Apeli vendos për ish-prokuroren Badivuku

Aktuale

Apeli vendos për ish-prokuroren Badivuku

Më: 16 maj 2018 Në ora: 10:48
Vahide Badivuku

Instanca e dytë e drejtësisë në Kosovës ka vendosur për herë të tretë në lidhje me rastin ku e akuzuar është ish-prokurorja e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Vahide Badivuku.

Kallxo merr vesh se Gjykata e Apelit edhe një herë ka konfirmuar dënimin ndaj Vahide Badivukut, duke e gjetur fajtore dhe duke e dënuar për marrje ryshfeti me 3 vjet burg.

Kjo është hera e tretë që Gjykata e Apelit po vendos në këtë çështje. Dy herët e kaluara, pas kërkesave për mbrojtje të ligjshmërisë, Gjykata Supreme e Kosovës e kishte kthtyer çështjen në rivendosje.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, prokurorja Badivuku në periudhën kohore maj – gusht 2015 në cilësinë e prokurores së krimeve të rënda në Prokurorinë e Mitrovicës për të përfituar për vete ka kërkuar dhe pranuar dhuratë “në mënyrë të tërthortë”.

Në këtë rast të akuzuar janë edhe Idriz Kelmendi dhe Isak Smakolli, ata akuzoheshin për veprën e ushtrimit të ndikimit, ndërsa Gjykata e Apelit e kishte ricilësuar veprën e tyre në dhënie ryshfeti.

I pari ishte dënuar me një vit burgim, ndërsa të dytit i është vërtetuar dënimi me gjobë prej 3 mijë eurosh, thuhej në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Ky rast fillimisht ishte vendosur nga Gjykata Themelore e Prishtinës në vitin 2016, ndërsa në shtator të vitit 2016 Apeli e kishte vërtetuar vendimin e Themelores.

Ndryshe nga Apeli kishte vendosur Gjykata Supreme e Kosovës e cila në maj të vitit 2017 e kishte kthyer në rivendosje këtë rast në Gjykatën e Apelit.

Ky rast hyn në grupin e lëndëve të shënjestruara për liberalizim të vizave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat