Interpelanca për Contour Global, Haradinaj përplaset edhe me Sejdiun e Aliun

Aktuale

Interpelanca për Contour Global, Haradinaj përplaset edhe me Sejdiun e Aliun

Më: 31 maj 2018 Në ora: 15:29
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Kuvendi i Kosovës ka përfunduar sot interpelancën me kryeministrin e Kosovës, Harmush Haradinaj, në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes komerciale ndërmjet kompanisë "Contour Global" dhe Qeverisë së Kosovës për projektin e Termocentralit "Kosova e Re".

Haradinaj do të ketë serish nesër një interpelancë tjetër, e kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Seance fillon në ora 13:00.

***

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi sot se projekti për termocentralin Kosova e Re siguron stabilitet energjetik në vend.

Ai gjatë interpelancës në Kuvendin e Ksoovës tha se e kupton që nuk është një kontratë e lehtë me kompaninë amerikane “Contour Global”, pasi ka edhe obligime serioze.

Haradinaj: Kosova e re siguron stabilitet energjetik

“Nëse po flasim për disa sekserë të energjisë, ata të gjithë kanë dëshirë me importuar, s’besoj që edhe t’i bënë pjesë nga ta, se po lakmon veç për të blerë. Po thoni se çmimi i importit është i mirë. Të gjithë po na thoni se nuk po i mbjellim arën tonë, sepse me blerë diku më larg është më lirë, e po atëherë çka po i bëjmë ne këtij qymyri, kësaj energjie. Unë e kuptoj se kjo nuk është një marrëdhënie e lehtë, kemi hyrë në obligime serioze, investitori është serioz, projekti është i madh, i ka implikimet e veta si çdo projekt që ndodh, mirëpo nuk qëndron që ky projekt së pari e rrezikon. Ky projekt siguron stabilitet energjetik, pavarësi energjetike, edhe politike ndoshta nesër”, ka thënë Haradinaj.

Duke iu referuar propozuesit të interpelancës, ai tha se deri dje deputetët e LVV-së kanë kërkuar që të mos blihen dhe konsumohen produktet e Serbisë, ndërsa sot po kërkojnë të mos ndërtohet termocentrali “Kosova e Re”, por të blihet energji elektrike nga Serbia.

Haradinaj: Sot jeni duke thënë mos investo, të blejmë energji

“Nëse se prodhojmë ne, a e dini ku e blejmë, ju që po e kundërshtoni këtë. A e dini ku blejmë ne energji? Shqipëria e ngratë nuk ka me na shitë besoj e dini. Andaj, ku e blejmë bre çika e djem, ne bash kështu po flasim shqip? Ju e dini ku e blejmë dhe kujt po i hapim vende të punës dhe kujt po ia dërgojmë paren tonë. Ju deri dje keni thënë t’i ndalim prodhimet e Serbisë. A keni thënë? Sot jeni ka thoni mos investo të blemë prej tij (Serbisë) energji. Çka ndodhi vëlla me juve që po i ndërroni pozicionet kështu. Unë habitem me qëndrimin e juaj”, tha Haradinaj. 

Deputeti i LVV-së, Liburn Aliu, ka reaguar duke thënë se LVV nuk është kundër ndërtimit të kapaciteteve të reja, por janë kundër kontratës së përbërë me “Contour Global”.

Aliu: Nuk jemi për të mos ndërtuar kapacitete të reja

“Vetëvendosja po thotë të ndalet ndërtimi dhe të vazhdojmë me import, këtë po e thoni ju, atë nuk e themi ne. ne themi që po, duhet të ndërtojmë kapacitete të reja, këtu jemi dakord. Ama jo me këtë kontratë”, theksoi Aliu

Deputeti i LDK-së Lumir Abdixhiku duke folur për projektin madhor energjetik tha se Kosova e Re ka implikime energjetike, por mbi të gjitha edhe financiare. Ai shprehet i befasuar pse Kosova duhet me i garantuar kredinë e firmës private, si një shtet.

Abdixhiku: Kosova e re meriton konsensus shoqëror

“Meriton vëmendje shumë më tepër profesionale se sa ballafaqime partiake dhe mbi të gjitha ky projekt meriton konsensus shoqëror. Pa këtë konsensus, pa dy të tretat e këtij parlamenti ky projekt nuk mund të jetësohet asnjë herë. Çështja e parë rreth të cilës ne duhet të pajtohemi është se sigurimi i energjisë elektrike është prioritet nacional i Kosovës. Pra, në piramidën e interesave energjetike të vendit, të secilit vend, e para qëndron pavarësia e një shteti në furnizimin energjetik. Shtetet nuk mund të varen nga shtetet tjera në sigurimin e energjisë bazë. Së këndejmi, Kosova duhet të jetë e pavarur në sigurimin e energjisë elektrike dhe kjo sigurohet veç me një rrugë, me prodhim të energjisë, jo me import, jo me huazim, veç me prodhim”, tha Abdixhiku.

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së Memli Krasniqi tha se përmbyllja e marrëveshjeve komerciale për ndërtimin e TC Kosova e Re, është një nga hapat shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës.

Krasniqi: Energjia, kusht i pashmangshëm për të ardhmen ekonomike

“Energjia është kusht i pashmangshëm për të ardhmen ekonomike, por edhe politike social të vendit. Arritja e kësaj marrëveshje është rezultat i punës shumëvjeçare të qeverive të Kosovës, ministrave dhe ish- ministrave, duke përfshirë institucione të shumta ndërkombëtare që arritën t’i sigurojnë vendit një të ardhme të sigurt energjetike me këtë projekt”, ka thënë Krasniqi. 

Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate, tha se tash Kosova është para një realiteti, që ka një kontratë për të cilën Qeveria e Kosovës dhe Nisma e ka mbështetur. Sipas tij, do të prodhohet aq shumë me Kosovën e Re, saqë nuk ka Kosova ku ta shesë.

Debati për projektin energjetik “Kosova e Re” është duke vazhduar ende në Kuvendin e Kosovës.

***

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj i ka replikuar deputetit të Vetëvendosjes, Liburn Aliut duke i thënë se nuk krahasohet ‘Contour Global’ me ‘Zajednicën’.

“Nuk na takon ne shqiptarëve me krahasu Contour Global me Zajednicën, je gabim shumë kësaj ja shohim sherrin te tonë. Këto gabime na kanë lon pa i arrit qëllimet nuk ka drejtë kërkush me bo këtë krahasim, analizoni pak. Unë e di që e do këtë vend edhe ti, kejt jeni ka folni të pavërteta. Nuk ka të drejtë askush në këtë kuvend që të thotë se investimi në Contour Global është si Zajednica e të bëhet thirrje për me rrëzu”, ka thënë Haradinaj.

Tutje ai ka theksuar se është më mirë që energjia të prodhohet në vend.

“Energjinë që nuk e prodhojmë na nuk e ki me 35 euro ma mirë me ble tonden edhe me prodhu këtu. Nëse se keni marrë vesh s’kam çka me ju bo, kjo është krejt diçka tjetër. Contour Global është ‘tomahawk’. Jemi të rrezikum qato që e marim të lirë nuk e kemi të garantuar atë që po e blejmë jem tu e ble ka 80 euro”, është shprehur kryeministri.

Haradinaj ka thënë se njerëzit e kësaj kompanie janë tejet serioz sa i përket kësaj çështje.

Kryeministri iu ka drejtuar opozitës duke i thënë se mund ta rrëzojnë qeverinë por së pari duhet t’i kenë numrat.

‘Kosova e Re shtrenjton rrymën, kostoja e ndërtimit do të jetë 4.5 miliardë euro’

Ndërtimi i termocentralit Kosova e Re ishte pikë e nxehtë e debatit parlamentar ndërmjet kryeministrit Ramush Haradinaj dhe deputetit të PSD-së Dardan Sejdiu.

Në vazhdimin e seancës u mbajt interpelanca e kryeministrit Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate, në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes për projektin e termocentralit "Kosova e Re".

Propozuesi i interpelancës Dardan Sejdiu nga PSD, ka thënë se oferta për Kosovën e Re ka sjell kompaninë “Contur Global” si pjesë e dytë e një konsorcium që ka aplikuar.

Sipas tij, termocentrali i ri po ndërtohet pa vlerësim të ndikimit në mjedis apo analizën e ndikimit social. Ai ka shtuar se kontrata e nënshkruar ka 8 marrëveshje, të gjitha në gjuhën angleze që ende nuk janë përkthyer, ndonëse marrëveshja është nënshkruar në dhjetor 2017.

Ai tha se kostoja e synuar e këtij termocentrali është 1.3 miliard euro, ndërsa çelësi me të cilin do të ndërtohet ky termocentral është 70 për qind kredi, 30 për qind ekuitet. Me këtë ai tha se kësaj kompanie i garantohet kthim i brendshëm i ekuitetit në vlerë prej 18.5 për qind.

Sejdiu tërhoqi vërejtjen se me këtë ekuitet kostoja e ndërtimit fillimisht nuk do të jetë 1.3 miliard euro, por shumë më tepër. Po ashtu sipas tij, ndërtimi i këtij termocentrali do të ketë implikime negative të çmimit të energjisë.

Sejdiu: Kostoja e përgjithshme do të jetë 4.5 miliardë euro

“Qeveria do t’i ketë dy mundësi, dallimin në çmim, prej diku 35 euro për megavat orë që ia garantojmë “Contour Global” dhe çmimit të tregut, ose në buxhet në faturë, sepse s’ka ku tjetër. Pra, ose faturat do të ngritën për 60 për qind ose qeveria nga buxheti i taksave do t’i paguajë… Përvec këtyre, përkrahja shtetërore në lirimin e Contour Global nga TVSh, dogana, falja e tokës për ndërtim, marrëveshja për furnizim me thëngjill, marrëveshja për cilësi të ujit, të gjitha këto janë barrë dhe rreziqe publike. Ne kemi nënshkruar marrëveshje të këtillë. I garantojmë çmim prej 80 euro në megavat orë, garantojmë thëngjill për 20 vjet të një cilësie të caktuar, i garantojmë që ne do t’ia hapim mihjen dhe kjo ka kosto prej 300 milionë euro dhe krejt kjo përkthehet në fund me një kosto prej mbi 4.5 miliardë euro për 450 megavat energji elektrike”, ka thënë Sejdiu.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj Sejdiut duke thënë se ka shumë gjëra të pasakta dhe të pavërteta nga prezantimi i deputetit për Kosovën Re.

Haradinaj: Janë të pavërteta ato që i tha Sejdiu

“Me thënë të drejtën, ka shumë të pasakta dhe të pavërteta në prezantimin e juaj. P.sh, po ju marr do elemente shumë të thjeshta. Ju po thoni ne ju sigurojmë ujë dhe qymyr, veç po ju pyes juve, a ia falim, a ia shesim si Kosovë? Çdo produkt në treg, çka të blejsh, p.sh., ky ujë i ka do parametra kur ta qitësh në treg. Ne shesim produkt tonin dikujt në Kosovë, edhe marrim para si Kosovë. Shesim qymyr, marrim tantiemë prej qymyrit dhe ujit. Nëse ky është problem se duhet me ia garantuar, atëherë edhe prodhuesi i ujit ose kushdo qoftë, edhe ai e ka dhënë një parametër për treg. Tjetër, ju po thoni me i ndal këta e me ia nis me njëfarë projekti shoqëror. A nuk pe sheh që kemi dështuar me këso farë organizatash shoqërore të menaxhimit publik deri në fund, deri në pus. Edhe ku po i gjen ti ata kapacitete apo njerëz profesionalë që ne me ndërtuar termocentrale”, ka thënë Haradinaj.

***

Po mbahet interpelanca e kryeministrit Ramush Haradinaj, për Contour Global.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat