Opozita unike në deklarata, por jo edhe në qëndrime

Aktuale

Opozita unike në deklarata, por jo edhe në qëndrime

Më: 30 maj 2018 Në ora: 19:04
Foto nga Kuvendi i Kosovës

Partitë politike opozitare në Kosovë, përkundër që kanë ashpërsuar fjalorin dhe shpeshtuar kritikat në raport me qeverinë, nuk kanë arritur të dalin me një pozicion unik për tema e çështje të caktuara karshi ekzekutivit. Dy nga çështjet në të cilat po insiston opozita, siç është caktimi i datës së zgjedhjeve dhe platforma për bisedimet me Serbinë, megjithatë kanë mbetur të paharmonizuara si qëndrime edhe përbrenda opozitës.

Përfaqësuesit e këtyre partive thonë se për disa çështje mund të arrihet një unitet, por për disa procese, sipas tyre, duhet të punohet e diskutohet edhe më tutje.

Deputetja Mimoza Kusari – Lila nga Alternativa, parti e cila është pjesë e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se është në interes të Kosovës që opozita të ketë një qëndrim të përbashkët.

"Mendojmë dhe do të punojmë që opozita të ketë një qëndrim të përbashkët dhe gjithashtu në ketë moment historik për Kosovën dhe natyrisht edhe për Ballkanin, Kosova duhet të jetë e përgatitur, dhe me një mbështetje politike në finalizimin e marrëveshjes më Serbinë", tha Kusari Lila.

Kusari-Lila tha se mendimet e ndryshme në raport me qasjen ndaj dialogut Kosovë-Serbi, e sjellin mungesën e unitetit.

"Duhet me intensivisht të këtë takime dhe lidership në kuadër të partive opozitare në mënyre që të arrihet deri te një pikë e përbashkëte në të cilën trajtohet në formën e mirëfilltë edhe formati i delegacionit kosovar në bisedimet më Serbinë në një finale e cila tashmë po shihet se ka një interesim të lartë edhe nga BE-ja dhe SHBA-ja", tha Kusari - Lila.

Ndërkaq shefi i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i tha Radios Evropa e Lirë, se te opozita ka një dakordim në lidhje me platformën ekzistuese të bisedimeve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, jo vetëm Vetëvendosje, por edhe partitë e tjera opozitare kanë dyshime të bazuara dhe kundërshtime të qëndrueshme se procesi i dialogut me Serbinë nuk mund të udhëhiqet nga presidenti Hashim Thaçi.

"Nëse flasim për datën e zgjedhjeve dhe rrëzimin e qeverisë, opozita është e ndarë në mënyre të prerë nga pushteti, po nëse e keni për dialogun me Serbinë, unë mendoj se situata është edhe më e favorshme në anën e opozitës, për arsye se unë mendoj se edhe në mesin e deputeteve të shumicës ka, le të themi numra përtej opozitës, që janë të interesuar që Hashim Thaçi të mos jetë në krye të dialogut me Serbinë. Dhe, numrat këtu unë i shoh shumë më optimist në dialogun më Serbinë se sa për rrëzimin e qeverisë dhe shkuarjes në zgjedhje të reja", tha Konjufca.

Kurse, Salili Salihu, deputet nga Partia Socialdemokrate, thekson se opozita në Kuvendin e Kosovës duhet të jetë më unike në shumë çështje. Me theks të veçantë, thotë ai, duhet të ketë bashkëpunim opozitar për procesin politik mes Kosovës dhe Serbisë.

"Unë mendoj që të gjitha partitë opozitare ta bëjnë një strategji dhe thjesht të mos lihet dialogu në duart e presidentit, por përgjegjësinë për dialogun, ta marrë dhe ta montojë Kuvendi i Kosovës. Këtu kanë përgjegjësi jo vetëm partitë opozitare por edhe partitë në pushtet. Duket se të gjithë janë të interesuar se janë për unitet. Mendoj se të partitë opozitare ka vullnet, që të gjithë të bëhen së bashku, ndërsa partitë të pushtet nuk e di”, tha Salihu.

Në disa raste, opozita deklarativisht kishte kërkuar edhe zgjedhje të parakohshme, si dhe ishte përmendur ngitja e mocionit të mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës.

Por, shkuarja në zgjedhje të shpejta, besohet se nuk i konvenon as opozitës, e cila nuk ka arritur të konsolidohet ende, pavarësisht se koalicioni qeverisës e ka humbur shumicën që nga dalja e Listës Serbe në opozitë.

Mbijetesa e Qeverisë, nuk po shihet problem sa po vlerësohet problematike marrja e vendimeve dhe sigurimi i mbështetjes në Kuvend për zbatimin e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat