Blerta Deliu: Zgjedhjet e reja aktualisht nuk janë emergjencë politike

Aktuale

Blerta Deliu: Zgjedhjet e reja aktualisht nuk janë emergjencë politike

Më: 7 maj 2018 Në ora: 18:38
Blerta Deliu

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike, Blerta Deliu, ka thënë se subjekti që ajo përfaqëson nuk e sheh me urgjencë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Deliu këto komente i tha në Info Magazine, ndërsa shpalosi detaje për takimin e dytë të tryezave për konsensus politik të thirrur nga PDK.

”Meqë e njëjta tryezë është thirrur nga LDK-ja dhe ne kemi marrë pjesë, nesër do ta kemi takimin e dytë të ftuar nga PDK-ja, nga Kryetari Kadri Veseli”.

”Do të diskutohet për Asociacionin e Komunave dhe ushtrinë, po ashtu edhe çështja e integrimeve europiane. Do të ketë diçka konkrete, sepse është thënë se do të diskutohet në detaje”.

”E konsideroj si hap të mirë thirrjen e këtyre tryezave pasi pas krizës që e kemi kaluar jemi ulur bashkë për të diskutuar temat e mëdha”.

”Nuk mund t’i paragjykojmë proceset zgjedhore. S’mund të themi se cila do të ishte përbërja e Qeveisë, sepse ne nuk e dimë cili do të jetë rezultati zgjedhor nëse do të ketë zgjedhje”.

”PDK çdoherë ka thënë se nuk është me emergjencë të shkohet në zgjedhje. Ka procese të tjera që duhet punuar”.

”Kemi pasur raste kur kemi pasur koalicion me shumicë të konsiderueshme. Është e vërtetë që nuk i kemi numrat sikurse herave të kaluara, por kjo s’do të thotë që kjo qeveri është jostabile”.

”Konsideroj që zgjedhjet nuk janë emergjente dhe s’duhet diskutuar kjo çështje”.

”Para së gjithash, ne duhet ta ndërtojmë një sistem të mirë, që të punojmë më shumë për reformën zgjedhore”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat