Ilazi: Xhabir Zharku ende nuk ka bërë kërkesë për t’u kthyer në degën e PDK-së

Aktuale

Ilazi: Xhabir Zharku ende nuk ka bërë kërkesë për t’u kthyer në degën e PDK-së

Më: 13 qershor 2018 Në ora: 22:37
Xhabir Zharku

Kryetari i Komunës së Kaçanikut, njëherazi kryetar i degës së PDK-së në Kaçanik, Besim Ilazi, ka thënë për Kallxo se deri tani nuk ka ndonjë kërkesë nga Xhabir Zharku për t’u kthyer në degën e partisë.

“Nuk ka ndonjë kërkesë deri tash. Është kthyer në Kosovë, është e vërtetë që është kthyer por nuk ka ndonjë kërkesë deri në momentin që po flasim. Zgjedhjet në PDK do të fillojnë në shtator e deri atëherë nuk po mund të them diçka konkrete”, ka thënë Ilazi.

Kryetari i Kaçanikut ka treguar për Kallxo se më 11 qershor, në Ditën e Çlirimit, për herë të parë është takuar me Xhabir Zharkun pas kthimit të tij nga Suedia më 7 qershor.

“Jemi takuar në vendtakimin ku ka qenë Shtabi i Brigadës 162, ku e kemi një shtëpi muze, zakonisht me 11 qershor në Ditën e Çlirimit e bëjmë takimin e veteranëve. Aty e kam pasur rastin me u taku si me gjithë bashkëluftëtarët e tjerë dhe kemi vazhduar te varrezat e dëshmorëve. Ky ka qenë kontakti që e kam pasur deri sot me të”, ka thënë Ilazi.

Kryetari Ilazi ka thënë se nuk ka vendosur ende nëse do të rikandidojë përsëri për kryetar të degës së PDK-së në Kaçanik në zgjedhjet e partisë që do të fillojnë në shtator.

“Nuk e di çka me thënë se është pak herët. Do të ulem me kryesinë e degës do të konsultohemi dhe aty do të merret vendim se kush do të jetë”, është shprehur Ilazi për Kallxo.

Po ashtu, Ilazi tha se Zharku gjatë kohës së arratisë së tij nuk ka ushtruar asnjë funksion në PDK-në e Kaçanikut.

Ish-kryetari i Kaçanikut, Xhabir Zharku, ishte gjetur fajtor për veprat penale të detyrimit dhe armëmbajtjes pa leje dhe ishte dënuar me 3 vjet burg, por ai nuk e ka mbajtur dënimin meqë ishte arratisur në Suedi.

Zharku u kthye nga Suedia më 7 qershor pasi muajin e kaluar i është parashkruar dënimi me burg.

Edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell ka reaguar për kthimin e Xhabir Zharkut si njeri i lirë në Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat