Selmanaj: Pasi Ukshin Hoti doli nga burgu, u dëgjuan të shtëna armësh

Aktuale

Selmanaj: Pasi Ukshin Hoti doli nga burgu, u dëgjuan të shtëna armësh

Më: 22 maj 2018 Në ora: 21:33
Ukshin Hoti

Dy të mbijetuarit e masakrës të Dubravës kanë rrëfyer edhe për momentin e daljes nga burgu të profesorit Ukshin Hoti, i zhdukur që nga ajo ditë, duke kërkuar që të zbardhet e vërteta dhe të merret vesh fati i profesorit.

Rasim Selmanaj dhe Bislim Zogaj, të dy të mbijetuar të masakrës të Dubravës, kanë rrëfyer tmerrin e atyre ditëve, duke vënë theksin tek përgatitja e saj, si mënyrë për t’i vrarë të gjithë të burgosurit shqiptarë aty.

Ata kanë rrëfyer edhe për momentin e daljes nga burgu të profesorit Ukshin Hoti, i zhdukur që nga ajo ditë, duke kërkuar që të zbardhet e vërteta dhe të merret vesh fati i profesorit.

“Kemi menduar se me lirimin e Ukshin Hotit, pas daljes ai do të bëjë sensibilizimin për gjendjen tonë, se në çfarë kushte jemi. Siç duket ka ndodhur më e keqja. Nuk kemi informacione zyrtare, mirëpo janë dëgjuar të shtëna armësh pas disa minutash. Dihet kush e ka shoqëruar Hotin kur ka dalë, mirëpo interesimi i shtetit është zero. Kur dihen emrat pse të mos merren në pyetje ata persona? Edhe rastit i Ukshin Hotit vazhdon të trajtohet në heshtje, nuk ka veprime konkrete”, ka thënë Selmanaj.

Ndërsa doktori Zogaj ka kujtuar momente nga qëndrimi në një çeli burgu, qëndrueshmërinë e Hotit në tortura dhe momentet kur janë përshëndetur me të, para se të dilte për të mos u marrë më vesh çka ka ndodhur me të.

“Profesorin (Ukshin Hoti) e kujtoj, mendoj dhe jetoj me kohën sa kam jetuar me të në burg. I kam dy momente të veçanta me të, që s’mund t’i harroj, kur na kanë kthyer në burgun e Nishit. Në një moment kanë hyrë dy gardianë në dhomë dhe e kanë torturuar për 15 minuta. Gjatë krejt asaj kohe ai s’ka bërë as ‘of’. Aty, përveç inteligjencës, e kam parë edhe qëndrueshmërinë e tij. Pastaj kur u kthyem në Dubravë kur ai u lirua. Ne shkuam të përshëndetemi me të. Ai s’mundi të përshëndetej me të gjithë, ndaj tha: ‘Megjithëse s’po mund të përshëndetem me të gjithë, do të shihemi së shpejti në Kosovën e lirë’”, kujton Zogaj momentet e ndarjes me profesor Hotin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat