Fetoshi: Deri në fund të vitit Kosova do të lëvizë pa viza në BE

Aktuale

Fetoshi: Deri në fund të vitit Kosova do të lëvizë pa viza në BE

Nga: Nehat Shaqiri Më: 7 qershor 2018 Në ora: 14:30
Ilustrim

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes ka qëndruar dje në Prishtinë ku ka pranuar se liberalizimi i vizave është vonuar shumë, por sipas tij, për këtë nuk duhet të fajësohet Bashkimi Evropian por Kosova, e cila është dashur që parad dy viteve ta kryej këtë me Gjeorgjinë dhe Ukraninën.

“Ne nga Parlamenti Evropian jemi në favor të Kosovës për heqjen e vizave, por kjo varet edhe nga raportet tjera që përgatiten. Qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave”.

Lufta kundërkorrupsionit dhe krimit të organizuar por edhe reforma në sistemin gjyqësor dhe pavarësia e prokurorëve, sipas tij janë tema më rëndësi që janë diskutuar lidhur me liberalizmin e vizave.

Por, sa jemi afër që kjo të ndodh dhe qytetarët të lëvizin lirshëm në Bashkimin Evropian, mbetët të shihet deri në fund të këtij viti, kështu të paktën kanë thënë nga Qeveria e Kosovës.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, thotë se, deklaratat e z. Soltes reflektojnë një të vërtetë të hidhur sa i përket ngecjeve të Kosovës në agjendën e integrimit evropian, por shpreson që nuk e paracaktojnë vendimin për vizat.

“Meqenëse qytetarët e Kosovës kanë mbetur të vetmit në rajon pa këtë të drejtë dhe për shkak të kontekstit politik, më tepër se sa për shkak të përmbushjes ose jo të kritereve, jam i bindur që rekomandimi i Komisionit Europian do të jetë pozitiv”, thotë Fetoshi për gazetën “Bota sot”.

“Samiti i Sofjes tregoi rikthimin e vëmendjes së BE-së në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm për shkak të problemit të raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë që duhet të zgjidhen me një marrëveshje ligjërisht obligative, por edhe për shkak të kërcënimit gjeopolitik dhe gjeostrategjik nga depërtimi rus. Në këtë kuptim, vendimi pozitiv për vizat do të ishte një hap tejet i rëndësishëm për rikonsolidimin e besimit dhe orientimit të qytetarëve në rrugën evropiane”, thekson profesori.

Sipas Fetoshit, është e vërtetë që vonesa s’ka ndodhur për faj të BE-së por si pasojë e paaftësisë vendimmarrëse të politikës tonë. “Mirëpo, duke pasur parasysh që lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar si kriteri i fundit është proces e jo thjesht vendim si në rastin e demarkacionit, shpresoj që të mos vlerësohet negativisht, në mënyrë që rekomandimi të jetë pozitiv dhe deri në fund të këtij viti qytetarët të mund të lëvizin pa viza”, përfundon profesori Arben Fetoshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat