhe partnerët rajonalë.

Ushtrimi fushor "Shqiponja 6" do të zgjasë nga sot deri më 11 maj. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat