Presidenca thotë se ndarja e buxhetit për kompaninë amerikane është në harmoni me ligjin

Aktuale

Presidenca thotë se ndarja e buxhetit për kompaninë amerikane është në harmoni me ligjin

Më: 7 qershor 2018 Në ora: 23:05
Hashim Thaçi

Ndarja e buxhetit të shtetit për kompaninë amerikane “Ballard Partners”, ka ardhur si pasojë për të ndihmuar Kosovën në dinamike e re në procesin e pajtimit, modernizimin dhe transformimin e FSK-së dhe implementimin e përpjekjeve kundër terrorizmit.

Kjo është përgjigja e zyrës së presidencës në lidhje me ndarjen e 517 mijë e 198 euro e 56 cent para të buxhetit të shtetit, për kompani lobuese amerikane.

“Zyra për Informim e Presidencës e ka sqaruar edhe më parë se kompania amerikane “Ballard Partners”, me bazë në Florida, me përvojën dhe kontaktet që ka, do t’i mbështesë iniciativat e institucioneve të Kosovës për ballafaqimin më të kaluarën, duke ndihmuar në krijimin e një dinamike të re në procesin e pajtimit. Po ashtu, do të ndihmojë në modernizimin dhe transformimin e FSK-së, në një forcë shumetnike dhe në implementimin e përpjekjeve të përbashkëta kundër terrorizmit”, thuhet në përgjigje.

Gjithashtu, sipas zyrës së presidentit, kjo kompani amerikane do të ndihmojë Kosovën edhe në thellimin e bashkëpunimit bilateral mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale dhe multilaterale, zhvillimin ekonomik dhe sigurinë, nxitjen e investimeve tregtare, etj.

Mes tjerash, thuhet se deri në kontraktimin e kësaj kompanie është ndjekur çdo procedurë ligjore, që konkretisht kishin nisur pas kërkesës që Presidenca i kishte bërë Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa për ndarje të buxhetit shtesë për angazhimin e një kompanie ndërkombëtare të konsulencës.

“Pas miratimit të buxhetit nga komisioni dhe më vonë nga Parlamenti i Kosovës, përmes ligjit të buxhetit, Presidenca ka zhvilluar procedurat në harmoni me ligjin. Lobimi tek shtetet e fuqishme është i domosdoshëm për një shtet të ri si Kosova, duke pasur parasysh faktin se ende jemi në konsolidim e sipër si shtet. Pra, kjo kompani ndihmon jo vetëm në thellimin e marrëdhënieve bilaterale, tërheqjen e investimeve, mbajtjen e vëmendjes së administratës amerikane tek Kosova dhe te prioritetet tona shtetërore, por gjithashtu ndihmon edhe përpjekjet tona për promovim në arenën ndërkombëtare”, qartëson më pas përgjigja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat