Po organizohet një “Rambuje e dytë” mes Kosovës e Serbisë? - Bota Sot
Po organizohet një “Rambuje e dytë” mes Kosovës e Serbisë?

Aktuale

Po organizohet një “Rambuje e dytë” mes Kosovës e Serbisë?

Nga: Drilon Rrahmani Më: 9 qershor 2018 Në ora: 19:30
Konferenca e Rambujesë në vitin 1999

Përmes burimeve të saja politike diplomatike, gazeta e njohur serbe shkruan se po bëhet organizimi i konferencave ndërkombëtare.

Sipas kësaj gazete, Prishtina dhe Beogradi do të negociojnë për pjesëmarrjen e “lojtarëve më të mëdhenj të botës”.

Përveç shteteve të QUINT-it, që bëjnë pjesë SHBA, Britania e Madhe, Italia dhe Franca, aty prezentë do të jenë edhe pjesëmarrës nga Kina e Turqia, shkruan gazeta serbe, transmeton “Bota sot”.

Sipas burimeve të saj, kjo do të jetë një “Rambuje e dytë”, për shkak se do të tentohet të gjindet zgjidhja përfundimtare për një paqe e tolerancë mes dy vendeve.

“Konferenca ndërkombëtare e nivelit të lartë që në të vërtetë do të përfaqësohej si një Rambuje e dytë, mund të mbahet në një shtet të perëndimit me qëndrim neutral si Zvicra. Nga fuqitë e mëdha botërore pritet të diskutohen rrugët për të normalizuar raportet e plota ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe këtu do të mund të krahasonim situatën me negociatat në Rambuje. Edhe pse qeveria e Serbisë preferon që kjo të jetë një lloj Marrëveshja e Daytonit, pasi nga një marrëveshje e tillë doli Republika Srpska në Bosnje. Sidoqoftë vetë Vuçiqi, preferon që zgjidhja të arrihej në një format më të gjerë, sesa në zyrën e Brukselit”, kanë treguar burimet diplomatike.

Gjithashtu, gazeta serbe shkruan se shteti Gjerman nuk është i kënaqur me zhvillimet e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Gjermanët kanë vërejtje të shumta në punën e Mogherinit dhe Johanes Hahn në dialogun me Serbinë”, shpjegojnë burimet e gazetës serbe.

Madje, aty shkruhet se Amerika ka zbutur qëndrimin e saj sa i përket ndarjes së Kosovës, por jo edhe Gjermania, e cila është kategorike kundër ndarjes së Kosovës.

“Ndryshe nga gjermanët të cilët ende mendojnë se ndarja e Kosovës është e papranueshme, por besojnë se Kosovës duhet t’i jepet një vend në OKB. Amerikanët besojnë se, zgjidhja që Serbia ta merr veriun e Kosovës dhe të gjitha Masnastret nuk është e papranueshme”, shkruan tutje gazeta serbe, përcjell “Bota sot”.

Mirëpo siç thuhet në artikullin e gazetës, “dështimi” në Konferencën e Rambujesë ka qenë se delegacionet e Beogradit dhe Prishtinës nuk ishin takuar direkt, por mesazhet ishin transmetuar nga amerikanët.

“Në fund negociatat dështuan pasi marrëveshja ushtarake nuk u pranua dhe Serbia u bombardua. Pra për të shmangur gabimet e tilla është e nevojë që këtë herë asnjëra palë të mos jetë në presion. Pra Beogradi të mos sulmohej duke thënë se do të bllokohej në rrugën drejt BE-së, dhe ky takim do të ishte mirë të mbahet jo vetëm për Kosovën, por për gjithë Ballkanin Perëndimor”, theksojnë burimet e gazetës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test