Ushtarët serbë në kufi, Qeveria dhe policia heshtin

Aktuale

Ushtarët serbë në kufi, Qeveria dhe policia heshtin

Më: 3 qershor 2018 Në ora: 22:19
Qeveria

Qeveria e Kosovës dhe Policia e Kosovës nuk janë prononcuar lidhur me raportimin se ushtarë serbë janë duke qëndruar në pikën kufitare në Jarinjë.

KosovaPress duke iu referuar burimeve të veta më herët ka raportuar se në pikën kufitare në Jarinje janë vërejtur ushtarë të Serbisë, gjë e cila ka befasuar Policinë Kufitare të Kosovës, pasi është hera e parë që ata janë parë në një zonë në tillë që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, kontaktuar përmes telefonit  lidhur me rastin, pas sqarimit dhe kërkesës që të konsultohet për përgjigje lidhur me rastin, ajo nuk e ka hapur telefonin më vonë.

KosovaPress ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës, por asnjëri nga zyrtarët e saj të kontaktuar në Prishtinë dhe Mitrovicë nuk e kanë hapur telefonin.

Ndryshe, forca të armatosura të Ushtrisë së Serbisë së bashku me pjesëtarë të xhandarmerisë serbe janë vendosur që nga mëngjesi i sotëm në pikën kufitare në Jarinje, bëjnë të ditur burimet.

Sipas këtyre burimeve, ata janë dislokuar në Rudnicë, që ndodhet pak metra nga Jarinja në drejtim të Serbisë dhe janë duke kontrolluar të gjitha hyrje-daljet e personave dhe automjeteve, të cilat qarkullojnë Kosovë-Serbi dhe anasjelltas.

Po sipas këtyre burimeve, është hera e parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës që ushtarët serbë dhe të armatosur shihen në këtë vend.

“Ushtarë të Serbisë nuk janë parë ndonjëherë afër kufirit prej krijimit të Kosovës shtet i pavarur, dhe prezenca e tyre ka befasuar edhe policët kufitarë të Kosovës. Nuk dihet qëllimi i prezencës së ushtarëve të armatosur serbë sot afër kufirit”, kanë thënë burimet. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat