Haradinaj arsyeton 1 milionëshin e dhënë për rrymën në veri

Aktuale

Haradinaj arsyeton 1 milionëshin e dhënë për rrymën në veri

Më: 31 maj 2018 Në ora: 12:06
Kuvendi i Kosovës

Deputetët e Kuvendit po mbajnë interpelancën me kryeministrin në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej një milion euro për KOSTT-in, për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike të katër komunave në veri të Kosovës.

Deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka folur në emër të LDK-së, duke thënë se autoriteti i Kosovës në veri nuk menaxhojnë me asetet e veta.

Kusari: Kosova nuk menaxhon me asetet në veri

“Sot edhe pse Kosova është një territor administrativ institucionet e Kosovës KOSTT, KEK, KEDS nuk kanë qasje në asetet e veta në veri të vendit, sot ato mirëmbahen nga punëtorët serb kosovarë, të cilët paguhen nga Eletro Privreda Srbija (EPS), apo edhe nga të hyrat që jashtëligjshëm mblidhen për inkasimin e rrymës të cilën aktualisht po e furnizon KEDS. Në mungesë të çfarëdo kontrolli zyrtarë të aso kohe, KEK-u si distributor i energjisë elektrike dhe në përgatitje të procesit të privatizimit të kompanisë së distribucionit nga këshilltar të Qeverisë dhe transaksionit KEDS-it, me kërkesë të MZHE-së së asaj kohe është kërkuar nga ZRRE-ja të llogariten humbjet në sistem nga mos pagesa e rrymës në veri dhe të njëjtat të faturohen tek të gjithë konsumatorët e qasshëm të distribucionit”, tha Kusari-Lila.

Ajo tha se më 1 dhjetor 2017, KOSTT informon krerët e shtetit se humbjet e këtij institucioni do të jenë dramatike derisa furnizimi me energji elektrike në veri do t’i kushtojë KOSTT-it, do të jetë 8.5 milionë euro për tre muajt e dimrit, bazuar në bursen e tregut në çmimin e energjisë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se të gjitha konstatimet për gjendjen në energji janë të sakta, porse ato nuk janë të tetë muajve të fundit, por të 18 vjetëve të fundit.

Mirëpo, ai tha se këtë temë e kanë vu në tavolinë dhe nuk ka kthim mbrapa në përmirësimin me energji elektrike.

Haradinaj: Kemi bërë zgjidhjen e përkohshme

“Kosova tani nuk ka kthim mbrapa përpos me gjetë daljen nga kjo gjendje, por dalja mund të merr një muaj, dy, tre, por kthim mbrapa nuk ka, nuk mund të kthehemi në gjendjen e mëhershme kur furnizohet rryma e nuk e paguan askush, atë edhe e ka gjetur Gjykata që është e padrejtë, nuk mund ta tolerojmë pa kufi edhe pagesën nga buxheti publik. Mirëpo, të lutur edhe nga palët, miqët, partnerët tanë, ata që kanë investuar në transmision, kemi bërë një zgjidhje të përkohshme për të ndarë 1 milion euro nga taksat e qytetarëve të vendit për të arritur të kohë, jo të kthimi mbrapa, por të koha kur zgjidhet”, theksoi Haradinaj.

Haradinaj shtoi se pala serbe e ka keqpërdorur këtë temë dhe po vazhdon të tolerohet nga Brukseli.

Ai shtoi se vendimin për ndarjen e 1 milionëve e ka bërë me vetëdije, por jo për të përkrahur sekserët dhe përfituesit, por për të vendosur rregull dhe për ta shtrirë autoritetin në veri, në tregun energjetik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat