Kosova shumë shpejt edhe me tri ditë memorialë

Aktuale

Kosova shumë shpejt edhe me tri ditë memorialë

Më: 14 maj 2018 Në ora: 13:07
Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim

Në kalendarin e festave zyrtare do të shtohen edhe tri ditë memoriale, dy për komunitetin serb dhe një për atë egjiptian, festa për të cilat ende nuk është vendosur nëse do të jenë ditë pushimi apo jo.

Kështu vendosi Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, ku u votua pro propozimit që data 24 qershor të jetë Ditë Memoriale për Komunitetin Egjiptian dhe 15 shkurti dhe 28 korriku Ditë Memoriale për komunitetin serb.

Deputeti Veton Berisha nga komunitetit egjiptian, propozoi që ditë memoriale për komunitetin egjiptian të jetë 24 qershori, përderisa bëri apel që Kryesia të kryejë në mënyrë sa më të shpejtë procedurat pasi që siç tha ai nuk ka mbetur as një muaj deri në shënimin e kësaj date.

Berisha: 24 qershori Ditë Memoriale për komunitetin egjiptian

“Janë plotësuar të gjitha kushtet që projektligji me amendamente, me propozimin tim me datën 24 qershor Ditë Memoriale të komunitetit egjiptian, të kalojë nga ne këtu dhe të kalojë në shqyrtim të parë në Kuvend. E njoftoj opinionin e gjerë sepse ka pasur keqkuptime sidomos në media, për shkak që këto ditë të komuniteteve nuk janë ditë në të cilat pushohet, janë vetëm ditë përkujtuese për komunitetin egjiptian ku në këtë rast as komunitetet vet nuk pushojnë”, tha Berisha.

Ai është shprehur kundër pushimit në këtë ditë memoriale, pasi që sipas tij, si komunitet janë mbrapa në secilën fushë dhe kjo do të ndikonte negativisht në këtë aspekt.

Ndërsa kryetari i Komisionit për Komunitete dhe Kthim, Igor Simiq, tha se ky propozim së pari do t'i dërgohet Kryesisë e pastaj Kuvendit për procedim.

Në emër të Listës Serbe, Simiq bëri të ditur se edhe komuniteti serb kërkon ditët e veta memoriale, njërën më 15 shkurt dhe tjetrën më 28 korrik.

Simiq: 15 shkurti dhe 28 korriku të jenë ditë memoriale të komunitetit serb

“"Ne kemi dy propozime, data për ditën e Pashkëve është gabim e theksuar. Unë kam kërkuar që përmirësimi të bëhet përmes ndryshimeve por është kërkuar që të bëhet me amendament. Ndërsa për ditë memoriale, në emrin e grupit të Listës Serbe, propozoj që ditë memoriale e komunitetit serb të jetë 15 shkurti dhe 28 korriku. Ne do ta përkrahim", tha ai.

Kurse deputeti Xhelal Sveçla kërkoi që propozimi për Ditën Memoriale të komunitetit egjiptian dhe atij serb të votohen ndaras pasi që siç tha ai, propozimi i këtyre të fundit nuk ishte bërë më parë në mënyrë që të shqyrtohej paraprakisht.

Sveçla: Ose votojmë ndaras propozimet ose nuk votoj fare

“Ne e kemi shqyrtuar propozimin e kolegut Veton, tash këto propozimet e reja nuk i kemi shqyrtuar, kështu që nuk mund të votojmë edhe për to kur ka ardhë propozimi për të votuar. Ose votojmë veç e veç propozimet tuaja ose unë nuk marrë pjesë fare në votim”, u shpreh ai.

Deputeti Danush Ademi tha se do të mundohen të shtojnë edhe pushimin për këtë ditë festive për komunitetin egjiptian, gjegjësisht për punëtorët e këtij komuniteti.

Ademi: Do të mundohemi që dita e komuniteteve të jetë ditë pushimi

“Ne do të mundohemi ta shtojmë edhe një pikë se komunitetet të cilat e festojnë atë ditë memoriale, ata kanë të drejtë ta kenë edhe festë. Kuptohet, festa duhet të mbahet në mend dhe mendoj se kjo duhet të jetë sidomos për ata punëtor që punojnë në institucione, për nxënës nuk po them, ata duhet ta festojnë këtë festë... Si mund të jetë festë zyrtare kur nuk janë mediat prezent apo nuk është ditë pushimi”, u shpreh ai.

Deputeti nga komuniteti rom, Albert Kinolli përshëndeti këtë iniciativë, derisa theksoi se komuniteti egjiptian është dashur kaherë të ketë një festë zyrtare, pasi që sipas tij deri më tash iu është bërë padrejtësi.

Por ndryshe doli se mendon deputeti Kujtim Shala, i cili tha se ditët memoriale nuk shënohen me ditë pushimi, pasi që sipas tij edhe shqiptarët e kanë ditën e tyre, ditë kjo e cila sipas tij është bërë ditë pushimi vetëm me një vendim të veçantë të Qeverisë.

Shala: Dita memoriale nuk është ditë pushimi

“Ligji për festat zyrtare, ditët memoriale nuk shoqërohen me pushim. Do të thotë edhe komuniteti shqiptar si komunitet shumicë e ka ditën e vet që quhet Dita e Shqiptarëve. Ne me të vërtet pushojmë por me vendim të veçantë të Qeverisë. Nëse kërkohet duhet me vendim të veçantë, por tek kjo kategori nuk mund të aplikohet”, theksoi ai.

Ndryshe, Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim miratoi edhe ndryshimin e festës për Ditën e Pashkëve, ku në vend të datës 6 janar tani është më 7 janar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat