Numri i universiteteve në Kosovë, përplasen Çoçaj-Bytyqi

Aktuale

Numri i universiteteve në Kosovë, përplasen Çoçaj-Bytyqi

Më: 14 qershor 2018 Në ora: 12:32
Ilustrim

Deputeti i PDK-së, Nezir Çoçaj, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka pyetur ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi, nëse do të mbesin vetëm dy universitete publike në Kosovë, meqë ky i fundit, sipas deputetit Çoçaj, ka thënë se në vend duhet të mbesin vetëm dy universitete publike.

Ai po ashtu ka pyetur ministrin Bytyqi nëse do të ketë regjistrim të studentëve në vitin e ri akademik.

Çoçaj: Sa universitete publike do të mbesin në Kosovë

“Shqetësimet e studentëve, stafit akademik dhe qytetarëve janë të mëdha, pasi që është edhe koha kur do të fillojnë edhe regjistrimet në universitete. Duke u ndërlidhur me këto deklarata kemi edhe një proces të zgjedhjeve në Universitetit të Prizrenit, ku anëtarët e Këshillit Drejtues kanë bërë shkelje edhe të ligjit të arsimit të lartë edhe statutit të UPZ-së, edhe Këshillit Drejtues. Prandaj pyetja ime është, sa universitete do të mbesin, a do të ketë regjistrim të studentëve në vitin e ri akademik”, pyeti Çoçaj.

Ndërsa në përgjigjen e tij, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, theksoi se kjo do të diskutohet në Qeveri ku njëri propozim ka të bëjë me profilizimin e gjithë universiteteve publike dhe i dyti propozon që profilizimet të shndërrohen në dy universitete.

Bytyqi: Kemi diskutuar ndoshta të jenë vetëm dy universitete publike

“Nuk kemi deklaruar asnjëherë që do të mbeten vetëm dy universitete, qoftë në atë që e quani një në rrafshin e Dukagjinit dhe Universiteti i Prishtinës. Kemi thënë që ne do të bëjmë formimin e një grupi punues i cili është bërë me ekspertë të brendshëm dhe të jashtëm për ta bërë fizibilitetin e universiteteve publike. Mbi raportin e profesionistëve dot ë vendoset se si do të qasemi universiteteve publike me qëllimin që cilësia në Universitete publike të jetë me standard me të lartë, siç është Universiteti i Prishtinës. Ka qenë opsion që mund të mbeten vetëm dy universitete duke i kaluar në pjesë tjera që të jenë kampuse të këtyre dy universiteteve. Por tani jemi shumë më konkret, e kemi raportin e përfunduar dhe shumë shpejt ky raport do të diskutohet në Qeveri ku janë propozuar dy propozime, njëri ka të bëjë me profilizimin e gjithë universiteteve publike dhe i dyti që profilizimet të shndërrohen nd oshta në dy universitete”, tha Bytyqi.

Por me përgjigjen e ministrit Bytyqi, nuk ishte i kënaqur deputeti Çoçaj, i cili tha se nuk ka marrë përgjigjen e duhur. Çoçaj përmendi disa raporte të mediave ku ministri dhe zyrtarët e MASHT-it kanë deklaruar se do të mbesin vetëm dy universitete publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat