Shënohet 10 vjetori i marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Gjermani

Aktuale

Shënohet 10 vjetori i marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Gjermani

Më: 4 maj 2018 Në ora: 13:42
Ramush Haradinaj

10 vjetori i marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Gjermani u shënua me moton Demokracia më e re evropiane: Pavarësia, Pluralizmi, Integrimi.

Të pranishëm me këtë rast ishin personalitete të larta vendore, si dhe përfaqësues diplomatik të shtetit gjerman.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt ka ndarë me publikun pjesë nga jeta politike e vendit të tij.

Heldt: Ne i kemi këto fondacione politike, secili prej tyre me identitetin e vet

“Po i shihni prapavijat e tri fondacione të mëdha gjermane, kjo është një specifikë në Gjermani, që ne i kemi këto fondacione politike, secili prej tyre me identitetin e vet, por ata duke qenë këtu së bashku për të promovuar këtë konferencë dhe për ta drejtuar atë në pjesën e dytë të konferencës është po ashtu diçka shumë e veçantë. Njerëzit që e njohin Gjermaninë, e dinë që çdo familje politike punon me fondacionin e saj politik”, u shpreh ai.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se Kosova e ka ndjerë përkrahjen e Gjermanisë përmes proceseve rajonale, siç është procesi i Berlinit, ËB 6, që për Kosovën është shumë domethënës.

Haradinaj: Ky partneritet ka ekzistuar edhe më herët

“Republika e Kosovës në nisjen e vet si shtet ka pas menjëherë partneritetin, miqësinë, përkrahjen e Republikës Federale të Gjermanisë. Ky partneritet ka ekzistuar edhe më herët, por pas shpalljes së pavarësisë është konfirmuar me njohjen dhe me vendosjen e marrëdhënieve bilaterale diplomatike, marrëdhënie këto që janë zhvilluar në nivelin më të lartë dhe vazhdojnë sot me qenë funksionale vërtetë në nivel të mirë, të respektueshëm dhe shumë të besueshëm, që është me rëndësi ta themi”, tha Haradinaj.

Kryeministri tutje ka shtuar se Gjermania në Kosovë nuk ka sjell vetëm donacione dhe përkrahje, por edhe besimin në të ardhmen, përvojat dhe brendin gjerman.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në fjalën e saj ka përmendur se Gjermania ishte ndër shtet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Jahjaga: Jemi shumë me fat që kemi aleat dhe miq të tillë

“Është një kënaqësi e veçantë të flas para jush me rastin e shënimit të 10 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Gjermanisë, së pari dua që ta shfrytëzojë këtë mundësi për të shprehur falënderimin tim të sinqertë për ambasadorin Ischinger që është bashkuar sot me ne, dhe për ta falenderuar për të gjitha përpjeket e tij në të kaluarën dhe ato në të tashmen, si dhe mbështetjen në procesin që kontribuon në paqe dhe stabilitet për regjionin tonë, dhe për rrugën e regjionit tonë drejt integrimeve evropiane. Ne jemi shumë me fat që kemi aleat dhe miq të tillë, që kanë treguar mbështetje të parezervë për Kosovën dhe njerëzit e saj përgjatë disa prej  kohërave më të dhimbshme të historisë sonë, e po ashtu edhe gjatë disa prej momenteve më të mira tonat pas pavarësisë”, tha ajo.

Diplomati gjerman Wofang Ischinder, i cili ka qenë edhe pjesë e negociatave për zgjidhjen e statusit të Kosovës, ka thënë se ndjehet i lumtur që ka rastin për të ndarë përvojat dhe mendimet e tij.

Këtu Ischinger ka folur edhe për marrëveshjen e Dejtonit, duke thënë se për shkak të agjendës së mbingarkuar Kosova nuk ishte përfshirë në proces.

Ischinger: Ishin dy shtete perëndimore që e kuptuan që diçka duhej bërë

“Kosova ishte hequr nga agjenda negociuese e Dejtonit, dhe në retrospektivë unë mendoj se kjo gjë ishte gabim, në vitet e ardhshme pas marrëveshjes së Dejtonit, zonja dhe zotërinj, ishin saktësisht dy shtete të botës perëndimore që e kuptuan që diçka duhej bërë, ato ishin, qeveria ime, dhe ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai.

Ischinger ka përshkruar tutje katastrofën që ka parë gjatë vizitave që kishte bërë në Kosovë asokohe.

Kurse, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në fjalën e  saj, theksoi se Gjermania për Kosovën është partner shumë i rëndësishëm dhe ndër zërat më të fuqishëm që promovon integrimin evropian të shtetit.

Ajo ka thënë se edhe pse është arritur mjaft sukses, ende ka mbetur shumë punë për t’u bërë, një pjesë e rëndësishme e këtij progresi, sipas saj, është nënshkrimi i MSA-së. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat