Drojë nga kompromiset e reja me Serbinë

Aktuale

Drojë nga kompromiset e reja me Serbinë

Më: 28 maj 2018 Në ora: 19:13
Thaci- Mogherini

Në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, Kosova nuk mund të bëj kompromise, të cilat do të mund ta dëmtonin vet shtetin dhe tërësinë territoriale, vlerësojnë përfaqësues të institucioneve të vendit, të partive politike dhe të shoqërisë civile.

Përderisa tashmë është paralajmëruar se të dyja vendet, Kosova dhe Serbia, do të duhet të hyjnë në fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ditë më parë ka deklaruar se për Kosovën, dialogu nuk ka alternativë.

Presidenti Thaçi ka theksuar se “do të punojmë për kompromis dhe do të arrijmë marrëveshjen përfundimtare që për Kosovën nënkupton anëtarësim në Kombet e Bashkuara dhe njohje reciproke”.

Por, a mund të bëj Kosova kompromise të reja në dialogun me Serbinë?

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se deklarata e presidentit Thaçi, flet për atë që procesi i dialogut me Serbinë mund të jetë i vështirë dhe me të panjohura, e sidomos për atë se sa Serbia do të jetë në gjendje që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe se a do të mundësojë Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara që Kosova të jetë pjesë e Kombeve të bashkuara.

“Aty flitet më shumë për një proces të vështirë, se sa që ka një formulim, i cili folë me terma të kompromisit. Unë mendoj që Kosova e ka përmbushur çdo kërkesë që ka pasur komuniteti serb në Kosovë. Ne nuk jemi të interesuar që të ndodhë as ndarja e brendshme përmes një entiteti territorial serb në Republikën e Kosovës, por as mos ta kemi një situatë ku ne do të duhej të hyjmë në një qasje ku vazhdimisht Beogradi dhe (presidenti i Serbisë, Aleksandar) Vuçiq kërkojnë shpërblime për vendimin e mundshëm që mund ta marrin ata që ta njohin Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur”, tha Hoxhaj.

Agim Veliu, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që Kosova deri më tash ka bërë mjaft kompromise dhe nëse kërkohen kompromise të reja që mund ta dëmtojnë funksionalitetin e shtetit, të tillat do të ishin të papranueshme.

“Unë mund ta kuptoj që çdo dialog është i vështirë e posaçërisht dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është i vështirë dhe i rëndë që të përfundojë. Mirëpo, për sa i përket kompromiseve, unë mendoj që Kosova nuk ka më se çka të bëj kompromise, sepse ka bërë mjaft. Pakoja e Ahtisaarit është njëfarë kompromisi më vete. Kështu që, unë nuk mendoj që Kosova ka më hapësirë për kompromis”, u shpreh Veliu.

Jeta Krasniqi, analiste nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se përmes procesit të dialogut, Kosova duhet t’i përmbyllin të gjitha problemet me Serbinë, ta largojë prezencën e saj nga vendi, si dhe të bëj integrimin sa më të mirë të serbëve të Kosovës në jetën institucionale dhe shoqërore. Por, sipas saj, në kuadër të këtij procesi, asnjë kompromis që do ta cenonte integritetin territorial të Kosovës, sovranitetin e saj, si dhe funksionimin e brendshëm si shtet unitar, nuk duhet të lejohet të ndodhë.

“Asgjë që cenon funksionimin e shtetit të Kosovës, nuk duhet të lejohet. Çka nëse arrihet (ndonjë kompromis), atëherë ne si shoqëri civile do të jemi kundër kompromiseve që cenojnë funksionimin unitar të shtetit të Kosovës apo që cenojnë integritetin territorial të shtetit të Kosovës. Por, besoj që as partitë, të cilat janë edhe të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, pasi që duhet, siç e dimë, dy të tretat e votave, për tu ratifikuar një marrëveshje në Kuvendin e Kosovës”, theksoi Krasniqi.

Sidoqoftë, fundi i procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pritet të përmbyllet me një marrëveshje ligjërisht obliguese për palët. Presidenti Thaçi, ka theksuar se kërkesa e Bashkimit Evropian, për të dy palët, është “që t’i mbyllin të gjitha çështjet e hapura”./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat