Dikur kërkonte të dënohej rëndë, e sot… Si do të reagonte Rugova po të ishte gjallë e t’i dëgjonte tash fjalët e Thaçit!

Aktuale

Dikur kërkonte të dënohej rëndë, e sot… Si do të reagonte Rugova po të ishte gjallë e t’i dëgjonte tash fjalët e Thaçit!

Nga: P.R Më: 24 maj 2018 Në ora: 16:53
Ibrahim Rugova dhe Hashim Thaçi gjatë konferencës së Rambujesë

24 maji, në Kosovë shënohet si dita e presidentit, ditë kjo e caktuar nga Dr. Ibrahim Rugova gjatë kohës sa ishte president.

Gjatë ditës, së sotme, presidenti i Kosovës, Hashim Thaci dekoroi me medalje presidenciale jubilare të dhjetëvjetorit të Pavarësisë për merita, presidentin historik, Dr. Ibrahim Rugova, e ku për të pranuar këtë medalje, në zyrën e Thaçit kishin shkuar e gjithë familja Rugova, gruaja Fana, vajza Teuta dhe djemtë, Mendimi dhe Uka.

Po ashtu, menjëherë pas kësaj, në muzeun e Kosovës ishte organizuar ekspozita me gjëra personale të Rugovës.

Në fjalën e tij gjatë kësaj ekspozite, presidenti aktual, Hashim Thaçi, dikur kundërshtar i madh u Rugovës, zgjodhi fjalët më të mira për Rugovën, duke e pranuar se Rugova kishte një rol të pazëvendësueshëm për pavarësinë e Kosovës.

“Pavarësia e Kosovës nuk erdhi si incident a aksident politik. Kjo u fitua me sakrificë të pashoqe ku rol të pazëvendësueshëm ka presidenti Rugova. UÇK ishte lëvizja më e suksesshme ushtarake. Presidenti Ibrahim Rugova ishte njeri i dialogut dhe negociatave. Ishte njeri i durimit dhe pajtimit, ishte njeri i vizionit. Sot çdo parti dhe çdo lider politik duhet të shikojë të ardhmen stabile dhe perspektiven euroatlantike të Kosovës, para interesave dhe adresave të caktuara të partive politike, ashtu siç vepronim bashkërisht në të kaluarën. Sot çdo qytetar i Kosovës kudo që jeton në Kosovë apo diasporë është liridashës, është çlirimtar. Sot Kosova është shtet, ka simbolet e veta, Kosova ka identitetin e vet kombëtar dhe shtetëror, Kosova ka identitet evropian. Prandaj, secili duhet të ndjehet krenar me të arriturat. Shteti i Kosovës është mbi të gjitha dhe para çdo adrese politike. Të gjithë ne duhet të jemi në shërbim të vendit tonë”, tha Thaçi.

Por teksa e dëgjojmë Thaçin se si flet sot për Rugovën, atëherë lind pyetja se si do të ndihej presidenti po të ishte gjallë e të dëgjonte këto fjalë të atij që e luftoi me çdo gjë gjatë kohës sa ishte gjallë?

Nëse kthemi veç pak në histori, atëherë gjejmë person krejt tjetër. Një person i cili luftonte me çdo kusht Rugovën. Një person, i cili madje kërkonte edhe dënimin e rëndë për Rugovën, duke i cilësuar si antikombëtare veprimet e Ibrahim Rugovës.

“Shkuarja e Rugovës në Beograd dhe shtrirja e dorës së marrëveshjes së popullit shqiptar dhe i tërë Ballkanit s’është gjë tjetër veç një atak i drejtpërdrejtë në luftën çlirimtare të popullit shqiptar. Është një atak edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe  Grupit të Kontaktit. Veprimet e tilla, anti-kombëtare të Rugovës do të dënohen rëndë”, thoshte Thaçi për Rugovën.

Po ashtu edhe në librin  e botuar së fundi për Thaçin, Rugova ofendohet rëndë, duke u cilësuar alkoolist, pijanec, frikacak, etj...

E pas fjalëve të Thaçit, gjatë ditës së sotme ka reaguar edhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, i cili e ka thënë se është neveritëse kur Hashim Thaçi flet për Ibrahim Rugovën, duke kujtuar veprimet e Thaçit në të kaluarën.

“Kush janë këta njerëz që të flasin për Presidentin historik Rugova?! Kush janë këta njerëz që për së gjalli të tij e luftuan me çdo mjet dhe mundësi, kurse sot i thurrin elozhe figurës së tij?! A janë këta njerëz që here e akuzonin për tradhti kombëtare e herë lëshoheshin në banalitete duke mos ja paguar rrymën e telefonin?!!Çfarë pafytyrësie?!!!! A nuk është ky Hashim që gjatë luftës e kërcënonte Rugovën se do të dënohej rëndë për veprimet e tij antikombëtare?! A nuk është ky njeri që në librin e tij autobiografik, presidentin historik Ibrahim Rugova e quan pijanec, i nënshtruar, defetist, frikacak, njeri që pinte vazhdimisht konjak, politikan pasiv, i lodhur, si kritik letrar që merrej me letërsinë e shekullit 16 dhe i papërshtatshëm për udhëheqjen e negociatave në Rambuje, që nuk mund ta menaxhonte as kollën e tij, etj etj”, ka shkruar Semanaj në faqen e tij në facebook.

Poashtu edhe depuetja Vjosa Osmani, ka shkruar se Rugova ndërtoi shtetin e atyre që e quanin tradhtar.

"Sektori Historik i Muzeut të Kosovës sot ka hapur ekspozitën historike me titull ‘Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës’ E atij që e ndërtoi shtetin kur shumëkush e luftonte, e anatemonte, e quante të çmendur e tradhtar. Shumë nga të tillët sot i përkulen para varrit e mbajnë fjalime ku duan ta barazojnë kontributin e Presidentit historik për të ndërtuar shtetin me ‘kontributin’ e tyre për ta shkatërruar po këtë shtet. Po tentojnë ta rishkruajnë historinë, por e kanë të kotë. Vepra e Presidentit Rugova është shkruar në mbamendjen historike të popullit të Kosovës, për mos t’u fshier kurrë", ka shkruar Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat