Kosova mund të anëtarësohet sivjet në Interpol

Aktuale

Kosova mund të anëtarësohet sivjet në Interpol

Më: 23 maj 2018 Në ora: 14:41
Ilustrim

Kryesuesi i grupit punues për anëtarësim në Interpol, në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) Veton Elshani tha sot se vendi ynë ka gjasa që gjatë këtij viti të anëtarësohet në Interpol.

Ai gjatë tryezës së organizuar nga Instituti i Prishtinës për studime Politike (PIPS) ku temë diskutimi ishte anëtarësimi i vendit tonë në Këshillin e Evropës dhe Interpol, tha se anëtarësimi në Interpol është një benefit jo vetëm për Kosovën, por edhe gjithë rajonin.

Elshani: I kemi shanset reale që këtë vit të jemi pjesë e Interpolit

“Kufiri i parë i linjës i mbrojtjes,  është kufiri, policia kufitare. Ne jemi shtet me viza, me regjim të vizave. Për qytetarët kjo është hendikep,  por policinë është benefit. Sepse i kontrollojmë kufijtë. Por ne nuk i kontrollojmë kufijtë,  kur vjen puna tek Interpoli sepse nuk jemi të lidhur me Interpol dhe Interpoli nuk është në kufijtë e Kosovës. Pa ardhur Interpoli nëpër kufij, kufijtë  nuk janë të siguruar mirë. Do të jetë një benefit që ne të jemi pjesë e Interpolit. Ku kanë qenë mangësitë që unë nuk mund ta fsheh. Ka qenë mos koordinimi mes institucioneve të sigurisë, apo institucioneve që duhet me qenë aty, për anëtarësimin tonë në Interpol. Ky koordinim unë konsideroj që ekziston. Jemi në rrugë të mirë. Unë besoj dhe shpresoj, që këtë vit ne i kemi shanset reale që të bëhemi pjesë e Interpolit”, tha Elshani.

Leonora Kryeziu nga PIPS, tha se anëtarësimi në Interpol do të ofronte një mundësi më të mirë për ngritjen e sigurisë në Kosovë dhe njëherësh kjo do të mundësojë forcimin e shtetit në fushën ndërkombëtare.

Kryeziu: Anëtarësimi në organizata forcon shtetin

“Krahas njohjeve dy palëshe që Kosova ka, anëtarësimi në organizata shumëpalëshe ofron një mundësi të mirë për të forcuar shtetësinë e Kosovës ndërkombëtarësh. Por përpos kësaj anëtarësimi shumëpalësh, ofron mundësi dhe të ndikuar dhe në jetën e qytetarëve. Dhe ky është synimi kyç, të cilin ne sot e përdorim, kur ne flasim për Këshillin e Evropës. Një përgjigje e bërë ndaj kërkesave të Kosovës dhe institucioneve tona është që anëtarësimi në organizata, duhet të përcillet me aktivitete në periudhën e pas anëtarësimit. Në këtë rrafsh do të duhej t’i bënim apel institucioneve dhe zyrtarëve përfaqësues në këto organizata, që të gjejnë mënyra,  për t’i shtjerrë mundësitë e bashkëpunimit me organizata dhe pas anëtarësimit. Për Kosovën anëtarësimi në këto organizata, nuk do të thotë vetëm një numër me shumë, por gjithsesi janë obligime që duhet përmbushur vazhdimisht”, tha Kryeziu.

Robert Muharremi, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare i ka quajtur të ngutshme deklaratat se Kosova do të aplikojë për statusin e kandidatit në BE, pasi që sipas marrëveshjes së MSA-së do të jetë vetë BE-ja ajo që do të bëjë një vlerësim me implementimin e kësaj marrëveshjeje për të proceduar më tutje.

Muharremi: Kemi risk real sa i përket Interpolit

“Kemi risk real, sa i përket Interpolit. Këshilli i Evropës, në rend të parë është një proces i gjatë. Nëse edhe sot e dorëzojmë aplikacionin për anëtarësim, mund të zgjatë me vite. Sepse është një procedurë bukur e komplikuar. Për UNESCO me  sa e shoh unë, nuk kemi qëndrim të qartë a po procedojmë tutje këtë vit, apo po presim edhe pak, a i kemi votat a jo. Nuk është duke u diskutuar edhe aq shumë.  Po dëgjohet dhe nga Qeveria që do të bëjë përpjekje që nga fundi i vitit, fillimi i vitit të ardhshëm,  të aplikojmë për statusin e kandidatit për BE. Për mendimin tim,  nuk është reale dhe nuk është fer të krijojmë pritje të tilla, sepse kemi një marrëveshje për MSA, e cila shprehimisht parasheh që 5 vite pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, BE do të bëjë një vlerësim se ku jemi me implementim dhe pastaj mund të shohim si do të procedojmë më tutje. Kështu që është pak para koh e të kërkojmë statusin e kandidatit, pa ardhur të paktën deri  te gjysma e  realizimit të MSA-së. Krijimi i pritjeve të tilla te publiku nuk është shumë e përgjegjshme”, tha Muharremi.

Glauk Konjufca, anëtar i Komisionit për integrime evropiane, tha se përpjekja e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës ka qenë në vitin 2014, ku u është thënë se perspektiva e Kosovës për anëtarësimin është shumë pesimiste derisa të mos përfundojë puna e Gjykatës Speciale.

Konjufca:  S’mund të jemi peng i Gjykatës Speciale

“Përpjekja më serioze e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, është bërë në vitin 2014. Kam qenë pjesë e asaj iniciative së bashku me Enver Hoxhaj. Edhe i kemi takuar shumicën e delegacioneve. Delegacionet me të rëndësishme  nacionale, në asamblenë e këshillit të Evropës. Ajo çka ata na kanë thënë, unë mund t’ua them në mënyrë të qartë. Ata na kanë thënë prerazi që perspektivat e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës janë shumë pesimiste përderisa të mos realizohet Gjykata Speciale. Pra, pa realizimin e Gjykatës Speciale, pa themelimin e saj, nuk mund të ketë kurrfarë anëtarësimi në Këshillin e Evropës. Natyrisht Gjykata Speciale u themelua. Tash kemi tri vite që u themelua në Kosovë. Me vetë faktin që Kosova e ka themeluar Gjykatën Speciale, duhet me provuar dhe njëherë me u bë pjesë e këtij procesi, me shty përpara anëtarësimin në KE, sepse Gjykata Speciale mund t ë marrë 10 deri 15 vjet. Ne nuk mund të jemi peng i Gjykatës Speciale derisa ajo të kryhet”, tha Konjufca.

Ndryshe, që nga viti 2008 Kosova është  anëtarësuar në rreth 63 organizata ndërkombëtare. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat