Në Ditën Botërore të Mjedisit pastrohet lagja e romëve të Plemetinit

Aktuale

Në Ditën Botërore të Mjedisit pastrohet lagja e romëve të Plemetinit

Më: 5 qershor 2018 Në ora: 15:04
Pamje nga vendi i ngjarjes

(E plotësuar) - Me aksione për pastrimin e deponive ilegale dhe mbjellje të fidanëve është shënuar Dita e Mjedisit në 26 komuna të Kosovës, ku të mobilizuar për këtë aktivitet kanë qenë vullnetarë të shumtë, organizata të ndryshme jo qeveritare dhe pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj gjatë aksionit për pastrim në lagjen e romëve në fshatin Plemetin të Obiliqit , tha se duan ta përçojnë mesazhin që janë të përkushtuar për pastrimin e mjedisit dhe krijimin e një ambienti më të mirë për qytetarët e Kosovës.

Reshitaj: Kemi filluar kampanjën ta pastrojmë Kosovën

"Ne kemi filluar një kampanjë  në gjithë Republikën e Kosovës ta pastrojmë dhe ta gjelbërojmë Kosovën dhe sot në ditën e mjedisit kemi vendosur të vijmë pikërisht këtu me një qëllim të përbashkët që të japim një mesazh që pikërisht në një vend si ky i cili është më i ndotur se shumë vende tjera të japim një mesazh pikërisht në ditën e mjedisit që ne jemi të përkushtuar edhe si institucione, por edhe si shoqëri civile që të pastrojmë dhe  të gjelbërojmë vendin tonë dhe të ndikojmë në mirëqenie të qytetarëve", tha Reshitaj.

Kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi ka përmendur disa faktorë se përse Obiliqi është qyteti më i ndotur dhe tha se ambienti mbrohet kur të gjithë bashkohen në këtë qëllim.

Gashi: Duhet ta mbrojnë ambientin

"Jemi dëshmitar të kohës që duhet ta mbrojmë ambientin bashkërisht, duke e mbrojtur, duke e trajtuar zonën e gjelbër e ndërtojmë dhe mbrojmë edhe shëndetin tonë. Andaj të gjithë të bashkuar të punojmë për një Kosovë sa më të pastër, sa më të gjelbër", tha Gashi.

Përveç organizatave jo qeveritare kontributin e tyre në Ditën e Mjedisit e kanë dhënë edhe Forca e Sigurisë së Kosovë ku në emër të tyre foli zëvendëskomandanti, Enver Cikaqi.

Cikaqi tha se FSK është  pjesë e shumë aktiviteteve që ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve, e si prioritet ka komunën e Obiliqit.

Cikaqi: FSK ka mbështetur aktivitetet humanitare

"Forca e Sigurisë se Kosovës gjithnjë e ka pasur një prej aktiviteteve kryesore mbështetjen e komunave dhe institucioneve tona qendrore në projektet e ndryshme humanitare të cilat kanë ndikuar drejtë për së drejti në mirëqenien e qytetarëve tanë. Në këtë drejtim Forca e Sigurisë së Kosovës që nga themelimi i saj ka me dhjetëra projekte të cilat kanë ndikuar dhe kanë krijuar hapësirë dhe ambient më të pastër", tha Cikaqi.  

I pranishëm për të parë nga afër aktivitetin qendror të pastrimit në zonën e Plemetinit kishte ardhur edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Held i cili tha se përmes këtij aktiviteti po ipet mesazhi se duhet të ruhet ambienti  për një jetë më të shëndetshme.

Held: Përmes këtij aktiviteti po jepet mesazhi i së ardhmes

"Ky mesazh përmes këtij aktiviteti që jemi prezent këtu është mesazh i së ardhmes i ambientit që ne duhet të kujdesemi për ambientin tonë”, tha Held.

Në aksionin e pastrimit në Plemetin të Obiliqit të pranishëm ishin edhe vullnetarë të organizatës "Let's do it Kosova", ku udhëheqësi i saj, Luan Hasanaj u shpreh se është i lumtur që disa deponi që më parë kanë qenë të pranishme në këtë zonë më nuk janë.

Hasanaj: Kemi realizuar aksione të shumta pastrimi

"Sot në tërë Kosovën janë realizuar aksione të shumta pastrimi, mijëra vullnetarë i janë bashkangjitur thirrjes së Ministrisë së Mjedisit dhe bashkë me ne të dalin dhe të pastrojnë. Qindra deponi janë eliminuar pra në fund të ditës do i kemi rezultatet nga e tërë Kosova", tha Hasanaj.

Gjatë këtij aksioni Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka ndarë mirënjohje për kontributin e dhënë për mbrojtjen e ambientit kryetarit  të Obiliqit, Xhafer Gashit, organizatës "Let's do it Kosova", ambasadorit Christan Held, Forcës së Sigurisë së Kosovës, shkollave "Faik Konica" e "Hasan Prishtina" etj.

Gjatë ditës së sotme aksione pastrimi të deponive ilegale janë mbajtur në Mitrovicë, Vushtrri, Fushë-Kosovë, Ferizaj, Gjakovë, Viti, Kamenicë. 

Manifestimi i Ditës Botërore të Mjedisit në Obiliq

Në fshatin Plemetin të Obliqit mbahet manifestimi qendror i Ditës Botërore të Mjedisit.

Në këtë ngjarje që pritet të fillojë në orën 15:00, pjesëmarrëse është edhe Ministrja e Ambientit, Albena Reshitaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat