Hashim Thaçi nga Gjermania tregon se kur hiqen vizat për Kosovën

Aktuale

Hashim Thaçi nga Gjermania tregon se kur hiqen vizat për Kosovën

Më: 8 maj 2018 Në ora: 20:18
Hashim Thaçi në Gjermani

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e parë të vizitës zyrtare në Berlin, ka mbajtur një ligjëratë në Këshillin Gjerman për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Para shumë përfaqësuesve shtetëror në Gjermani, para shumë diplomatëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe mediave, presidenti Thaçi ka thënë se Gjermania është dëshmuar si një mike dhe përkrahëse e madhe e Republikës së Kosovës.

Ai ka theksuar se populli i Kosovës dikur ka gjetur strehë në këtë vend në kohët më të vështira, derisa shumë prej tyre janë kthyer në vendlindje, të tjerët janë integruar në shoqërinë gjermane.

“Gjermania ka mbështetur Kosovën dhe kosovarët në periudhat më të errëta, duke marrë pjesë e intervenimit të NATO-s. Gjermania është gjithashtu një nga donatorët dhe investitorët më të mëdhenj në Kosovë dhe po e ndihmon Kosovën në shumë sektorë, nga sundimi i së drejtës në investimet në energji”, ka shtuar ai.

Sipas tij, roli i Gjermanisë në mbështetjen e Kosovën në arenën ndërkombëtare ka qenë dhe mbetet thelbësor, derisa sot Berlini   është bërë edhe simboli më i fortë i ideve dhe vlerave demokratike evropiane.

Presidenti Thaçi, duke folur për perspektivën evropiane të Kosovës ka theksuar se nesër, 9 maji , Dita e Evropës, është festë publike në Kosovë.

Kosova sipas tij, është e përkushtuar ndaj perspektivës euro-atlantike, ku mbi 90% e kosovarëve mbështesin anëtarësimin në BE dhe NATO.

“Ne duam të jemi anëtarë të Bashkimit Evropian dhe duam të jemi anëtarë të NATO-s. Ne duam që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur. Kemi të njëjtat shpresa dhe dëshira për të gjithë fqinjët tanë në Ballkanin Perëndimor. Fati ynë dhe historia jonë janë brenda familjes evropiane”, ka paralajmëruar Presidenti.

Ai ka përmendur tri çështje të rëndësishme, të cilat i ka ndarë me të pranishmit në këtë ligjëratë.

“Së pari, ka ardhur koha për t’i mbyllur çështjet dypalëshe. Në rajonin tonë ka shumë çështje të hapura midis 6 shteteve. Çështja me e ndjeshme është marrëdhënie mes Kosovë dhe Serbisë. Kjo nuk është një çështje e re. Është një problem njëqindvjeçar dhe ne u përpoqëm t’i normalizojmë marrëdhëniet, por tani ka ardhur koha të bëjmë më shumë sesa komunikime konstruktive”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka treguar se Gjermania ishte një nga shtetet e para që njohura pavarësinë e Kosovës, që u shoqërua me 116 njohje dhe anëtarësim në rreth 200 organizata ndërkombëtare.

“Së dyti, kemi humbur dekada në kriza dhe luftëra dhe në rajonin tonë ne duhet të përqendrohemi në ndërlidhjen mes shteteve tona. Ndërlidhja u bë fokus i Procesit të Berlinit, i cili është përbën një nga nismat më të rëndësishme diplomatike gjermane për Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar ai.

Sipas tij, Kosova është përgjithmonë mirënjohës që Gjermania, së bashku me shtetet e tjera anëtare të BE-së që ndajnë qëndrimin me Gjermaninë, e rikthyen në agjendë Ballkanin Perëndimor dhe procesin e zgjerimit.

Presidenti Thaçi para shumë të pranishmëve në njërin nga institucionet me prestigjioze të politikës së jashtme në Gjermani, ka thënë se samiti i Sofjes është një ngjarje historike, meqë përbën herën e parë që të gjithë liderët e të gjitha shteteve anëtare të BE-së do të takohen me liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Ne të gjithë jemi të interesuar që ta shfrytëzojmë momentumin pozitiv që erdhi si rezultat i Strategjisë së Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor të miratuar në shkurt të këtij viti”, ka shtuar ai.

Si çështje të tretë, presidenti Thaçi ka përmendur nevojën për Gjermaninë që ajo të jetë edhe më e guximshme dhe madje edhe më e drejtpërdrejtë në Ballkanin Perëndimor.

“Për disa vite, kemi pasur mungesë të fokusit të diplomacisë në Ballkan. Sot, nacionalizmi dhe ekstremizmi janë më të rrezikshëm se një dekadë më parë. Ne nuk mund të qëndrojmë në këtë status-quo përgjithmonë. Por për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë ne kemi nevojë për një angazhim të madh nga miqtë tanë në Berlin, Bruksel dhe Uashington”, ka thënë ai.

Sipas tij, ka disa ide që ai nesër do t’i diskutoj me kancelaren Merkel rreth asaj se si të angazhohet Brukseli 100% në fazën e ardhshme të dialogut.

“Jam i bindur se kancelarja Merkel do t’i japë udhëzimet e duhura, kohën dhe kornizën e duhur. Pse po e them këtë? Po e them sepse unë besoj fuqishëm se Kosova, Serbia dhe Ballkani Perëndimor besojnë në Gjermaninë”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, ambasadori Wolfgang Ischinger, ka thënë se BE-së, i duhet një lidership më të madh.

“Unë pajtohem me ju President dhe me mesazhin që do t’ia përcillni nesër kancelares Merkel. Është i nevojshëm një lidership nga BE-ja, e sidomos nga Berlini. Pa këtë, gjërat nuk do të ndodhin”, ka shtuar ai.

Presidenti Thaçi dhe ambasadori Ischinger kanë thënë se BE-ja nuk duhet të vonoj me liberalizimin e vizave dhe ajo duhet të ndodh këtë vit.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat