Bujanoc: Shënohet Dita e Komunës dhe ajo e Evropës

Aktuale

Bujanoc: Shënohet Dita e Komunës dhe ajo e Evropës

Nga: Sevdail Hyseni Më: 10 maj 2018 Në ora: 08:15
Bujanoc, 9 maj 2018

Bujanoci për dallim nga komunat e tjera, të mërkurën e 9 majit, kishte festë të trefishtë.  Ajo me një seancë solemne të Asamblesë komunale, kremtoi Ditën e Komunës, e cila bie në Ditën e Evropës, si dhe u shënua Dita e Shkollës së Mesme “Sezai Surroi”, në 50 vjetorin e themelimit të saj.

Dita e kremtimit të Ditë së Komunës së Bujanocit, filloi me një urim të kryetarit të Asamblesë komunale  dr. Adnan Salihu, i shoqëruar nga këshilltarë komunalë, zyrtarë të tjerë të komunës dhe përfaqësues nga radhët e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian.

 “Uroj të gjithë qytetarët e komunës për Ditën e Komunës së Bujanocit, ditë kjo që përkon edhe me ditën e unionit Evropian. Vlerat dhe liritë e bashkimit evropian duke shtuar se të gjithë duhet të angazhohen në arritjen e këtyre vlerave shumë të nevojshme edhe për komunën tonë”, tha, mes tjerash, kryetari i këtij institucioni komunal dr. Adnan Salihu.

Në vazhdim, kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, duke i përshëndetur festat e kësaj komune, propozoi që Asambleja komunale, t’i ndajë një mirënjohje delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, i cili po kontribuon dukshëm me projekte të ndryshme për demokratizimin e vendit.

 “Me këtë seancë ne po e shënojmë fillimin e një historie të re pasi që është edhe hera e parë që kjo ditë po shënohet në Komunën e Bujanocit. Ne jemi një komunitet multietnik, komunitet i cili përbëhet nga tri bashkësi etnike: shqiptarët, serbët dhe romët dhe secila bashkësi etnike i ruan specifikat e veta dhe pikërisht kjo e përbën Evropën dhe prandaj ne e synojmë atë për tu zhvilluar në frymën e vlerave evropiane”, u shpreh kryetari Kamberi.

Po në të njëjtën ditë të 9 majit, kur bie Dita e Komunës së Bujanocit dhe Dita e Evropës, u shënua edhe Dita e Shkollës së Mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, me moton  “50 vjet arsim”, duke u shoqëruar me një program të pasur kulturo – artistik.

Drejtori i Shkollës së Mesme “Sezai Surroi”, Zejni Fejzullahu, në përvjetorin jubilar të kësaj shkolle, ndahu mirënjohje për të gjithë profesorët e gjeneratës së parë të cilët kanë punuar në këtë shkollë.

“Shkolla e mesme “Sezai Surroi” kremton 50 vjetorin e hapjes së paraleleve të para në gjuhë shqipe si dhe feston 45 vjetorin e pavarësimit të shkollës nga gjimnazi i atëhershëm “Skenderbeu” në Preshevë. Sot në mesin tonë gjenden profesorët e gjeneratës së parë të cilët punuan në gjimnazin në paralelet e ndara në Tërnoc”, theksoi drejtori Zejni Fejzullahu.

Me një telegram urimi e motra e Sezai Surroit, që mban me krenari emrin e tij, gjimnazi në Bujanoc,  zonja Hadije Surroi Morina, në pamundësi të prezencës së saj fizike, uroi 50 vjetorin e kremtimit të shkollës.

Në Komunën e Preshevës, Dita e Evropës, u shënua paksa ndryshe me një manifestim nën moton “Një ditë pa kufij”.

Presheva e 9 majit, me rastin e shënimit të Ditës së Evropës,  kishte festë dhe njëkohësisht protestë , me mesazh të qartë: ”Duam qarkullim të lirë, duam hapjen e kufirit”, e cila u manifestua në pikën kufitare Miratoc-Llojan, në brezin kufitar Serbi-Maqedoni.

Merret vesh se me aktivitete të njëjta, për  Ditën e Evropës, në të njëjtën kohë, u organizuan nga ana e kryetarit të Komunës së Likovës Erkan Arifi, matanë kufirit me Maqedoninë, në fshatin Llojan, i cili ndahet me dy kufij shtetëror nga Miratoci i Preshevës, dy vendbanime shqiptare të ndara në mes nga dy shtete serbo-maqedone.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat