Liberalizimi nuk është shans për të ikur nga Kosova

Aktuale

Liberalizimi nuk është shans për të ikur nga Kosova

Më: 8 maj 2018 Në ora: 11:54
Debat me të rinjtë për Ditën e Evropës

(E plotësuar) - Kryeministri Ramush Haradinaj është shprehur i bindur se brenda këtij viti Kosova do të marrë liberalizimin e vizave, ndërsa ka thënë se nuk duhet të shkojë larg edhe statusi i kandidatit për anëtar të BE-së.

Ai këto komente i bëri gjatë një bashkëbisedimi me të rinj të Kosovës, me temën “Ardhmëri-Zhvillim-Perspektivë”, “Çka nënkupton integrimi evropian për të rinjtë e Kosovës”, organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian në shënim të ditës së Evropës.    

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se Evropa është pak skeptike në zgjerim, por ai tha se këtë skepticizëm nuk e ka të lidhur me Kosovën, por për shkak të proceseve të veta të brendshme.

Haradinaj: E meritojmë të jemi në BE dhe është e drejtë  e jona

“Çka është mirë me pas parasysh të rinjtë e Kosovës, është mirë ju me e ditë që ne do t’i takojmë ka me na u prish rahatia, pra nuk jemi aq rahat sa kujtojmë që do t’i takojmë një familje më të madhe që është qindra milionëshe. Pra, nga 2 milionë që jemi sot nesër do të jemi pjesë e një familje 4-500 milionëshe. Krejt popujt që kanë bindje, perspektiva, vlera e ne do të jemi pjesë e tyre edhe nuk është e largët kjo ditë. Pra, mos harroni sado që dikush mendon se është larg, jo koha po shkon shpejt. Besoj këtë vit do ta marrim lajmin e merituar e të drejt për liberalizimin e vizave se duhet me e marrë, mirëpo edhe nuk duhet të shkoj gat statusi i kandidatit, nuk duhet të shkoj në pakufi pozicioni i Kosovës për tu bërë anëtar i BE-së, se e meritojmë dhe është e drejtë e jona”, tha Haradinaj.

Kryeministri tha se Kosovën nuk e ka njohur Serbia dhe pesë vendet e BE-së dhe për këtë arsye për Brukselin është më i vështirë partneriteti me Kosovën.

Sipas tij, raporti i fundit i progresit është konfirmim se Kosova është pjesë e vendeve të Ballkanit dhe se rinia  e Kosovës nuk janë të pabarabartë.

Duke folur për proceset avancuese të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, Haradinaj tha se kur sot flasim për liberalizimin e vizave, nesër do të flasim për statusin kandidat, për hapjen e negociatave me Kosovën, e më vonë edhe për kapitujt veç e veç, dhe theksoi se gjithë kjo është ligë që Kosova duhet të kualifikohet, për të vazhduar garën mes popujve, ekonomive, e vendeve, edhe atëherë kur jemi anëtarë të BE-së.

I pari i Qeverisë së Kosovës, duke iu drejtuar të rinjve, tha se edhe pas marrjes së liberalizimit të vizave, nuk duhet të gabohet me veprime të cilat do të mund të ndikonin te BE-ja në ndaljen e vizave.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, tha se liberalizimi i vizave do të vijë, por që u shpreh se nuk duhet të shfrytëzohet si mundësi për të ikur jashtë vendit.

Veseli: Shans jo për të ikur, por mundësi për t’i rikthyer ata që kanë ikur

“Liberalizimi i vizave për ne do të thotë shans e mundësi, por shans e mundësi jo për të ikur menjëherë jashtë për arsye se nuk do ta lëshojmë Kosovën për çka kemi sakrifikuar aq shumë, por si mundësi për t’i rikthyer edhe ata të cilët na kanë ikur. Duhet të hiqet përfundimisht barriera psikologjike veçanërisht për të rinjtë tanë mos ta shohin çfarë do të thotë ai. Në këtë rast, të jenë evropianë më autokton në të njëjtën kohë mos të kenë mundësi të lëvizin në Evropë”, tha Veseli.

I pyetur nga të rinjtë se cilat janë rezultatet për luftimin e krimit dhe korrupsionit si kriter për liberalizimin e vizave, kreu i Kuvendit u shpreh se ka shumë aktakuza ndaj zyrtarëve të lartë për korrupsion.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se këtë vit Ditën e Evropës ia kanë kushtuar reformës arsimore në Kosovë, e që sipas saj kjo është shumë e rëndësishme pasi që vendi ka mbi 70 për qind të popullsisë së re.

Këtë që Kosova ka mbi 70 për qind të popullsisë së moshës së re Apostolova e quajti pasuri të madhe për vendin, ndërsa tha se kjo është edhe arsyeja pse ky brez i të rinjve duhet të përgatitet mirë për anëtarësimin në BE.

Apostolova: Do të rrisim numrin e bursave për të rinjtë e Kosovës

“Ne do të investojmë shumë në infrastrukturë, pra në shkolla, kopshte, dhoma të pajisura ku standardet evropiane do të sillen në Kosovë. Por jo vetëm kaq. Ne do të trajnojmë mësuesit dhe drejtorët që ata të mund të ofrojnë në shkollat e Kosovës të njëjtën ekspertizë e cila është e lartë sipas standardeve evropiane. Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, ne do të rrisim numrin e bursave për të rinjtë e Kosovës për të studiuar në kryeqytetet tona në qendrat tona të arsimit të lartë përmes Erasmus dhe Erasmus+.  E gjithë kjo do të ndodhë dhe unë jam shumë e sigurt se kjo do të ndodhë shumë shpejt. Por më e rëndësishme është se ju jeni e ardhmja e Kosovës, sepse ju do të bëni ndryshimin e madh në Kosovë. Ju do të bëni dallimin socio-ekonomik në Kosovë. Ju do ta përgatisni vendin tuaj si një shtet anëtar i ardhshëm. Pra, ju jeni në rrugën tuaj drejt perspektivës evropiane. Ne kemi strategjinë e Ballkanit Perëndimor, i cili tashmë ju ka dhënë një perspektivë të madhe dhe të qartë”, tha ajo.

E nikoqirja e këtij bashkëbisedimi, ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha, theksoi se e ardhmja e vendit është në Bashkimin Evropian, por sipas saj kjo nënkupton gjithashtu se duhet të bëjnë më shumë punë që Kosova të bëhet një vend ku të gjithë kanë perspektivë.

Hoxha: Shpresojmë që vitin tjetër ne të jemi vend kandidat

“Shpresojmë që vitin tjetër ne të jemi vend kandidat apo të punojmë drejt marrjes së statusit kandidatit, në vitin 2020 ndoshta do të marrim zyrtarisht statusin e kandidatit dhe të gjithë hapat e tjerë që janë në procesin e integrimit. Të punojmë, sepse nëse punojmë të gjithë së bashku besojmë dhe jemi të bindur që do t’ia dalim që Kosovën në një afat shumë të shkurtër ta bëjmë vend evropian anëtar të Bashkimit Evropian”, tha ministrja Hoxha.

Debati me të rinjtë e Kosovës u organizua nga Ministria e Integrimit Evropian në kuadër të 9 Majit, Ditës së Evropës. 

Liberalizimi të mos keqpërdoret për azil

Krerët e shtetit kanë pranuar se Bashkimi Evropian është për Kosovën prioritet, ndërsa thanë se liberalizimi i vizave është një shans, jo për të ikur jashtë vendit, por për t’i rikthyer edhe ata që kanë ikur. Megjithatë, ata thanës e për të hyrë në familjen e madhe evropiane nevojitet shumë punë për të bërë.

Këto komente janë bërë gjatë një debati me të rinjtë me rastin e shënimit të Ditës së Evropës, ku morën pjesë edhe zyrtarë shtetërorë. 

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, tha se Bashkimi Evropian është prioritet i Kosovës dhe se janë të vendosur të ecin në këtë proces.

“Ne jemi krenar për identitetin tonë kombëtar, ne respektojmë komunitetet. Liberalizimi i vizave për neve do të thotë shans e mundësi, jo për të ikur jashtë vendit, por për të rikthyer edhe ata që na kanë ikur”, u shpreh ai.

Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se Evropa është skeptike sa i përket zgjerimit, ndërsa ka përmendur faktin se edhe pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën, andaj është i vështirë partneriteti me Kosovën.

“Raporti i fundit i progresit është tregues se rinia dhe Kosova nuk janë të pabarabartë. Sot po flasim për liberalizimin e vizave, më vonë për statusin kandidat dhe krejt kjo është si një farë lloj lige ku Kosova duhet të kualifikohet. Është mirë me e ditë se ne do t’i takojmë një familje më të madhe. Nuk është larg kjo ditë, besoj se këtë vit do ta marrim liberalizimin e vizave dhe nuk do të shkoj larg statusi i kandidatit për BE. Kur të vijë liberalizimi mos me dal për të kërkuar azil”, tha Haradinaj.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, tha se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, por duhet punuar shumë në këtë drejtim.

Ajo tha se ekziston mundësia që vitin tjetër ta marrim statusin e kandidatit të BE dhe të gjithë hapat tjerë që janë në proces të integrimit.

“Nëse punojmë bashkë, do të arrijmë ta bëjmë Kosovën vend më të mirë”, tha ministrja Hoxha.

Debat me të rinjtë për Ditën e Evropës (Drejtpërdrejt)

Mbahet debati me të rinjtë në shënim të Ditës së Evropës, ku merr pjesë edhe kryeministri Ramush Haradinaj, ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha, etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat