Çitaku: Kosova nuk toleron provokime, ja çfarë propozon SHBA e Holanda

Aktuale

Çitaku: Kosova nuk toleron provokime, ja çfarë propozon SHBA e Holanda

Më: 14 maj 2018 Në ora: 16:47
Vlora Çitaku

(E plotësuar) - Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, ka shprehur besimin se Kosova shumë shpejt do të nënshkruajë marrëdhëniet diplomatike edhe me Serbinë.

Image
Vlora Çitaku

Ajo gjatë fjalës në seancën e sotme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha se kush ka dyshime për legalitetin e pavarësisë së Kosovës ta lexojë vlerësimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Është e vërtetë se Kosova është shtet i ri, por ne jemi një komb shumë i vjetër. Ne kemi qenë gjithmonë aty. Jemi krenarë për aleancat që kemi me të gjithë ju dhe shpresoj se së shpejti Kosova do të nënshkruajë marrëdhëniet diplomatike edhe me Serbinë”, u shpreh Çitaku.

Rusia dënon arrestimin e Gjuriqit

Diplomati rus pranë OKB-së, Vladimir Safronkov, ka deklaruar se situata në Kosovë “nuk po shkon drejt zgjidhjes, por po përkeqësohet”.

Ai gjatë fjalimit të tij në seancën e sotme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha se EULEX po përgatitet të largohet nga Kosova dhe se nuk ka përparim në zbardhjen e vrasjes së liderit serb Oliver Ivanoviq.

“Përfaqësuesit e Prishtinës pa sukses tentuan që fajin për këtë ta bartin në Beograd”, tha Safronkov.

Ai ndërkaq ka dënuar arrestimin e shefit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq, i cili kishte hyrë pa leje në Kosovë, duke e quajtur aksionin e njësive speciale “provokim mizor”.

Image
Vu Haitao

Kina në mbështetje të Serbisë, s’ka ndryshim të formatit të seancave

Zëvendës ambasadori kinez pranë OKB-së, Vu Haitao, ka thënë se vendi i tij mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë.

Ai tha se Kina i kundërvihet mandatit të seancave për UNMIK-un ose ndërrimin e formatit, në të cilin Këshilli i Sigurimit njoftohet me zhvillimin e situatës në Kosovë.

Ndërsa, përfaqësuesja e Francës në OKB  ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të përmbahen nga çdo deklaratë që çon në tensionime, duke  kërkuar përkushtim më të madh të Serbisë dhe Kosovës në procesin e dialogut me ndërmjetësimin e BE-së.

Ajo gjatë fjalës në seancën e sotme të Këshillit të Sigurimit për Kosovën tha se strategjia për Ballkanin Perëndimor e votuar më 16 shkurt nga BE-ja, tregon përkushtimin evropian për perspektivën evropiane të këtij rajoni.

Diplomatja franceze ka kërkuar angazhim më të madh në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ndërsa ka përshëndetur ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

“Ne kemi qenë gjithmonë krah për krah me Kosovën. Ne ftojmë autoritetet e Kosovës të vazhdojnë me zhvillimin e vendit dhe ftojmë subjektet politike të krijojnë konsensus për çështje të vendit”, është shprehur ajo. 

Image
Karel von Osterom

Holanda pro ndryshimit të formatit të seancave për Kosovën

Ambasadori i Holandës pranë OKB-së, Karel von Osterom, ka mbështetur iniciativën amerikane për ndryshimin e formatit të mbajtjes së seancave të Këshillit të Sigurimit për Kosovën.

Ai gjatë fjalimit në seancën e sotme në Nju Jork, ku po diskutohet raporti i rregullt tremujor i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, tha se vendi i tij përshëndet ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës.

Image
Nikki Haley

SHBA: Të ndërpritet misioni i UNMIK-ut në Kosovë

Përfaqësuesja e përhershme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ambasadorja Nikki Haley, ka kërkuar nga Këshilli që të ndërpres misionin e UNMIK-ut, i cili po shpenzon miliona euro në Kosovë.

Ajo ka përshëndetur miratimin e projektligjit për demarkacionin me Malin e Zi, derisa ka thënë se dialogu në mes dy vendeve është e vetmja zgjidhje për paqe dhe integrim.

Haley ka inkurajuar vendet që nuk e kanë njohur Kosovës, që t’i bashkohen më shumë se 115 shteteve që e kanë njohur pavarësinë e saj.

Çitaku i thotë Daçiqit: Vendimin për themelimin e ushtrisë e merr Kosova

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, duke folur në seancën për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, tha se Beogradi po i pengon serbët e Kosovës që të integrohen në institucionet e Kosovës.

Duke folur në një kohë kur Kosova është në periudhën e përkujtimit të përvjetorëve nga lufta e fundit në Kosovë, Çitaku u shpreh se “pajtimi nuk mund të ndërtohet me narrativa të rrejshme”.

“Kemi kaluar nëpër shumë periudha, duke filluar nga periudha e gjatë e shtypjes dhe shkeljes sistematike të të drejrtave të njeriut që kanë kulmuar me spastrim etnik. Përkundër kësëaj, ia kemi arritur t’i rindërtojmë jetët tona nga zero. Njerëzit janë të bashkuar në kujtimin e sakrificës së të rënëve”, tha ambasadorja Vlora Çitaku.

“Afërsisht 30 mijë të rinj do të diplomojnë në shkollat e mesme. Këta janë gjenerata e parë që kanë lindur pas luftës, janë të rinj që kanë lindur të lirë dhe nuk dinë çka është frika. Kanë lindur të lirë dhe do të jetojnë të lirë”, tha Çitaku.

“Pajtimi nuk mund të ndërtohet me narrativa të rrejshme. Sa herë që vij këtu, e ndjej veten  të detyruar t’ju përkujtoj të gjithëve se çka ka ndodhur në zemër të Europës: qindra mijëra të vrarë e të masakruar… të gjitha këto janë bërë nga makineria shtetërore serbe”, tha ajo duke iu referuar deklaratave paraprake të bëra nga përfaqësuesi serb, ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq.

“Është shumë shqetësuese të dëgjojmë histori revizioniste nga fqinji ynë verior. Koha ka ardhur që kjo të përfundojë”, tha ajo.

Çitaku e kritikoi edhe raportin më të ri të OKB-së rreth dhunës seksuale, në të cilin, sipas saj, Kosova nuk është përfshirë fare.

“Kosova nuk është përfshirë në raportoin e OKB-së për dhunën seksuale gjatë luftës. Përkundër ekzistencës së dhunës seksuale, kryesit e këtyre krimeve asnjëherë nuk kanë dalë para drejtësisë”, tha Çitaku.

Ajo denoncoi presionin që politika në Serbi po i bën pjesëtarëve serbë të FSK-së ndërsa tha se “Serbia nuk ka veto” në çështjen e transformimit të FSK-së.

Çitaku ka theksuar se formimi i Ushtrisë bëhet vetëm me vendimin e institucioneve të Kosovës.

“Disa serbë lokalë janë arrestuar në Serbi për shkak se janë bashkuar FSK-së. Më lejoni të jem e qartë Serbia nuk ka veto në themelimin e FAK-ut. Kjo bëhet vetëm nga isntitucionet e Kosovës. Sa i përket serbëve të Kosovës këta duan të kenë një jetë më të mirë. Megjithatë aspriata e tyre vazhdimisht shtypen nga Beogradi”, tha tutje ambsadorja e Kosovës në Uashington.

Çitaku gjithashtu përmendi edhe ndalimin e karateistëve të Kosovës që të marrin pjesë në Kampionatin Evropian në Serbi.

“Vetëm para pak ditësh Serbia e ka ndaluar ekipin e karatesë, duke ua pamundësuar që të marrin pjesë në Evropianin. Fëmijë janë ndaluar. Tani ju e dini sa përpjekje ka bërë Kosova që të bëhet anëtare e federative të sportit”, theksoi Vlora Çitaku.

Ajo gjithashtu kritikoi edhe mundësinë që Sllobodan Millosheviqi t’i ndërtohet një statujë në Serbi.

Çitaku: Kosova nuk toleron provokime

Ambasadorja e Kosovës në Amerikë, Vlora Çitaku ka deklaruar se përfaqësuesit e Serbisë duhet ta kuptojnë që në Kosovë mund të hyjë vetëm pasi të marrin lejen paraprake, në të kundërtën Kosova do të veprojë në përputhje me procedurat.

Çitaku e nisi fjalimin e saj para Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork, me rrethanat e vështira që shqiptarët kanë kaluar gjatë luftës, duke thënë se përkundër kësaj, populli shqiptarë kurrë nuk jemi dorëzuar por ka ndërtuar shtëpitë tona dhe është kthyer në Kosovë, ndërsa tash çdo ditë kujtojmë me mijëra masakrat të bëra nga forcat serbe në Kosovë.

Sipas saj, këtë vit 30 mijë kosovarë do të diplomojnë që nuk kanë përjetuar tmerret e luftës.

Ajo tha sa i përket serbëve të Kosovës, është evidente se dëshirojnë jetë më të mirë, megjithatë Beogradi i pengon çdo ditë.

Çitaku tha se Qeveria e Serbisë e ka ndaluar ekipin e karterë që të marrin pjesë në kampionatin evropian që mbahet në Novi Sad.

“Qeveria e Serbisë me vendimet e saj po e përkrah pjesët e dhunshme dhe është dhuna që duhet të ndaluar e jo sporti“, tha ajo.

Sipas Çitakut, Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në zbatimin e MSA-së dhe ka votuar projektligjin për demarkacionin me Malin e Zi, si kusht për liberalizimin e vizave, gjë që nuk e kanë votuar serbët e Kosovës, për shkak të presionit nga Beogradi.

Duke folur për Gjuriqin, tha se Policia e Kosovës ka vepruar me profesionalizëm gjatë gjithë arrestimit të tij, pasi ai nuk ka respektuar procedurat paraprake.

“Kosova nuk toleron provokime dhe është e përkushtuar që edhe vet të përmbahet nga provokimet. Serbia duhet ta kuptoj që në Kosovë mund të hyjë vetëm pasi të marrin lejen paraprake. Në të kundërtën Kosova do të veprojë në përputhje me procedurat”, tha ajo, duke shtuar se Kosova është e përkushtuar për dialog dhe paqe me të gjitha vendet e ballkanit perëndimor.

“Serbia duhet ta njoh pavarësinë e Kosovës, pasi është vet Serbia ka kërkuar mendimin e Gjykatës e cila njohu pavarësinë e Kosovës. Institucionet e Kosovës kanë formuar grupin punues për draftin për Asociacionin e komunave serbe në Kosovës, ku nuk po marrin pjesë serbët e Kosovës për shkak të presionit nga Beogradi. Çka dëshiron Beogradi është zgjidhje territoriale e ne në Prishtinë dëshirojmë zgjidhje civile. Serbia nuk ka humbur asgjë pasi Kosova kurrë nuk ka qenë e Serbisë”, tha ajo.

Çitaku tha se ka ardhur koha që UNMIK të mbyllë misionin e vet, pasi Këshilli mund të mban një mision që iu kushton shumë por e vërteta është që nuk ka vend në Kosovë.

Image
Ivica Daçiq

Daçiq ankohet për arrestimin e Gjuriqit, ja çfarë kërkon

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me kërkesat e disa vendeve anëtare të OKB-së për ndërprerjen e mbajtjes së seancave të KS për Kosovën dhe mbylljen e punës së UNMIK-ut, duke thënë se situata në Kosovë vazhdon të jetë e brishtë.

“E vetmja mënyrë për zgjidhje të qëndrueshme është dialogu dhe duhet të vazhdohet me këtë dialog, dhe KS duhet të ndihmojë për gjetjen e zgjidhjes dhe kjo është e rëndësishme për stabilitetin e tërë rajonit. Kërkesat për të ndryshuar mandatin e UNMIK-un realisht nuk ndihmojnë në arritjen e këtyre qëllimeve”, tha ai.

Daçiq tha se duhet të arrihen marrëveshje të nënshkruara me palën kosovare në Bruksel pa kushte shtesë.

Ai iu ka referuar edhe raportit tremujor të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, tha se janë të shokuar nga vrasja e liderit serb Oliver Ivanoviq, autorët e vrasjes të të cilit ende nuk janë sjellë para drejtësisë ndonëse nga Prishtina zyrtare ishte premtuar se do të bëjnë çmos për zbardhjen e këtij rasti.

Kryediplomati serb ka përmendur edhe rastin e arrestimit të Marko Gjuriq në veri të Mitrovicës, duke e quajtur këtë ‘sjellje të pahijshme nga institucionet e Kosovës’.

Ai ka thënë se arrestimi i paligjshëm i Gjuriqit, rrahja e tij dhe zvarritja e tij me një urrejtje nëpër rrugët e Prishtinës ishte poshtërim i paprecedent në historinë e diplomacisë.

“Si mund të ulet serish Gjuriq në tavolinën e bisedimeve pas një trajtimi të tillë”, tha ai, duke shtuar se nuk është e vërtetë se njoftimi për vizitën e tij është bërë me vonesë.

“Ky është akt provokimi që ka rrezikuar dialogun. Është një dëshmi për brishtësinë e situatës në Kosovë. Jemi zhgënjyer me mungesën e reagimit të shpejtë të BE-së”, është shprehur Daçiq.

Ai ka akuzuar edhe KFOR-in se ka mbyllur sytë para Policisë së Kosovës ndërsa ishte në aksion për arrestimin e Gjuriq, i cili kishte hyrë pa leje në Kosovë.

Image
Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin

Tanin përshëndet ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi

Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, në fjalën e tij para KS të OKB-së, ka përshëndetur ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës, i cili tregon përkushtimin e Kosovës për perspektivën evropiane.

Ai në raportin mbi punën e UNMIK-ut për periudhën nga 17 janari deri më 15 prill i fton krerët në Beograd dhe Prishtinë që të vazhdojnë të trajtojnë çështjet e kontestuara përmes dialogut dhe demonstrimit të vullnetit politik të kërkuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. 

Tanin po ashtu ka shprehur shqetësim rreth përparimit të ngadaltë për hetimet në lidhje me vrasjen e liderit politik serb Oliver Ivanoviq.  

Sipas tij, UNMIK-u do të vazhdojë punën e vet me agjendën për afirmimin e të drejtave të grave dhe se është rëndësishme që të vazhdojë puna me rininë përmes UNICEF-it dhe shoqërisë civile.

“Kosova vazhdon të jetë e fokusuar në sistemin e drejtësisë dhe EULEX-i do t’i dorëzojë të gjitha rastet e deritanishme te autoritetet lokale, ndërsa jam i lumtur se po zbatohet ligji për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat