Haradinaj e Kurti përplasen ashpër në Kuvend

Aktuale

Haradinaj e Kurti përplasen ashpër në Kuvend

Më: 31 maj 2018 Në ora: 10:45
Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti

(E plotësuar) - Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj janë përplasur gjatë interpelancës për vendimin e Qeverisë për ndarjen e 1 milion eurove për rrymën në veri.

Kurti akuzoi Qeverinë e Haradinajt se është qeveri e pakicës, pasi ka mbetur me 52 deputetë.

Kurti: Qeveria e Haradinajt është qeveri e pakicës

“Për bindjen time të fuqishme pavarësisht premtimeve të kryeministrit aktual ato nuk do të realizohen për shkak që kryeministri Haradinaj është në një pozitë jashtëzakonisht të dobët, ka një qeveri të pakicës me 52 deputetë ku partia e kryeministrit nuk e ka as çerekun e tyre. Një kryeministër që ka një performancë kaq të dobët nuk mund të na e bashkojë Mitrovicën të na integrojë veriun e ta bëjë faturimin atje. Për të mbetur Haradinaj kryeministër duhet edhe me tutje të vazhdojë të jetë ushtrues detyre i presidentit aktual dhe Avni Arifi që e përmendi kryeministri nuk është dashur të shkojë në Bruksel, çka me lyp në Bruksel ai, duhet vlerësim mbi dialogun 2011-2017, ai vlerësim të vijë në Kuvend. pse duhet të vijë platformë e re që Thaçi të udhëheqë. Jo, jo, njëherë një dokument zyrtar të shohim se prej vitit 2011 se çka ka ndodhur me 33 marrëveshjet e nënshkruara, se ka marrëveshje të kota, zyrat e ndërlidhjeve, fusnota”, tha Kurti.

Liderit të VV-së iu kundërpërgjigj kryeministri Ramush Haradinaj.

Haradinaj: Deputetët e mi janë të konopit

“Kur i shpjegon këto, KEDS-in e ato parametrat, mu duk vetja sikur unë kur po ulna e deri po i marr vesh prej ekspertëve, boll zor. Por, për partinë, unë i kam veç 10 deputetë, po i kam të konopit që 20 vjet nuk kanë luajt ata janë, edhe 9 qofshin, kam shkuar në burg 8 vjet, jam kthyer e aty i kam gjetur. Mbaj edhe ti tutë se është mirë nëse mundesh t’i mbash, se e kupton atëherë për çfarë po flasim”, theksoi Haradinaj.

Pas kësaj serish replikoi kreu i VV-së, duke i thënë Haradinajt se dallimi mes deputetëve të partisë së tij dhe kryeministrit është se ai nuk i ka familjar.

Kurti: Deputetët e VV nuk i kam familjar

“Kryeministri është dashur të përmendë një dallim mes deputetëve tanë, se deputetët e LVV-së nuk janë familjarë dhe kushëri të mi, ky është një dallim i madh. Nuk është puna që janë të hunit e të konopit, por janë të shtëpisë. Edhe dy valë daljesh të VV-së prapë kemi me mbet më shumë se AAK-ja, a për mbështetjen në popull për atë as mos të flasim ajo dihet”, u shpreh Kurti.

Ndaj Kurtit, reagoi serish  Haradinaj i cili shpjegoj pse është në partneritet me Thaçin e Veselin.

Haradinaj: Brenda shtëpisë nuk bëj lojëra

“Vërtet, unë me Thaçin nuk kam bashkërrugëtuar politikisht gjatë, është herë e parë që jemi në një bashkëpunim qeverisës pas njëzet vjetëve, i kemi marrë përgjegjësitë për të cilat jemi dakorduar, mbesin ato përgjegjësi edhe me Thaçin, edhe me Veselin. Unë brenda shtëpisë nuk bëj lojëra, jam me Veselin dhe jam me PDK-në, të gjithëve kur ua jep dorën jam me ta, ta kam pas jep edhe ty dorën një kohë po nuk mundëm me çuar më tutje, i ndamë rrugët”, tha Haradinaj.

Por, Kurti edhe një herë doli në foltore, duke i thënë Haradinajt se po e keqpërdor opozitarizmin për t’u bërë kryeministër.

Kurti: Keqpërdore opozitarizmin

“Nuk na u ndanë rrugët, ju keni dal prej rrugës, ne kemi qenë bashkë në kundërshtim të demarkacionit Meha edhe të Zajednicës, mirëpo ju siç thotë populli u trashët te ne në opozitë dhe shkuat u thërret Veseli dhe Thaçi, ky është problemi. Ju e keqpërdorët opozitarizmin për të shkuar në Qeveri e për t’u shitur më shtrenjtë tek ata. Po mos të ishte kryeministri Haradinaj dikur në opozitë, nuk do t’i rritej vlera që ta marrin Veseli dhe Thaçi”, tha Kurti.

Haradinaj serish iu kundërpërgjigj Kurtit, duke thënë se edhe ligji për Prishtinën është socio-ekonomi.

Haradinaj: Edhe ligji për Prishtinën është socio-ekonomi

“Vizioni socio-ekonomik, tash shembull Albin, për ty e kam, nëse e marrim ligjin për Prishtinën, është një ligj i cili vendbanimet që akomodon 1/3 e popullit të Kosovës ia mundëson të zhvillohet, është socio-ekonomi edhe kjo ia jep buxhetin, ia jep disa mundësi. Pra, e bën 1/3 e popullit tanë me mundësi me të madhe, është socio-ekonomi kjo besoni, lere që i rrit disa vende të punës se edhe disa policë bëhen”, tha Haradinaj.

Por, lideri i VV-së, Albin Kurti, pati një pyetje për kryeministrin Haradinaj.

Kurti: Kam një pyetje për ty kryeministër

“Sa për atë sa jeni për socio-ekonomi tregoju deputetëve, sa metoda janë për ta llogaritur bruto produktin vendor dhe na thoni njërën nga to. Shumë e thjeshtë, një kryeministër duhet ta dijë sa metoda janë për llogaritjen e bruto produktit vendor dhe na thoni njërën prej tyre, test elementar”, tha Kurti.

Por, kryeministri Haradinaj, pati një përgjigje, mirëpo, jo sa metoda janë për llogaritjen e bruto produktit vendor.

Haradinaj: Jemi në të njëjtën klasë Albin

“Me duket në të njëjtën klasë në ekonomi jemi unë e ti, sepse jemi duke i mësuar në të njëjtën kohë shpenzimet, investimet kapitale edhe çka po ndodh pastaj, qysh i matim tash i kam mësuar si ti”, u përgjigj Haradinaj.

Kurti insistoi me pyetjet e tij për kryeministrin duke u munduar të marrë përgjigje nga ai.

Kurti: Qe, një pyetje me të lehtë

“Thashë, sa metoda janë përgjithësisht në ekonomi për llogaritjen e bruto produktit vendor dhe le të na thotë njërën prej tyre. Tash edhe një më e lehtë, s’ka nevojë të na i thotë sa metoda, por vetëm le të na e thotë sipas metodës me të lehtë që ia merr mendja atij se si llogaritet bruto produkti vendor. E është problem të jesh kryeministër e nuk dinë si llogaritet bruto produkti vendor”, tha Kurti.

Haradinaj ka një lutje për opozitën, s’ka dialog teknik, Serbia po kërkon Asociacionin, ne energjinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se dialogu teknik është ndërprerë pasi Kosova si pikë të parë e kërkon zbatimin e marrëveshjes për energji, ndërsa, Serbia dhe evropianët, pikë të parë e kanë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Haradinaj duke iu kundërpërgjigjur deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se pajtohet se nuk ka kuptim dialogu teknik nëse tema për energjinë nuk respektohet.

Haradinaj: Dialogu teknik i padobishëm pa marrëveshjen për energjinë

“Ne veç kemi arrit në këtë fazë fatkeqësisht, jo me vullneti tonë si Kosovë, ka një kohë që nuk po ndodhë dialogu teknik pikërisht për shkak  të kësaj situate, ne e kemi konsideruar të padobishme me shkuar në tavolina  ku nuk është pika e parë energjia, nuk refuzojmë tema tjera, por duhet të jetë kjo e para, në fakt pala serbe e ka riradhitë agjendën, e para është Asociacioni dhe për fat të keq edhe evropianët kështu po e konsiderojnë radhitjen, kemi ndërruar disa komunikime jo aq të këndshme me lehtësuesit e dialogut por jemi në pritje të rrjedhave të mëtejme dhe unë mendojë që parlamenti ka shumë të drejtë kur thotë që s’ka logjikë me u trajtuar temat me një radhitje kaq të gabuar dhe mos të trajtohen me seriozitetin e vet, çështja e energjisë”, theksoi Haradinaj.

Haradinaj është ndal edhe te pagesa e Qeverisë prej një milion për energjinë në veri, por nuk do të ndodhë në pafundësi, pasi sipas tij, zgjidhja do të jetë ose të arrihet marrëveshja ose Kosova të veprojë një anshëm të drejtën në treg.

Image
Ramush Haradinaj

Haradinaj arsyeton 1 milionëshin e dhënë për rrymën në veri, ka një lutje për opozitën

Platforma e miratuar nga Qeveria për fazën finale të dialogut është në duart e deputetëve dhe kryeministri Ramush Haradinaj ka lutur të gjitha partitë që të përfshihen në këtë proces.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se nuk duhet të lidhur me rolin e Presidentit dhe se kërkon nga të gjithë, edhe nga opozita, që të ulen në tavolinë dhe të flasin për fazën finale të dialogut me Serbinë.

“Ju kisha lutur që të mos rrini jashtë këtij procesi sepse pasojat do të ishin të mëdha. Ftesa ime është për të gjithë, pa hezitim, që të jemi të gjithë në tavolinë”, ka thënë kryeministri Haradinaj. 

Haradinaj arsyeton 1 milionëshin e dhënë për rrymën në veri

Deputetët e Kuvendit po mbajnë interpelancën me kryeministrin në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej një milion euro për KOSTT-in, për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike të katër komunave në veri të Kosovës.

Deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka folur në emër të LDK-së, duke thënë se autoriteti i Kosovës në veri nuk menaxhojnë me asetet e veta.

Kusari: Kosova nuk menaxhon me asetet në veri

“Sot edhe pse Kosova është një territor administrativ institucionet e Kosovës KOSTT, KEK, KEDS nuk kanë qasje në asetet e veta në veri të vendit, sot ato mirëmbahen nga punëtorët serb kosovarë, të cilët paguhen nga Eletro Privreda Srbija (EPS), apo edhe nga të hyrat që jashtëligjshëm mblidhen për inkasimin e rrymës të cilën aktualisht po e furnizon KEDS. Në mungesë të çfarëdo kontrolli zyrtarë të aso kohe, KEK-u si distributor i energjisë elektrike dhe në përgatitje të procesit të privatizimit të kompanisë së distribucionit nga këshilltar të Qeverisë dhe transaksionit KEDS-it, me kërkesë të MZHE-së së asaj kohe është kërkuar nga ZRRE-ja të llogariten humbjet në sistem nga mos pagesa e rrymës në veri dhe të njëjtat të faturohen tek të gjithë konsumatorët e qasshëm të distribucionit”, tha Kusari-Lila.

Ajo tha se më 1 dhjetor 2017, KOSTT informon krerët e shtetit se humbjet e këtij institucioni do të jenë dramatike derisa furnizimi me energji elektrike në veri do t’i kushtojë KOSTT-it, do të jetë 8.5 milionë euro për tre muajt e dimrit, bazuar në bursen e tregut në çmimin e energjisë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se të gjitha konstatimet për gjendjen në energji janë të sakta, porse ato nuk janë të tetë muajve të fundit, por të 18 vjetëve të fundit.

Mirëpo, ai tha se këtë temë e kanë vu në tavolinë dhe nuk ka kthim mbrapa në përmirësimin me energji elektrike.

Haradinaj: Kemi bërë zgjidhjen e përkohshme

“Kosova tani nuk ka kthim mbrapa përpos me gjetë daljen nga kjo gjendje, por dalja mund të merr një muaj, dy, tre, por kthim mbrapa nuk ka, nuk mund të kthehemi në gjendjen e mëhershme kur furnizohet rryma e nuk e paguan askush, atë edhe e ka gjetur Gjykata që është e padrejtë, nuk mund ta tolerojmë pa kufi edhe pagesën nga buxheti publik. Mirëpo, të lutur edhe nga palët, miqët, partnerët tanë, ata që kanë investuar në transmision, kemi bërë një zgjidhje të përkohshme për të ndarë 1 milion euro nga taksat e qytetarëve të vendit për të arritur të kohë, jo të kthimi mbrapa, por të koha kur zgjidhet”, theksoi Haradinaj.

Haradinaj shtoi se pala serbe e ka keqpërdorur këtë temë dhe po vazhdon të tolerohet nga Brukseli.

Ai shtoi se vendimin për ndarjen e 1 milionëve e ka bërë me vetëdije, por jo për të përkrahur sekserët dhe përfituesit, por për të vendosur rregull dhe për ta shtrirë autoritetin në veri, në tregun energjetik.

VV kërkon me ngulm shkarkimin e Aida Dërgutit

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka kërkuar edhe një herë dorëheqjen e Aida Dërgutit nga posti i nënkryetares, duke thënë se ajo po e mbanë këtë post në mënyrë anti kushtetuese.

Ajo theksoi se ky post i takon VV-së, pas dorëheqjes së disa deputetëve nga grupi parlamentar i VV-së, dhe formimit të grupit të deputetëve të pavarur, meqë ata kanë grupi i tretë më i madh parlamentar. Deputetja Haxhiu tha se nuk do ta përkrahin asnjë marrëveshje ndërkombëtare pa u mundësuar votimi për shkarkimin e deputetes Dërguti.

Haxhiu: Dërguti po e mban postin e nënkryetares në mënyrë anti kushtetuese

“Ne nuk mund të votojmë për këtë projektligj në qoftë se Kuvendi nuk e mundëson kuorumin lidhur me shkarkimin e nënkryetares së Kuvendit Aida Dërguti. Pra prej momentit kur disa nga deputetët e LVV-së kanë formuar një grup të ri parlamentar, Grupi i deputetëve të Pavarur, pozicioni i nënkryetarit të Kuvendit i takon VV-së. Neni 67 i Kushtetutës zgjedhja e kryearit dhe nënkryetarëve, paragrafi 3, tre nënkryetarët zgjidhen me shumicë vota nga tri grupet me të mëdha parlamentare, me dy të tretat e votave të deputetëve. Ne kemi pritur që në momentin që ka lënë grupin parlamentar të VV do t’i lë të gjitha funksionet që mbanë në kuadër të grupit parlamentar dhe pozicioni që mbanë sot Dërguti e mbanë në mënyrë jo kushtetuese”, tha Haxhiu.

Haxhiu theksoi se dikujt brenda Kryesisë së Kuvendit, madje ndoshta edhe kryetarit, po i konvenon që mos ta ketë një anëtar të VV-së në Kryesi.

Derisa kryetari i Kuvendit e ka quajtur të drejtë të grupit parlamentar nëse duan të votojë ose jo.

 Por sipas tij, kërkesa e deputetes Haxhiu nuk është në rend dite, madje ka kërkuar mos të bëjë shaka me gjëra të tilla.

Veseli: Aidë, s’e kam ditur që nuk ke qenë kurrë e VV-së si nënkryetare e Kuvendit

 “Mos ta komplikojmë situatën, lufta politike zhvillohet pikërisht këtu në Kuvend, është simpatike kjo...shkojmë drejt në votim, çështja është e vendimit të grupit parlamentar, don  të votoj, nuk don, në të njëjtën kohë kemi sot edhe atë pjesën e dytë të votimit, veq Aidë se kam ditur që nuk ke qenë kurrë e VV-së si nënkryetare, e mora vesh, se LDK thoshte nga fillimi që unë e kam krijuar Vetëvendosjen..”, tha Veseli.

Për shkak të mos pjesëmarrjes së VV-së në votim, nuk kaloj projektligji për Ratifikimin e Traktatit ndërkombëtar mes Kosovës dhe Hungarisë mbi transferimin e personave të dënuar, pasi mori vetëm 67 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Emërohen anëtarët e bordit të AKP-së (Drejtpërdrejt)

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar Propozim-vendimin e Qeverisë për emërimin e gjashtë anëtarëve të Bordit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Ky propozim ka kaluar me 46 vota, kurse 18 deputetë votuan kundër

Të gjashtë anëtërat e emëruar bordit të APK-së janë: Hasime Mazreku , Skënder Komoni, Qemajl Behrami, Ranko Djokiq,Bekim Selimaj dhe  Avni Ajdini.

Vazhdon seanca, Haradinaj në interpelancë

Kuvendi i Kosovës edhe gjatë ditës së sotme po vazhdon punimet për përfundimin e pikave të papërfunduara.

Në rend të ditës janë tri interpelanca ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj, si dhe propozimi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për shkarkimin e nënkryetares së Kuvendit, Aida Dërguti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat