Vetëvendosje i shkarkon Shpend Ahmetit një zyrtar

Aktuale

Vetëvendosje i shkarkon Shpend Ahmetit një zyrtar

Më: 31 maj 2018 Në ora: 19:20
Mbledhja e Kuvendit komunal të Prishtinës

Pas disa orësh debat, Kuvendi Komunal në Prishtinë ka shkarkuar Qëndrim Sahitin nga Partia Socialdemokrate, aksionar në Ndërmarrjen Publike Banesore.

Për të ndodhur votimi pro ose kundër shkarkimit të tij, u desh të pritej për më shumë se 45 minuta, derisa asambleistja Elmira Nikçi-Rexha të vinte në mbledhje për të votuar, pasi që nuk kishte kuorum, meqenëse PSD-ja së bashku me partnerët e tjerë të koalicionit kishin lëshuar mbledhjen. 

Ndërsa deri tek momenti i votimit pati shumë debat e polemika. Nuk munguan as thumbimet nga dy taborët, Partia Socialdemokrate dhe Vetëvendosje.

Më i zëshmi për shkarkimin e Qëndrim Sahitit ishte asamblisti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi, i cili tha se qeverisja aktuale në Komunën e Prishtinës po synon t’i kapë ndërmarrjet publike. Derisa kërkesën e tij e argumentoi me gjetjet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, e cila kishte deklaruar se i lartpërmenduri, Qëndrim Sahiti, kishte bërë shkelje ligjore me rastin e emërimit të bordit të përkohshëm të kësaj ndërmarrjeje.

Ai akuzoi të parin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, se përkundër asaj se ndërmarrjet publike kanë pasur menaxhim shumë të mirë, pas largimit të tij nga VV, ka ndërruar menaxhmentin e këtyre ndërmarrjeve pa pasur ndonjë arsye.

Azemi: Kërkoj shkarkimin e Qëndrim Sahitit

“Në përpjekje për të mos u dukur si të varfër, në përpjekje për të mos u dukur si të deshur, po krijohen komplekse te shumë politikanë, të cilët për interesa të ngushta po harrojnë gjithçka. Andaj e kemi obligim që t’i tregojmë z. Ahmeti që nuk mund të luajë me ndërmarrjet publike. Andaj propozoj që të shkarkojmë anëtarin e zgjedhur nga Kuvendi Komunal, aksionarin, Qëndrim Sahiti. Kjo përveç se do të ishte e mirë për NPM-në, do të ishte e mirë edhe për vet Qëndrimin. Shpendi u distancua nga përgjegjësia e tij. Gajlet për postin e kryetarit të partisë nuk e kanë lënë rehat. Madje kur flet për këto probleme, vetëm arsyetohet”, tha ai.

I menjëhershëm ishte reagimi i taborit tjetër, asamblistëve që përkrahin Shpend Ahmetin.

Kështu Nol Nushi, tha se pjesë e qeverisjes në NPB janë edhe tre drejtorë që vijë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe veç kësaj, theksoi Nushi, sikur të kishin dashur t’i ‘kapin’ ndërmarrjet publike, nuk do ta kishin ftuar ambasadën e Britanisë së Bashkuar për të monitoruar garën për drejtues dhe bord të ndërmarrjeve.

Nushi: E kuptoj që është zor me i kontrollu disa persona aty

“Unë e kisha pyet secilin personalisht, se a mendojnë që kjo qeverisje është duke i kapur ndërmarrjet publike? Nëse po, pse po rrinë drejtorë? Qysh bëhesh pjesë e një qeverisjeje që synon me i kap ndërmarrjet publike. Pse po rrinë aty kur duanë me i kap ndërmarrjet publike? Ju kisha drejtuar shumë miqësisht koordinatorit Arben Vitija, kemi diskutuar për këtë lloj të gjuhës. Edhe ti drejtor je shfaq që nuk i ke në kontroll. E kuptoj që është zor me i kontrollu disa persona të tillë dhe nuk di a duhet me i kontrollu. Po për këso gjuhe nuk i ka hije, se jemi pjesë e qeverisjes, me qenë në opozitë i kuptoj”, reagoi Nushi.

Nushi tha se Ministria i ka kthyer vendimet si të parregullta, ndërsa shtoi se shkelja nuk ka pasur efekt juridik, ka qenë një gabim që është rregulluar.

Shefki Gashi nga LDK-ja tha se mandatin e kaluar disa ndërmarrje janë menaxhuar më mirë. Derisa pati një mesazh për asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke i thirrur ata “të ndajnë shapin prej sheqerit”.

Gashi: Nuk bëhemi me ata që janë në pushtet e luajnë rolin e opozitës

"Ne si LDK do ta kemi një qëndrim. Ndoshta grupi do të më kritikojë edhe mua që jam i sinqertë, po me ata që janë në pushtet dhe duan me bë pushtet në opozitë, nuk bëhemi. Ose dilni opozitë, bëhuni me neve dhe i hyjmë rend ndërmarrjeve, ose në mënyrë selektive këtu nuk ka. Nuk jemi këtu për kusuritje. Doni me dalë në opozitë, hajdeni ne jemi të gatshëm, i ndajmë ndërmarrjet”, u shpreh ai.

Egzon Azemi këtu pati një kundër-replikë, ku tha se çuditet me pazaret publike të asamblistit Shefki Gashi, për të cilin tha se bëri thirrje për të hyrë në koalicion për të ndarë ndërmarrjet.

E krejt këto akuza mes PSD-së dhe VV-së, si duket e shqetësuan asamblistin e PDK-së, Blerand Stavileci, i cili tha se të dyja këto po tregoheshin të pasinqerta.

Stavileci: Këta i kanë në qejf konfliktet fizike

“Unë po mendoj me i marrë këto dy grupet këtej, me e vazhduar ne këndej seancën. E këto dy grupet tjera me e vazhdu një seancë tjetër. Sepse drejtorët po thonë po e bllokoni. Tash mandatin e kaluar i akuzonin tjerët që po e bllokojnë, tash këtu nuk ka sinqeritet as në këto kërkesa. Unë po e kuptoj paligjshmërinë e ato, por ka organe që i përcjellin. Ta ndajmë në dy, për shkak se ndërmarrjet publike nuk duhet të identifikohen me një person, edhe te këto që këta vet i kanë vendos emërtimet kapja-çkapja, munden me e bë vet, por neve mos me na mundu dhe maltretu, që as këta mos me i lënë me kapërcy në natyra tjera, kanë qejf edhe konflikte fizike, lë të votohet”, theksoi ai.

Tutje, Stavileci shtoi se askujt nuk i intereson se çka ka ndodhur në aksin VV-PSD. Derisa tha se nëse kanë për të qëruar hesape, le t'i qërojnë mes vete.

Dren Kukaj, aksionar NPB, tha se nuk do të përgjigjet në gjuhën e asamblistëve të VV-së, duke aluduar në kërkesën e Egzon Azemit.

Kukaj: Si erdh VV në këtë gjendje të mbrojë një veprim të tillë

“Ne si aksionarë të NPB, prej momentit kur jemi emëruar si të tillë, na është pamundësuar qasja në atë ndërmarrje. Ajo ndërmarrje nuk ka bord të drejtorëve, nuk ka shef ekzekutiv, mirëpo aty qëndron një njeri. Po i kuptoj, sepse paga është prej 1 mijë e 700 euro, mirëpo e kam të vështirë ta kuptoj se si një organizatë si Vetëvendosje vjen në këtë gjendje e të mbrojë këso lloj veprimesh. Ajo çfarë ne kemi bërë është që kemi emëruar një bord të përkohshëm, sepse nuk kishte bord”, shpjegoi Kukaj.

Ndryshe, për të gjetur një zgjidhje për votimin ose jo për shkarkimin e aksionarit Qëndrim Spahiu, u desh të paraqitej edhe përfaqësuesi i Zyrës Ligjore, Fatos Dibra, i cili tha se një votim i tillë jashtë rendit të ditës është jashtë rregullave, sepse kur është kërkuar si pikë e rendit të ditës ka qenë “diskutim për ndërmarrjet publike”.

Ndërsa gjatë debatit pati një mori pyetjesh drejtuar kryetarit aktual të kryeqytetit, Shpend Ahmetit, e që vinin kryesisht nga asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje, subjekti të cilit i përkiste edhe vet Ahmeti më parë.

Kështu Egzon Azemi pati një pyetje thumbuese, ku pyeti nëse mund të huazojë veturën e të parit të Prishtinës, për t’i kryer disa punë personale, njëjtë sikurse kishte bërë deputeti Dardan Sejdiu.

Në anën tjetër asambleisti Rifat Deri nga ALT, kërkoi që të bëhet rishqyrtimi i emrave të rrugëve, pasi që siç tha ai është e pakuptimtë që një rrugë të emërohet si “Qorr Ilazi” qysh edhe ka ndodhur sipas tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat