Përplasen PDK dhe Vetëvendosje

Aktuale

Përplasen PDK dhe Vetëvendosje

Më: 6 qershor 2018 Në ora: 10:08
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar) - Qeveria e Kosovës, do ta kompensojë kompaninë Bechtel Enka me një shumë prej 53 milionë euro, pas zgjatjes së kontratës për autostradën “Arbën Xhaferi”, deri më 31 dhjetor të këtij viti.

Zyrtarët qeveritarë kanë thënë se këtë e kanë bërë që të mos  e lejojnë vendin, që të kalojë në konteste ligjore, e të cilat do të përfundonin në Gjykata ndërkombëtare.

Ministri i Infrastrukturës  Pal Lekaj,  fajin për këtë e ka hedhur tek Qeveria e kaluar, e cila sipas tij  nga  viti 2014 deri 2017, nuk ia kishte paguar me rregull faturat vjetore kësaj kompanie dhe se  për shkak të këtyre vonesave,  është dashur të shtyhet afati për përfundimin e punimeve deri më 31 dhjetor të këtij viti.

Të ndodhur në këtë situatë, Lekaj tha se në më pak se një muaj nga marrja e detyrës, kanë  qenë të detyruar të vazhdojmë kohëzgjatjen e kontratës, në mënyrë që të mos ndërpriteshin punimet, gjë që do të kishte pasoja të dëmshme për vendin.

Lekaj: Është kërkuar vetëm mbulimi i shpenzimeve për afatin shtesë

“Ndërtimi i saj ishte paraparë më 1 janar 2018, meqenëse ish Qeveria e Kosovës që nga viti 2014 deri në vitin 2017, nuk kishte paguar me rregull faturat vjetore kësaj kompanie. Për shkak të këtyre vonesave, është dashur të shtyhet afati për përfundimin e punimeve deri më 31 dhjetor.  Dhe kjo është dakorduar me marrëveshje të datës 27 shtator 2017, pasi që Qeveria e kaluar dhe ish ministri, nuk ishin pajtuar të nënshkruajnë këtë marrëveshje, përkundër qindra takimeve të mbajtura dhe përkundër vendimit të Komitetit Drejtues ndërministror të muajit shtator, të vitit 2016, për aprovimin e kësaj marrëveshje. Pra të ndodhur në këtë situatë në më pak se një muaj nga marrja e detyrës, ne kemi qenë të detyruar të vazhdojmë kohëzgjatjen e kontratës deri më 31 dhjetor 2018, në mënyrë që të mos ndërpriten punimet, gjë që do të mund të kishte pasoja të dëmshme për vendit... Pas negociatave intensive të zhvill uara mes dy palëve kemi arritur që kjo shumë të ulet në 45 milionë euro, duke shtuar TVSH-në 18 për qind, në shumë prej 8.1 milionë euro, për një shumë të përgjithshme, që do të thotë shuma e përgjithshme 53 milionë e 100 mijë euro”, ka thënë Lekaj dje në mbledhjen e Qeverisë.

Por paraardhësi i Lekajt, ish ministri i Infrastrukturës  Lutfi Zharku mohon të gjitha ato që ka thënë Lekaj.

Ai tha për  KosovaPress se Qeveria e kaluar, i ka kryer të gjitha detyrimet, që kanë qenë në përputhje me kontratën. 

Zharku tha se për shtyrje të punimeve, ata kanë pasur një marrëveshje, për t’ia  paguar  ‘Bechtel Enkes’ një shumë prej 14 milionë euro.

Ndërsa, kërkon nga Qeveria që të jap sqarime, se si erdhi tek shuma prej 53 milionë euro, e cila nuk është paraparë me kontratë.

Zharku: Ne i kemi kryer të gjitha detyrimet që kanë qenë në përputhje me kontratën

“Qeveria e kaluar i ka kryer të gjitha detyrimet,  që kanë qenë në përputhje me kontratën.  Siç e dini të gjithë, Kuvendi i Kosovës, nuk ka ndarë mjete të mjaftueshme për me zbatu kontratën në kohen e paraparë për 3 vjet e gjysmë. Por,  ne kemi pasur një marrëveshje me ‘Bechtel Enken’, që për shtyrje të afatit, përfundimit të punimeve me u pagu shuma prej 14.78 milionë euro. Jo penale, por kosto për shtyrje të punimeve. Diferencën prej 14.78 deri në 53.1 milionë që e ka ndarë dje Qeveria, unë kërkoj prej tyre që ata me sqaru si kanë mund me llogarit...Nuk ka kurrfarë arbitrazhi. Unë konsideroj se është jo kontraktuale shuma e ndarë. Prapë po kërkoj publikisht nga Qeveria me sqaru shumën prej 14.78  që është e paraparë me kontratë, deri në 53.1 milionë, që nuk është e paraparë me kontratë. Ata duhet me sqaru në çka janë bazuar. Si i kanë bërë përllogaritjet, kush i ka vërtetu ato shp enzime, që është dashur me u nda ato mjete...Vendimi është në kundërshtim me kontratën”, thotë ish-ministri.

E gjithë kjo situatë, sipas Zharkut  nuk është pasojë e mos kryerjes së punëve nga Qeveria e kaluar, por si pasojë e keqmenaxhimit të kësaj Qeverie.

Zharku: Pasojë e keqmenaxhimit të kësaj qeverie

“Jo kurrë. Jo kurrë. Kjo është pasojë e keqmenaxhimit të kësaj Qeverie”, tha ai.

Kritika për këto që kanë ndodhur edhe tash por edhe në të kaluarën ka në taborin opozitar.

Sshefi i Grupit Parlamentar të Partisë SocialDemokrate, Dardan Sejdiu, thotë se është për keqardhje, se si të gjitha Qeveritë tash e 18 vjet, po shpërfaqin  mosdijen e tyre, sa i përket trajtimit të kontratave të tilla si kjo me ‘Bechtel Enken’, të cilat po i kushtojnë shumë buxhetit të vendit.

Sejdiu: Po paguajmë gjoba, duke mos ditur për çka

“Ajo që është për keqardhje është se kjo shpërfaq mos dijen, mos azhuritetin e qeverive tash e 18 vjet,  në trajtimin e kontratave siç është kjo me ‘Bechtel Enken’. Pra gjithsesi po futemi gjithherë në kontrata, të cilat po i kushtojnë buxhetit dhe qytetarëve të Kosovës shumë më shumë, se do t’i kushtonte çdo qytetari tjetër në Evropë. Pra ne ende nuk i kemi parë kontratat me ‘Bechtel Enken dhe ende nuk e dimë se çka ka në atë kontratë. Përderisa knej vijnë e thonë se duhet të paguajmë gjoba 53 milionëshe”, tha Sejdiu.

Për shefin e  Grupit Parlamentar të Vetëvendosje  Glauk Konjufca ajo që po ndodh me pagesat për ‘Bechtel Enke’, është shqetësuese.

Konufca: Kosova penalizohet dhe kur bien breshër

“Kjo ka qenë shumë shqetësuese, për shkak se me të vërtetë në këtë vend, kërkush nuk po merret me përgjegjësitë, qysh erdhëm deri tek kjo gjendje. Diqysh po kalohen punët shumë shpejtë dhe çështjet po kapërcehen pa dhënë llogari kërkush, kush e bëri gabimin. Kjo është shumë me rëndësi në një shtet demokratik. Ku s’ka përgjegjësi dhe kur s’tregohet kush ka gabu dhe me  marrë përgjegjësinë dhe me u përballë dhe me drejtësinë,  ne nuk mujna me ec përpara. Këtu kemi pas të bëjmë me dënime, me penalltitë, për shkak të kompanisë dhe vonesës së punimeve. E para duhet ta ngrisim dhe njëherë çështjen se çfarë kontrate ka nënshkruar Qeveria e Kosovës. Ajo është kontratë e tmerrshme. Kosova penalizohet edhe kur bjen breshër, edhe për shkak të klimës. Edhe për shkak të vonesave që ndodhin dhe nuk varen prej neve hiq”, tha Konjufca për KosovaPress.

Ai kërkon të dijë se kush është fajtor për krej këtë qka ka ndodhur, ministri i kaluar apo se krejt qka ka ndodhur me këtë rast.

Konjufca: A ka përgjegjësi në këtë shtet

“Unë qysh e di ministri i kaluar i Infrastrukturës, ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për vonesat e pagesave. Tani Pal Lekaj është hy në negociata, për me mujt me letu këto dhe e ka humbur kontestin. Tash nuk po e dimë a ka mund diçka me u rregullu, a janë krejt përgjegjësitë e ministrit të kaluar, që u vonu në pagesa ...A ka përgjegjësi në këtë shtet. A ka prokurori. A duhet me thirrë prokuroria ministrin e kaluar me specifiku saktë, ku është përgjegjësia.... Bechtel Enka 2 miliardë i ka marrë deri tash”, tha Konjufca.

Sipas tij krejt kjo po ndodh për shkak të politikanëve të papërgjegjshëm që ka Kosova.Konjufca madje kërkon që në këtë rast të involvohet edhe Prokuroria për të hetuar rastin.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme kanë shqyrtuar dhe miratuar një mori projektligjesh dhe raportesh të agjencive të pavarura.

Ligjvënësit gjatë shqyrtimi të raportit vjetor të Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin 2017, kanë pasur kritika të shumta, ndonëse pas debatit ky raport mori mbështetjen e deputetëve me 59 vota për, 11 kundër dhe 6 abstenime.

Deputeti i PDK-së, Nezir Çoçaj, ani pse ka mbështetur raportin e AKK-së, ka shprehur shqetësimin rreth mos deklarimit të pasurisë nga zyrtarë të lartë të qeverisë.

Çoçaj: Shqetësuese mos deklarimi i pasurisë nga shumë zyrtarë publikë

“Në të gjitha këto raste të paraqitura në raport shihet se ka zyrtarë publik te të gjitha niveleve dhe po thuaj te të gjitha institucioneve që dyshohen për veprime korruptive, keqpërdorim të detyrës zyrtare e veprime tjera të sanksionuara me ligj. Raporti paraqet të dhëna statistikore lidhur me deklarimin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik. PDK shpreh shqetësim për faktin se 32 zyrtarë të lartë publik nga Qeveria dhe pesë gjykatat nuk kanë deklaruar pasurinë”, tha Çoçaj.

Kritika të shumta ndaj raporti ka pasur deputetja Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, sipas së cilës në këtë raport nuk është evidentuar asnjë rast i zyrtarëve të lartë që janë dënuar me burg për raste të korrupsionit.

Haxhiu: Raporti nuk specifikon që dikush nga zyrtarët e lartë ka marrë dënim me burgim    

“Edhe vetë AKK-ja e ka pranuar se rastet kundër korrupsionit përbëjnë numrin me të vogël të veprave të hetuara nga organet e ndjekjes, por njëkohësisht përbëjnë edhe veprat që më së paku janë shqiptuar dënime. Pra, siç e thash edhe në fillim askund në asnjë rresht të këtij raporti nuk thuhet apo specifikohet që dikush nga zyrtarët e lartë ka marrë dënim me burgim, përveç dënimeve me gjoba, me kusht, pra dënimi me burg iu është zëvendësuar me dënim me kusht. Ky është një stimulim që zyrtarët e lartë të korruptohen në vazhdimësi”, u shpreh Haxhiu. 

Përplasje në këtë pikë pati mes deputetit të PDK-së Hajdar Beqa dhe atij të Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj.

Deputeti Beqa, kërkoj anashkalimin e interpelancave të shumta që po thirrën nga opozita në mënyrë që t’i kryejnë prioritetet për agjendën evropiane.

Por, deputeti Rexhaj tha se nëse dikush është kundër agjendës evropiane, atëherë është kjo qeveri.

Rexhaj: Qeveria, kundër agjendës evropiane

“Në fakt kjo qeveri ka agjendë anti evropiane dhe për këtë u konstatua kur në mënyrë të paligjshme i deportuan shtetasit turq dhe mbi këtë bazë ambasadat reaguan për këtë gjë sepse u tundën themelet e institucioneve të Kosovës, u shkelen liritë dhe të drejtat e njeriut dhe se me agjendë evropiane nënkupton kur ti e lufton krimin dhe korrupsionin”, u shpreh Rexhaj. 

Por, Beqa, iu kundërpërgjigj Rexhajt, duke ia përmendur jahtet dhe aferat e fundit të përgjimeve mes zyrtarëve të Vetëvendosjes dhe gazin lotsjellës.

Beqa: Ju na keni humb kohën mandatin e kaluar me gaz lotsjellës

“Ne jemi për interpelanca, ne jemi për t’u dënuar të gjitha ta që në këtë vend i kanë shkel ligjet e Kosovës dhe ato i dinë, janë organe që besoj se këto janë të ndara. Por prioritet do ta kemi agjendën evropiane, prioritet do t’i kemi ligjet që rregullojnë jetën e qytetarëve, andaj do t’i kryejmë edhe këto interpelanca mos të humbim kohë. Ju në mandatin e kaluar na keni humbur kohën me gaz lotsjellës, na keni humbur kohën me lajme të pahijshme që krejt botën ku e kanë qitur Kosovën që nuk është e përgatitur ta menaxhoj shtetin fal përkushtimit tuaj”, iu përgjigj Beqa.

Mirëpo, deputeti i Vetëvendosjes, duka ia kthyer kolegut të tij nga PDK, tha se partia e tij tenton që t’i barazojë të gjithë dhe t’i bënë sikurse është vetë.

Rexhaj: PDK mundohet t’i bëjë të gjithë si vetë

“Unë e kam shumë të qartë që PDK përherë mundohet që siç është vet t’i bëjë bashkë edhe konceptimin e korrupsionit dhe kriminalitetit në vend ta shpërndarë edhe në VV, gjë që nuk është kështu. Sepse subjekti më i pastër dhe më konsistent përherë ka qenë VV”, theksoi Rexhaj.

Në këtë seancë, u shqyrtua në lexim të parë edhe Projektligji për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. 

Pas pauzës deputetët votuan projektligjet që janë shqyrtuar paradite dhe gjatë ditës së djeshme. 

Deputetët me shumicë votash kanë miratuar Projekt-Kodin Penal të Kosovës, pas debatit të zhvilluar gjatë ditës së djeshme. Po ashtu janë miratuar edhe një mori projektligjesh tjera që ndërlidhen me harmonizimin me ligjet e BE-së. 

"A do me të qitë jashtë. Rri qaty mirë je", Xhavit Haliti ia ndal fjalën deputetit të Vetëvendosjes (Drejtpërdrejt)

Kuvendi Kosovës është duke vazhduar punimet për shqyrtimin e pikave të mbetura të rendit të ditës.

Seanca ka filluar në orën 10:00

Çështja e mëditjeve të deputetëve dhe ministrave në seancën e sotme është bërë temë diskutimi mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Pas paralajmërimit të kryesuesit të seancës Xhavit Haliti që do t’ua ndalojë mëditjet deputetëve që nuk shkojnë për të votuar në orën 15:30, kanë reaguar deputetët tjerë.

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka kërkuar nga kryesuesi i seancës Xhavit Haliti, që të ndikojë në ndaljen e mëditjeve të ministrave, të cilët do duhej të ishin të pranishëm në seancë për të raportuar për projektligjet dhe raportet që i shqyrton Kuvendi.

Avdyli: Kryesues ndaloja mëditjet edhe ministrave që nuk po vijnë në seancë

“Kryesues, unë ju kisha bërë ftesë që nëse keni mundësi të ndikoni t’ua ndalni mëditjet edhe atyre të cilët sot do duhej të raportonin për projektligjet të cilët nuk ishin këtu dhe nëse vazhdoni ta përmendni punën e mëditjeve, atëherë do t’ia ndalni edhe punën këtij Kuvendi”, tha Avdyli.

Edhe për deputetin Avdyli, nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, pati një përgjigje.

Haliti: Qeverinë mund ta dënojmë kur ta sjellin buxhetin

“Unë për të bërë punë, se sa për mua mos ejani hiq, edhe unë mund të mos vij, por ne jemi për të bërë punë. Nuk ka parlament në botë që toleron mos të vijnë deputetët. Qeverisë ne nuk mund të ua ndalojmë, mundemi mos t’ia miratojmë buxhetin, kur ta sjellin i dënojmë një muaj i lëmë pa rroga, aq mundemi ne, nuk mundemi më shumë”, u shpreh Haliti.

Në këtë debat u përfshi edhe shefi i deputetëve të Nismës, Bilall Sherifi, i cili e quajti shkelje të rregullores nëse administrata ua ndalon mëditjet deputetëve.

Sherifi: Administrata s’mund t’ua ndalojë mëditjet deputetëve

“Sa i përket polemikave rreth mëditjeve, vërtet këtu kemi hapësirë rregulloren, bash në këtë fazë që jemi duke hartuar rregulloren të përpiqemi ta rregullojmë më mirë këtë. Sepse vërtetë është bërë zakon ku pjesëmarrja në seancë përfundon me nënshkrimin e deputetëve. Natyrisht që jo nuk i jep askujt të drejt të marrë në dorë dhe të kërkoj masa që nuk janë mirë të sanksionuara. Mirëpo, edhe kjo veç hajt të nënshkruaj edhe dil nuk është zgjidhje. Pra, ka mangësi në këtë çështje rregullorja, edhe kryetari edhe kryesuesi kanë të drejt të kërkojnë të hiqen mëditjet, por administrata këtë udhëzim nuk mund ta zbatoj”, tha Sherifi.

Ai tha se edhe ministrave, të cilët nuk vijnë në Kuvend, do të duhej të parashihej ndonjë sanksionim. Madje, me humor tha se së paku bile pagat s’do duhej t’iu rriteshin ministrave nëse jo t’iu ndalej mëditja.

Nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti dhe deputeti i Vetëvendosjes janë përplasur për mëditjet e deputetëve.

Haliti u ka thënë deputetëve se në orën 15:30 do të bëhet votimi i të gjitha ligjeve të cilat shqyrtohen deri atëherë, por do të penalizohen me heqjen e mëditjeve të gjithë ata deputetë që pa arsye nuk vijnë për të votuar.

Haliti: Kush nuk vjen për të votuar s’ka mëditje

“Dua t’iu paralajmëroj tani që në ora 15:30 është votimi i ligjeve që kemi shqyrtuar në lexim të parë. Kanë kohë të gjithë deputetë kudo që janë të vijnë. Të gjithë deputetët të cilët pa arsye nuk janë për të votuar autorizoj administratën e Kuvendit t’iu hiqen mëditjet. Nuk ka kërkuar parti, këtu ka Parlament, kush nuk është e ka mëditjen e hequr”, tha Haliti.

Por kjo nuk i pëlqeu deputetit të Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, i cili i tha Halitit se kjo që po bënë nuk është në rregull. Madje, Haliti ia ndërpreu fjalën Kurteshit, deri ky i fundit u përplas pa mikrofon me Halitin.

Image

Përplasja Kurteshi-Haliti: Sami mos na shit përralla

“Pak më herët ju deklaruat se gjithë ata që nuk vijnë në orën 15:30 për votim kërkon që të marrin masa...Unë e kam deklaruar dhe i përmbahem asaj, jo, jo mos na trego të drejtat e njeriut, nuk kemi kohë të dëgjojmë përralla tuajat pash zoten, rri qaty...Kjo çka je duke bërë ti nuk është në rregull, nuk ke të drejtë...Kam të drejt...Sami shko ankohu...unë e interpretoj rregulloren jo t’i, rri qaty, rri”. Seanca vazhdoj me shqyrtimin e pikave tjera, ani pse nuk po ka kuorum për të votuar në fund të shqyrtimit të secilit projektligj”.

"A do me të qitë jashtë. Rri qaty mirë je", Xhavit Haliti ia ndal fjalën deputetit të Vetëvendosjes

Kryesuesi i seancës së Kuvendit të Kosovës, nënkryetari Xhavit Haliti ka kërkuar nga deputetët që të jenë prezent në ora 15.30 që të jenë prezentë për votimin e ligjeve, në të kundërtën do të merren masa ndëshkuese, gjegjësisht ndalja e meditje ditore.

Në lidhje me këtë ka reaguar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, i cili e ka quajtur të padrejtë këtë masë. Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryesuesit Xhavit Haliti, i cili ka kërkuar që t’i ndalet menjëherë fjala deputetit Kurteshi.

“E di kur mundesh me folë. Ankohu në të Gjykatën Kushtetuese… Kam të drejtë. Vazhdojmë me shqyrtimin e raportit të Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale… Unë e komentoj rregulloren, ti nuk e komenton… Nuk je Ombudsperson më, kurrfarë të drejte nuk ke. Nëse të shkelen të drejtat, mund të ankohesh. Nuk ke të drejtë në kundërshtim me rregulloren ta marrësh fjalën… A don me të qitë jashtë. Rri qaty mirë je”, i ka thënë Haliti deputetit të Vetëvendosjes, derisa Kurteshi po fliste nga karrigeje e tij, por të cilit i ishte ndalur zërimi.

Nis seanca, vetëm 14 deputetë të pranishëm në sallë

Kuvendi i Republikës së Kosovës qe disa ditë është duke mbajtur seanca të një pas njëshme, kjo si pasojë e ‘mbushjes së boshllëkut’ të mospunës së tyre përgjatë këtij mandati.

Mirëpo, seancat si duket nuk po zgjojnë interesim të madh nga deputetët. 

Nga 120 deputetë sa duhet të jenë në sallë, aty janë të pranishëm vetëm 14 prej tyre.

Ndryshe, Kuvendi dje për tetë orë ka zhvilluar punimet e seancës. Në dy pikat e zakonshme të rendit të ditës, koha për deklarime jashtë rendit të ditës, deputetë e morën fjalën në emër të grupeve parlamentare dhe ngritën shqetësimet e tyre.

***

Kuvendi i Kosovës me fillim nga ora 10:00 vazhdon punimet e seancës.

Në rend të ditës janë gjithsej 28 pika.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat