Haradinaj: Kosova e Re siguron stabilitet energjetik ose të blihet energji nga Serbia

Aktuale

Haradinaj: Kosova e Re siguron stabilitet energjetik ose të blihet energji nga Serbia

Më: 31 maj 2018 Në ora: 18:07
Kuvendi i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi sot se projekti për termocentralin Kosova e Re siguron stabilitet energjetik në vend.

Ai gjatë interpelancës në Kuvendin e Ksoovës tha se e kupton që nuk është një kontratë e lehtë me kompaninë amerikane “Contour Global”, pasi ka edhe obligime serioze.

Haradinaj: Kosova e re siguron stabilitet energjetik

“Nëse po flasim për disa sekserë të energjisë, ata të gjithë kanë dëshirë me importuar, s’besoj që edhe t’i bënë pjesë nga ta, se po lakmon veç për të blerë. Po thoni se çmimi i importit është i mirë. Të gjithë po na thoni se nuk po i mbjellim arën tonë, sepse me blerë diku më larg është më lirë, e po atëherë çka po i bëjmë ne këtij qymyri, kësaj energjie. Unë e kuptoj se kjo nuk është një marrëdhënie e lehtë, kemi hyrë në obligime serioze, investitori është serioz, projekti është i madh, i ka implikimet e veta si çdo projekt që ndodh, mirëpo nuk qëndron që ky projekt së pari e rrezikon. Ky projekt siguron stabilitet energjetik, pavarësi energjetike, edhe politike ndoshta nesër”, ka thënë Haradinaj.

Duke iu referuar propozuesit të interpelancës, ai tha se deri dje deputetët e LVV-së kanë kërkuar që të mos blihen dhe konsumohen produktet e Serbisë, ndërsa sot po kërkojnë të mos ndërtohet termocentrali “Kosova e Re”, por të blihet energji elektrike nga Serbia.

Haradinaj: Sot jeni duke thënë mos investo, të blejmë energji

“Nëse se prodhojmë ne, a e dini ku e blejmë, ju që po e kundërshtoni këtë. A e dini ku blejmë ne energji? Shqipëria e ngratë nuk ka me na shitë besoj e dini. Andaj, ku e blejmë bre çika e djem, ne bash kështu po flasim shqip? Ju e dini ku e blejmë dhe kujt po i hapim vende të punës dhe kujt po ia dërgojmë paren tonë. Ju deri dje keni thënë t’i ndalim prodhimet e Serbisë. A keni thënë? Sot jeni ka thoni mos investo të blemë prej tij (Serbisë) energji. Çka ndodhi vëlla me juve që po i ndërroni pozicionet kështu. Unë habitem me qëndrimin e juaj”, tha Haradinaj. 

Deputeti i LVV-së, Liburn Aliu, ka reaguar duke thënë se LVV nuk është kundër ndërtimit të kapaciteteve të reja, por janë kundër kontratës së përbërë me “Contour Global”.

Aliu: Nuk jemi për të mos ndërtuar kapacitete të reja

“Vetëvendosja po thotë të ndalet ndërtimi dhe të vazhdojmë me import, këtë po e thoni ju, atë nuk e themi ne. ne themi që po, duhet të ndërtojmë kapacitete të reja, këtu jemi dakord. Ama jo me këtë kontratë”, theksoi Aliu

Deputeti i LDK-së Lumir Abdixhiku duke folur për projektin madhor energjetik tha se Kosova e Re ka implikime energjetike, por mbi të gjitha edhe financiare. Ai shprehet i befasuar pse Kosova duhet me i garantuar kredinë e firmës private, si një shtet.

Abdixhiku: Kosova e re meriton konsensus shoqëror

“Meriton vëmendje shumë më tepër profesionale se sa ballafaqime partiake dhe mbi të gjitha ky projekt meriton konsensus shoqëror. Pa këtë konsensus, pa dy të tretat e këtij parlamenti ky projekt nuk mund të jetësohet asnjë herë. Çështja e parë rreth të cilës ne duhet të pajtohemi është se sigurimi i energjisë elektrike është prioritet nacional i Kosovës. Pra, në piramidën e interesave energjetike të vendit, të secilit vend, e para qëndron pavarësia e një shteti në furnizimin energjetik. Shtetet nuk mund të varen nga shtetet tjera në sigurimin e energjisë bazë. Së këndejmi, Kosova duhet të jetë e pavarur në sigurimin e energjisë elektrike dhe kjo sigurohet veç me një rrugë, me prodhim të energjisë, jo me import, jo me huazim, veç me prodhim”, tha Abdixhiku.

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së Memli Krasniqi tha se përmbyllja e marrëveshjeve komerciale për ndërtimin e TC Kosova e Re, është një nga hapat shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës.

Krasniqi: Energjia, kusht i pashmangshëm për të ardhmen ekonomike

“Energjia është kusht i pashmangshëm për të ardhmen ekonomike, por edhe politike social të vendit. Arritja e kësaj marrëveshje është rezultat i punës shumëvjeçare të qeverive të Kosovës, ministrave dhe ish- ministrave, duke përfshirë institucione të shumta ndërkombëtare që arritën t’i sigurojnë vendit një të ardhme të sigurt energjetike me këtë projekt”, ka thënë Krasniqi. 

Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate, tha se tash Kosova është para një realiteti, që ka një kontratë për të cilën Qeveria e Kosovës dhe Nisma e ka mbështetur. Sipas tij, do të prodhohet aq shumë me Kosovën e Re, saqë nuk ka Kosova ku ta shesë.

Debati për projektin energjetik “Kosova e Re” është duke vazhduar ende në Kuvendin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat