MIE: Kemi përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave

Aktuale

MIE: Kemi përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave

H.Orana Nga H.Orana Më 8 qershor 2018 Në ora: 21:14
Ilustrim

Muaji qershor po përmendet si datë e mundshme për heqjen e vizave. Por se sa është e përgatitur Kosova për të fituar liberalizimin e vizave brenda këtij muaji, flasin zyrtarë nga Ministria e Integrimeve Evropiane.

“Në qershor presim qëndrim dhe vendim të Komisionit Evropian për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Zbatimi i rekomandimit për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ka shënuar rezultate dhe presim të marrim dritën e gjelbër për liberalizimin. Duke vijuar me këtë rekomandim, presim që të gjitha procedurat tjera brenda Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian dhe Bashkimit Evropian, të marrim të drejtën për liberalizimin e vizave deri nga fundi i vitit, ngase, është procedurë normale e instancave evropiane vendimmarrëse”, thuhet në përgjigjen e MIE dhënë për "Bota sot".

Sipas tyre, ky vendim do të jetë pranim i sukseseve të deritashme të institucioneve tona, në veçanti të rasteve të shënjestruara për krim të organizuar dhe korrupsion.

“Lufta kundër këtyre dukurive nuk ka afate dhe konsiderojmë se edhe pas liberalizimit të vizave, ky angazhim do të jetë permanent. Përgatitja për liberalizimin e vizave, për ta informuar dhe udhëzuar qytetarin, do të jetë faza e re e këtij procesi, besoj, do të informohen të gjithë rreth këtij procesi tejet të rëndësishëm për qytetarët tanë”, thuhet më tutje.

Por se sa do ta pengoj krimi dhe korrupsioni Kosovën në këtë drejtim, zyrtarë nga kjo ministri thonë se liberalizimi i vizave ka një ecuri tjetër dhe ne kemi përmbushur të gjitha kushtet e domosdoshme për liberalizim, ndërsa procesi integrues evropian, është tjetër proces.

“Krimi dhe korrupsioni, në të dyja rastet vlerësohet si dukuri shumë e shëmtuar dhe ne me institucionet në të gjitha nivelet kemi dhënë dëshmi se jemi të përkushtuar fuqimisht që këto dukuri të denoncohen, të ndalohen, të ndiqen dhe të penalizohen. Konsideroj se jemi në rrugë të mbarë edhe sa i takon liberalizimit të vizave, edhe sa i takon procesit integrues. Këtu, rrol me rëndësi kanë edhe OJQ-të dhe mediat, andaj shfrytëzoj rastin që të falënderoj të gjithë për këto procese jetike të qytetarëve tanë”, thuhet më tutje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat