Thaçi, ‘pengesë’ për konsensus

Aktuale

Thaçi, ‘pengesë’ për konsensus

Më: 4 qershor 2018 Në ora: 18:16
Hashim Thaçi

Mungesa e një konsensusi të spektrit politik të Kosovës për t’iu qasur fazës së fundit të dialogut politik me Serbinë, do ta dëmtonte jashtëzakonisht shumë pozitën e Kosovës në këtë dialog, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Së fundmi, partia më e madhe opozitare në Kuvendin e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se do ta refuzojë votimin e projekt-platformës së Qeverisë së Kosovës për fazën finale të dialogut politik me Serbinë, në të cilën përveç tjerash është paraparë që ekipin e Kosovës në këtë proces ta udhëheqë presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Ilir Ibrahimi, analist i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se kompetencat kushtetuese ia mundësojnë presidentit Thaçi të jetë drejtues i ekipit të Kosovës në dialogun me Serbinë. Por, sipas tij, në rastin e dialogut nuk bëhet fjalë vetëm për zbatimin e obligimeve kushtetuese, për shkak se dialogu me Serbinë është çështje me interes të nivelit të lartë shtetëror, e cila kërkon pjesëmarrjen e të gjithë spektrit politik dhe ndërtimin e një konsensusi.

“Në këtë rast, kemi parë këtë reagim të LDK-së, e cila nuk e ka pranuar platformën. Konsensusi duhet të ndërtohet jo vetëm sa për të thënë që kemi konsensus, por që të jetë pjesëmarrëse edhe në zhvillimin e kësaj platforme. Ne kemi parë që Qeveria e ka përgatitur këtë platformë dhe e ka dërguar në Kuvend dhe ndoshta do të ishte shumë më mirë që edhe partitë tjera politike, të cilat pritet të bëhen pjesë e këtij grupi që do ta ndërtonte konsensusin, të ishin edhe pjesë e ndërtimin të platformës, e cila do të shfrytëzohej për dialogun”, tha Ibrahimi.

Analisti tjetër i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë thotë se kundërshtimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës që presidenti Thaçi ta udhëheqë ekipin e Kosovës në dialog, deri diku është i kuptueshëm. Por, sipas tij, në qëndrimin e LDK-së, mungon ofrimi i një alternative.

“Nëse një parti politike me rëndësi të madhe, siç është LDK-ja, e kundërshton Thaçin, atëherë duhet të japë një alternativë se kush është personaliteti tjetër politik , i cili mund të jetë i pranueshëm për spektrin politik kosovar, që ta udhëheqë fazën finale të bisedimeve. Më duket se po përsëritet skenari i viteve të kaluara, ku refuzimet janë apriori dhe në fakt, lidhen më shumë me figurën politike të një individi sesa me realitetin kompleks dhe politik”, thekson Muhaxhiri.

Analisti Ibrahimi, megjithatë, thotë se në qoftë se partia kryesore opozitare, në këtë rast LDK-ja, nuk do të jetë pjesa që do ta ndërtonte një konsensus të spektrit politik për dialogun, atëherë do të jetë shumë e vështirë që Kosova ta arrijë marrëveshjen e duhur me Serbinë në dialog.

“Ne, tanimë e dimë që është një president në Serbi, i cili është pothuajse i plotfuqishëm dhe kemi një president në Kosovë, i cili nuk e ka fuqinë, të cilën e ka presidenti serb. Po t’i futemi dialogut pa e pasur këtë përkrahje të spektrit politik, atëherë besoj që edhe në pozicionin negociues nuk do të jetë i barabartë me (Aleksandar) Vuçiqin në anën tjetër, kjo do ta dëmtonte pozicionin e Kosovës”, u shpreh Ibrahimi.

Mendim të ngjashëm ka edhe analisti Muhaxhiri. Siç thotë ai, mungesa e një konsensusi të spektrit lidhur me qasjen ndaj dialogut, do ta dëmtojë seriozisht pozicionin e Kosovës në dialog.

“Kjo e dëmton, sepse fuqia politike e Kosovës, në fazën finale të dialogut, karshi Serbisë dhe BE-së, është pakrahasueshëm më e vogël, në rast se shkohet me përçarje të spektrit politik kosovar dhe me pakënaqësi, sesa sikur të kishte një unitete, siç ishte ta zëmë gjatë bisedave në Vjenë”, tha Muhaxhiri.

Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për medie, të hënën, ka deklaruar se “platforma për dialog, e prezantuar në Kuvendin e Kosovës nga ana e Qeverisë së Kosovës, është dokument i përgatitur dobët, joserioz dhe me pretendime jo kushtetuese” dhe se Grupi Parlamentar i LDK-së në Kuvend nuk do ta votojë këtë platformë.

Kundër rolit udhëheqës të presidentit Thaçi në dialog, është shprehur edhe partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, si dhe parti të caktuara brenda koalicionit qeverisës./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat