Sholtes: Kosova të tregojë rezultate në luftën kundër korrupsionit

Aktuale

Sholtes: Kosova të tregojë rezultate në luftën kundër korrupsionit

Më: 5 qershor 2018 Në ora: 16:21
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha- Igor Sholtes

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, deklaroi sot se të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave janë plotësuar, andaj në qershor priten sinjale të fuqishme për zbatimin në tërësi të këtyre kushteve, në mënyrë që të ecet tutje me procesin e liberalizimit të vizave.

Ajo këto komente i bëri në takim me raportuesin e Parlamentit Evropian për Kosovën, Igor Sholtes, me të cilin diskutoi rreth liberalizimit të vizave dhe përmbushjes së kritereve për këtë çështje të rëndësishme për qytetarët e Kosovës.

“Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk është i lidhur me afate, andaj konsiderojmë se edhe pas heqjes së regjimit të vizave për Kosovën, institucionet vendore nuk do ta ndalin luftimin e këtyre dukurive”, tha ministrja Hoxha.

Ajo shtoi se qytetarët presin që progresi i Kosovës të vlerësohet nga institucionet e Bashkimit Evropian.

Ndërsa, raportuesi i Parlamentit Evropian ritheksoi se Kosova nuk duhet ta lejojë që korrupsioni të pengojë përparimin e procesit integrues, duke vënë në dukje se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është padyshim prioritet për BE, sidomos kur bëhet fjalë për luftimin e korrupsionit në nivel të lartë Kosova duhet të vazhdojë të tregojë rezultate.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat