Performancë pozitive në trajtimin e lëndëve të korrupsionit

Aktuale

Performancë pozitive në trajtimin e lëndëve të korrupsionit

Më: 31 maj 2018 Në ora: 12:44
Tryeza e organizuar nga Lëvizja Fol me temën “Performanca e gjyqësorit dhe prokurorisë në luftën kundër korrupsion për vitin 2017”

Ndonëse fluksi i lëndëve të reja të korrupsionit vazhdon të mbetet i lartë, performanca e prokurorive dhe gjykatave për vitin e kaluar në trajtimin e këtyre lëndëve është pozitive, kurse keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo i autoritetit zyrtar mbetet lloji më i përhapur i korrupsionit për 2017.

Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Lëvizja Fol me temën “Performanca e gjyqësorit dhe prokurorisë në luftën kundër korrupsion për vitin 2017”, ku ishin të pranishëm prokurorë dhe gjyqtarë, ku me ç’rast u prezantua edhe raporti “Përtej Numrave”.

Jeton Zulfaj nga Lëvizja Fol, duke u bazuar në këtë raport, tha se prokuroritë në vitin 2017 kanë trajtuar më shumë lëndë sesa që ka pranuar nga viti paraprak.

Zulfaj: Në vitin 2017 janë trajtuar nga prokuroria 843 lëndë

“Më 1 janar 2017 kanë qenë të pazgjidhura 1177 lëndë.  Lëndë të pazgjidhura me 1 janar kanë qenë 1177 të cilat konsiderohen si lëndë të bartura nga viti 2016 për prokurorit, lëndë të reja të cilat kanë ardhur gjatë vitit kanë qenë 622 lëndë. Matja për prokurori  bëhet me persona kështu që këta 622 janë 622 persona ndaj të cilëve ka pasur kallëzime penale për korrupsion. Janë trajtuar nga prokuroritë gjatë vitit 2017 843 persona, duke u bartur për vitin 2018 pra për këtë vit 956 persona”, tha ai.

Sipas këtij raporti për vitin 2017 bazuar në numrin e lëndëve të trajtuara prokuroria e Mitrovicës  ka treguar një performancë pozitive, kurse ajo e Prizrenit ka treguar performancë negative. Zulfaj po ashtu u shpreh se edhe gjykatat kanë treguar progres në trajtimin e lëndëve të korrupsionit.

Zulfaj: Në vitin 2018 gjykatat kanë trajtuar 254 lëndë

“Më 1 janar 2017 janë raportuar 355 lëndë, janë pranuar gjatë vitit 2017 223 lëndë të korrupsionit duke e bërë numrin total të lëndëve në punë 578, janë zgjedhur 254 dhe janë bartur 324 edhe këtu shohim një trend pozitiv të zgjidhjeve sepse janë pranuar 223 ndërsa janë trajtuar më shumë se sa që janë pranuare gjatë vitit kalendarik. Norma e zgjidhjes del më e vogël se e prokurorisë është 114 për qind që është normë pozitive”, tha ai.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj u shpreh se për të tretin vit me radhë trendi i zgjidhjes së lëndëve është pozitiv dhe atë mbi 25 për qind.

Isufaj: kemi bërë përparime të dukshme dhe kemi rritur buxhetin

“Për vite me radhë jemi ballafaquar me numër në rritje të lëndëve dhe me numër të vogël çoftë të prokurorëve, çoftë të gjyqtarëve. Megjithatë që nga koha kur gjyqësori u administruar nga faktori ndërkombëtar deri në ditët e sotme janë bërë përparime të dukshme dhe padyshim mund të theksojmë se ka një avancim gradual dhe shumëdimensional. Nuk ka asnjë dilemë se ne kemi avancuar sistemi e planifikimit duke punuar si ekip kemi rritur buxhetin përmes një planifikimi më të mirë, dhe një shpenzimi më efektiv dhe ky ka qenë argumenti kryesor që për vitin 2018 të miratohet ligji ku sistemit prokuroria i aprovohen 148 pozita  shtesë vetëm për personel administrativ”, tha Isufaj.

Ndërsa, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi ka treguar përpjekjet e këtij institucioni në luftimin e korrupsionit, të cilat kanë pasur impakt edhe në perfomancën e tyre.

Idrizi: Kemi hartuar grupe punuese për lëndët e korrupsionit

“Si fillim, kishim themeluar grupin punues dhe kemi hartuar planin e veprimit për lëndët e korrupsionit, grupi punues që ka të bëjë shenjëstrimin, monitorimin dhe raportimin mbi statusin e lëndëve të korrupsionit të nivelit të lartë i ashtuquajturi mekanizmi përcjellës si dhe kishim krijuar grupin punues për lëndët e korrupsionit në përbërje të gjyqtarëve. Të dyja këto mekanizma i shërbejnë KGJK-së dhe gjykatave për të përmirësuar politikë bërjen dhe ofrojnë rekomandime të politikave në luftën kundër korrupsionit”, tha Idrizi.

Në bazë të raportit “Përtej Numrave” të publikuar nga Lëvizja Fol, Gjykata Themelore në Prishtinë ka ngritur performancën nga 93 për qind në vitin 2016, në 120 për qind në vitin 2017, ndonëse kjo komunë ka  qenë vendi që ka numrin më të madh të lëndëve të raportuara dhe të bartura nga viti i kaluar.

Gjykata Themelore në Gjakovë ka treguar performancën më të ulët nga 315 sa ka qenë vitin e kaluar, në 94 për qind në vitin 2017.

Ndryshe, ky është edicioni i dytë që Lëvizja fol ka publikuar një raport, i cili  pasqyron performancën e gjyqësorit dhe prokurorisë në luftën kundër korrupsion.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat