Tahiri: Kodi Civil të reflektojë qëndrime bashkëkohore

Aktuale

Tahiri: Kodi Civil të reflektojë qëndrime bashkëkohore

Më: 30 maj 2018 Në ora: 12:37
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri

(E plotësuar) - Duke pasur një Kod Civil modern do të sigurohet që Kosova të ketë bashkëpunim gjyqësor dhe juridik në çështjet civile me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, bashkëpunim i cili do të sigurojë njohjen reciproke të të gjitha çështjeve civile si Ligji për Familjen, trashëgimia e barabartë dhe të drejtat pronësore, dhe bërja e biznesit në të gjithë Evropën.

Kështu u tha në punëtorinë e kampanjës informuese ”Ligji i Familjes dhe Ligji i Trashëgimisë përmes Kodit Civil modern”, në të cilën mori pjesë edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe përfaqësues tjerë institucional e njohës të fushës.

Vëmendje e madhe nga kjo punëtori iu dha nevojës për ndryshim të mentalitetit kosovar, sidomos në çështjet familjare dhe ato të trashëgimisë.

Me këtë rast Tahiri tha se sistemi i drejtësisë në Kosovë ka nevojë për reformë, dhe zgjidhja potenciale është fuqia ekonomike e gruas.

Duke u nisur nga impakti që Kodi Civil ka, Tahiri theksoi se në qendër të tij duhet të vihet edhe ndarja e trashëgimisë në raport me gruan, me qëllim të rritjes ekonomike.

Tahiri: Kodi Civil le të jetë kod që reflekton qëndrime bashkëkohore

 "Është besim i imi që në kuadër të Kodit Civil, e arritura kryesore do të jetë dispozitat ligjore që i referohen trashëgimisë, në mënyrë që gratë të trashëgojnë sipas ligjit dhe të drejtave, të krijojnë kapital të rritjes ekonomike... Le të jetë Kodi Civil i Kosovës, kod i cili reflekton qëndrime bashkëkohore të shoqërisë kosovare, shoqërisë e cila mbështetet, promovon dhe fuqizon gruan, sidomos në rolin e saj në familje, por edhe në dobi të zhvillimit ekonomik të Republikës të Kosovës", tha Tahiri.

Ai shtoi se për këtë ekzistojnë tri mënyra: ndryshimi i politikave ekonomike, legjislacioni dhe qëndrimet në kulturë.

Tahiri: Dispozitat ligjore e kanë efektin më të madh në fuqizimin e gruas në shoqëri

 "Efektin më të madh në fuqizimin e gruas në ekonomi e kanë dispozitat ligjore. Këto ndryshime duhet të prekin legjislacionin mbi pronën, trashëgiminë dhe familjen, sidomos në aspektin e të drejtës në pronën, gjatë dhe pas martesës. Natyrisht, ndryshimi i politikave nuk është e vetmja zgjidhje. Si shoqëri duhet të ndryshojmë qëndrimet aktuale dhe të jemi më të hapur ndaj kontributit të ofruar për gratë", shtoi ai.

Nga kjo punëtori, rëndësinë e një ligji modern e mbështeti edhe ish ministri i Drejtësisë  Hajredin Kuçi, i cili tha se Kodi Civil është shumë i rëndësishëm posaçërisht në çështjet familjare dhe trashëgimore.

Ai apeloi që përveç se në ligj, të punohet edhe në ndryshimin e mentalitetit kosovar.

Kuçi: Ne duhet të punojmë edhe në mentalitet

 "Ne kemi mbi 90 përqind që heqin dorë ose nuk trashëgojnë vajzat dhe motrat tona. Dhe unë mendoj se duhet  të punojmë edhe në mentalitet dhe mendoj që noterët në këtë drejtim duhet të jenë të kujdesshëm tek heqja dorë. Po e them për të mos qenë formalitet, çfarë ka qenë deri më tani, por të tentojmë të bëjmë një ambient pak më të përshtatshëm", theksoi ai.

Ndërsa Katarina Grbesa, përfaqësuese e EUSR-së, tha se fakti se flitet ende për kodifikimin e Kodit Civil, proces ky i filluar në vitin 2014, është dëshmi e kompleksitetit të tij. Ajo vuri në pah edhe njëherë se Zyra e BE-së mbetet e përkushtuar që të mbështes Kosovën në modernizimin dhe harmonizimin e Kornizës ligjore.

Grbesa: Kodi Civil do të ndihmojë edhe në realizimin e prioriteteve që dalin nga MSA

"Ne shpresojmë se Kodi Modern kur të përfundojë do të ndihmojë në sundimin e ligjit, dhe po ashtu që të rikthehet besimi i publikut në sistemin e gjyqësorit. Është po ashtu me rëndësi të theksojmë se ne shpresojmë se Kodi do të ofrojë mundësi për fuqizimin e mëtejmë të të drejtave të grave dhe pakicave. Ne besojmë se Kodi do të ndihmojë edhe në zbatim më të lehtë të prioriteteve të MSA-së dhe se do të kontribuojë në sundim të ligjit, stabilitetin dhe zhvillimin e vendit", tha ajo.

Përfaqësuesi i Kodit Civil, Alfons Lentze, tha se një Kod Civil modern siguron se pa marrë parasysh se çka ndodhë në shoqëri. Teksa Haxhi Gashi, përfaqësues i Kodit Civil, bëri të ditur se tani janë në fazën e dytë të Kodit Civil.

Diskutimi për Ligjin e Familjes dhe të Trashëgimisë (Drejtpërdrejt)

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, do të marrë pjesë në punëtorinë e kampanjës informuese ”Ligji i Familjes dhe Ligji i Trashëgimisë përmes Kodit Civil modern”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat