Flasin dëshmitarët që gjetën policin në lumin Lepenc

Aktuale

Flasin dëshmitarët që gjetën policin në lumin Lepenc

Më: 7 maj 2018 Në ora: 19:55
Dy qytetarë të Hanit të Elezit thonë ta kenë parë trupin e policit duke e bartur uji i lumit, të cilët pastaj i kanë njoftuar zyrtarët policor.

Trupi i pajetë i policit Armend Trena është gjetur sot në orët e pasdites në lumin Lepenc, nga njësitë e kërkim shpëtimit të FSK-së, Policisë së Kosovës dhe AME-së në orën 16:50, në kilometrin e gjashtë në hyrje të Hanit të Elezit nga vend i aksidentit në lumin Lepenc.

Para se të gjendej trupi i policit Trena nga njësitë e kërkim shpëtimit, dy qytetarë të Hanit të Elezit thonë ta kenë parë trupin e policit duke e bartur uji i lumit, të cilët pastaj i kanë njoftuar zyrtarët policor.

Ata janë vëllezërit Hamdi dhe Ragip Bushi nga Hani i Elezit.

“Jemi kanë me gjithë vëllain këtu në urë dhe e kam parë prej së largu tuj ardhur këtu nëpër Lepenc. E kemi parë përmbi urë, përmes ujit dhe pastaj vëllai i ka tregu policisë”, tha Hamdi Bushi.

Kurse vëllai i Hamdiut, Ragipi tregon se si ka vepruar pasi e ka parë kufomën.

“Ne jemi kanë duke ndejt këtu me vëllain dhe një kushëri, sa shkuan teposhtë FSK, vëllai tha këqyr diç atje është duke ardhur teposhtë, dhe pasi e kam vërtetuar se është njeri, kam ngarë teposhtë duke e përcjellë kufomën, për fat ishin kanë zhytësit në Lepenc dhe u kam thënë ‘qe ku është, qe ku është’, ka dal njëri ia ngjiti e ka ndal. Pastaj jam kthyer me ardhur në shtëpi me marrë një qebe me mbuluar kufomën”, tha Ragipi.

Ata tregojnë se kanë dal çdo ditë për të shikuar në lumin Lepenc, në kërkim të trupave të dy policëve.

Ndryshe, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, ka deklaruar pas gjetjes së trupit të pajetë edhe të policit të dytë të zhdukur Armend Trena, se vetura e policëve pas ekspertizës së bërë ka dalë të jetë në gjendje të rregullt.

Kurse, Arsim Gërxhaliu, mjek në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ka bërë të ditur se nesër pritet të bëhet autopsia e policit Armend Trena, ndërsa tha se gjetja e dy policëve në gjendje të mirë që nga zhdukja e tyre më 29 prill është si rezultat i temperaturave të ulëta të ujit në lumin Lepenc.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat