Ndodhë edhe kjo, familja e demanton Hamdi Aliun: Gjendjen e kemi të rëndë, por...

Aktuale

Ndodhë edhe kjo, familja e demanton Hamdi Aliun: Gjendjen e kemi të rëndë, por...

Më: 15 maj 2018 Në ora: 16:21
Hamdi Aliu

Mjaftoi një paraqitje televizive për t’u mobilizuar të gjithë shqiptarët që t’i dalin në ndihmë Hamdi Aliut nga Prishtina. Një deklaratë e tij e rastësishme e dhënë për media, ku nën lot tha se nuk ka bukë për t’i ushqyer fëmijët, emocionoi të gjithë. Këto deklarata ish-arsimtari i gjuhës shqipe po del t’i ketë dhënë në gjendje afekti,kishte qenë i mllefosur me një dënim që përmbaruesi privat ia bëri atij duke i ndalur pagën prej 150 eurove për shkak të një borxhi. Por, familja e Hamdiut, e cila ka në pronësi një shtëpi në Rrezallë të Skënderajt dhe banesë në Prishtinë, thotë se ai nuk i kanë punët dhe aq keq. Nga ana tjetër njohësit e çështje juridike po e cilësojnë si të gabuar vendimin e përmbaruesit, i cili ia ndali tërë rrogën për një borxh ndaj shtetit.

Telefoni i Hamdi Aliut nga Prishtina që nga dje nuk po pushon. Atij po i drejtohen qindra thirrje. Të gjitha për t’i dalë në ndihmë financiare ish-arsimtarit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Ai mëngjesin e së hënës u ndal nga kamera e T7, para së cilës rrëfeu për një brengë që e kishte.

Ai tha se përmbaruesi privat ia ka ndalur të ardhurat e vetme mujore që i kishte për shkak të një borxhi. Si pasojë e kësaj,zotëri Hamdiu para kamerës deklaroi se, që nga e premtja, në mungesë të parave nuk i ka ushqyer fëmijët me bukë. Dhe, ka qenë pikërisht kjo deklaratë e cila i ka mobilizuar shumë shqiptarë brenda e jashtë Kosovës.

Vetëm në adresë të medias, që prej dje janë pranuar me dhjetëra thirrje për t’i dalë në ndihmë familjes së Hamdiut. Por, qytetarë të shumtë kanë shkuar edhe në familjen e tij duke i dhënë para, gjëra ushqimore e veshmbathje.

Por, e vërteta sipas familjarëve është pak më ndryshe nga ajo që e ka thënë Hamdi Aliu. Ata, prononcimin e kreut të shtëpisë së tyre po e cilësojnë të ngutshëm. Media, të martën ka qëndruar në familjen Aliu. Ata kanë thënë se kryefamiljari deklaratën para mediave e ka dhënën nën efektin e emocioneve dhe nervozes së ndalesës së rrogës nga përmbaruesi.

“Nuk jemi pa bukë. Nuk i kemi kushtet edhe aq mirë, po jo ashtu qysh ka thënë. Ne i kemi gjashtë fëmijë, ata janë prekur nga deklaratat. Fëmija punojnë nga pak”, ka deklaruar gruaja e Hamdiut.

Ajo ka deklaruar se persona të shumtë po i ndihmojnë, por që kushtet nuk i kanë edhe aq keq. Nga familja thonë po ashtu se edhe një pjesë e borxhit që  e kishin i është shlyer nga njerëzit e vullnetit të mirë.

“Po vijnë po na ndihmojnë nga pak për do sende, por ne nuk jemi aq keq. Le  të merret vesh burri, me neve nuk kanë të bëjnë as mediat as askush. Tash rrogën ia kanë qitur, dikush ia kish paguar do borxh. Ju thirreni e vetni prapë. Ata që na njohin e dinë që nuk i kemi kushtet e mira, por pa bukë nuk jemi”, thonë tutje nga familja.

Por telefoni i Hamdiut ka qenë jo i qasshëm për Gazetën. E fqinjët e cilësojnë si një person të qetë dhe të rerspektueshëm.

Përmbaruesi bëri shkelje që ia ndali rrogën

Deklaratat emocionuese, Hamdi Aliu, arsimtari që për 20 vite ligjëroi Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe në Skenderaj, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, që shkroi dhe 3 libra, i bëri pasi përmbaruesi privat ia ndali atij pagën për shkak të borxheve ndaj shtetit.

E përmbaruesi, të gjithë rrogën prej 150 eurove ia kishte marrë menjëherë nga xhirollogaria bankare.

Por, edhe ky veprim i përmbaruesit po cilësohet si jo i drejtë.

Avokati Gazmend Rexhepi, ka shpjeguar për Expresss rreth shkeljeve që i ka bërë përmbaruesi privat. Ai thotë se sipas Ligjit të Procedurës Përmbarimore ekzistojnë përjashtimet e përmbarimit në rastet kur kemi të bëjmë për ushqim mujor për anëtaret e familjes.

“Paga në tërësi nuk mund të ndalohet. Këtë gjë e përcakton qartë neni 112 LPP. Po sipas LPP eksitojnë edhe përjashtimet e përmbarimit ne rastet kur kemi të bëjmë me ushqimin mujor për anëtaret e familjes. Për rastin e tillë duhet shikuar ky rast a ka shkuar në Gjykatë a ka pasur Ankesë (Prapsim). A e ka shfrytëzuar zotëria në fjalë të drejtën e mjeteve juridike”, thotë avokati Gazmend Rexhepi.

Ai shpjegon se në asnjë mënyrë sipas ligjit nuk guxon të ndalohet paga në  tërësi.

“Kjo është shkelje ligjore”, thotë ai.

Megjithëkëtë, sipas Ligjit të Procedurës Përmbarimore, neni 112, Kufizimi i përmbarimit, pika e, thuhet se “Përmbarimi në të ardhurat personale, për shpërblimin në vend të pagës dhe për pensionin mund të caktohet dhe të zbatohet deri në gjysmën e lartësisë së tyre. Shuma që sekuestrohet do të kufizohet në pjesën që tejkalon shumën e ndihmës më të lartë sociale që paguhet brenda territorit ku debitori ka vendbanimin”.

Image
Ligji i Procedurës Përmbarimore

Por nga përmbaruesi privat, në një e-mail drejtuar emisionit "Frontal" kanë deklaruar se që në vitin 2016-të ka pranuar propozim për përmbarim ndaj debitorit në fjalë. Sipas përmbaruesit, debitori ka pasur të drejtë që në afat prej pesë ditësh të kundërshtojë këtë borxh në Gjykatën Themelore në Prishtinë, mirëpo një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

Për këtë arsye, sipas përmbaruesit, konform ligjeve të Kosovës, janë bllokuar mjetet deri në shumën e kërkuar nga kreditori. Borxhi prej 410 euro, që ende figuron i papaguar, do të mbajë të mbyllura llogaritë, deri sa të vendosë ndryshe kreditori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat