Hoti: Haradinaj, ju jeni i ngratë - Bota Sot
Hoti: Haradinaj, ju jeni i ngratë

Aktuale

E martë, 16 tetor 2018

Hoti: Haradinaj, ju jeni i ngratë

Më: 14 qershor 2018 Në ora: 14:55
Kuvendi i Kosovës

Deputeti i LDK-së, Lutfi Zharku, ka thënë sot në interpelancën e kryeministrit Ramush Haradinaj, se ministri i Bujqësisë, Nenad Rikallo ka ndarë një fond për komunat veriore për të mbështetur bujqësinë në atë pjesë, në kundërshtim me të gjitha dokumentet dhe kryekëput për qëllime politike.

Në emër të LDK-së, si thirrëse e kësaj interpelance, ai tha se ky favorizim po bëhet me qëllim të keqpërdorimit të parasë publike.

Zharku: Fondi për veriun u bë për keqpërdorim të fondeve publike

“Ne vlerësojmë se thirrja e veçantë për aplikim për grante investive e cila favorizon vetëm komunat e regjionit të Mitrovicës së veriut është në kundërshtim me dokumentet e cekura për qëllime politike, pas kushtëzimit të ministrit Rikallo për mos nënshkrim të planit për zhvillim rural 2018 në rast se nuk ndahet një fond i veçantë për favorizim të komunave në pjesën veriore të Kosovës. Por ky favorizim nuk po bëhet për përkrahje të komunitetit serb të cilin në prapavijë e promovon ministri Rikallo pasi kriteret e tilla favorizuese nuk vlejnë për komunat tjera me shumicë serbe, si në Graçanicë, Kllokot, Artanë, Shtërpcë, Ranilluk apo Partesh. Ky favorizim po bëhet me qëllim të keqpërdorimit të fondeve publike përmes komunave që nuk e pranojnë republikën e Kosovës, thjeshtë në mungesë të rendit dhe ligjit është pothuajse e pamundur ndjekja ligjore e keqpërdorimeve të tilla”, tha Zharku.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se ministri Rikallo ka shprehur një nivel të lartë të kompetencës në punë, hiq ato për të cilat u dyshua për të bëmat e tij në luftë. Kreu i ekzekutivit shtoi se janë në një marrëdhënie me të ndërlikuar me Listën Serbe, pas  arrestimit të shefit të ashtuquajturës Zyrë serbe për Kosovën, Marko Gjuriq.

Haradinaj: Kam kërkuar raport nga MBPZHR

“Sidoqoftë unë kam kërkuar një raport në Ministri lidhur me shqetësimet e shprehur nga LDK për gjendjen në bujqësi, për vendimet e ministrit Rikallo, përfshirë edhe një shkarkim. Të gjitha këto me qëllim që ta kemi të qartë se si po ndodhin këto, të gjitha veprimet në Ministrinë e Bujqësisë. Megjithatë, ju siguroj se Ministria është funksionale, pra zëvendësministri i caktuar është në mbledhje të qeverisë. Kjo ka ndodhur edhe në të kaluarën, ju kujtohet Tomë Hajdari ka kaluar nga zëvendësministri është kthyer në ministër, pra nuk është hera e parë që Kosova është ballafaquar me një bojkot të tillë”, tha Haradinaj.

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, tha se fondi i veçantë për veriun nuk duhet të shihet si diçka e keqe, por si gatishmëri e Qeverisë për të investuar në atë pjesë, pasi, siç u shpreh ai, edhe ata janë qytetarë të Kosovës.

Reçica theksoi se ajo që duhet të kenë parasysh në këtë pikë është që ai fond nuk duhet të jetë fond i përhershëm, sepse në vitet e tjera duhet të jenë qytetarë pjesë e barabartë e aplikimit për grante dhe subvencione.

Reçica: Ministrat e Listës meqë po marrin vendime duhet të vijnë edhe në Kuvend

“Natyrisht që ne respektojmë punën e ministrit, kompetencat që ai ka, por puna e secilit ministër duhet të jetë konform ligjit dhe transparente për qytetarët. Asnjë vendim i cilitdo ministër, institucionalist që merret në formë transparente nuk mund ta kënaqë as këtë Kuvend, e lerë më qytetarëve, pavarësisht përkatësive politike dhe tjera. Dua të theksoj se ministrat e Listës Serbe, meqë janë kthyer në punë dhe po marrin vendime le të vijnë edhe në Kuvend. Nuk është mënyra e duhur as nuk është në rregull që arta të luajnë lojë të dyfishtë, ata janë pjesë e kësaj qeverie, i marrin pagat dhe duhet të jenë këtu”, u shpreh Reçica.

Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Liburn Aliu, ka thënë se Ministria e Bujqësisë nuk është vetëm duke bërë një lloj diskriminimi të lehtë në teren, por është drejtpërdrejt duke e mbrojtur interesin e Serbisë. Sipas tij, këtë kjo ministri po e bënë në dy rrafshe.

Aliu: Ministri po i mbron kompanitë nga Serbia

“Është çështja e mbështetjes së kompanive të cilat importojnë nga Serbia edhe kur ato bëjnë shkelje, edhe konkretisht duke forcuar strukturat e Serbisë përmes Listës Serbe nëpër zonat ku janë serbët. Pra, nëse ne duam të bëjmë integrim të serbëve lokal, kjo ndodh kur lidhjet me Beogradin janë gjithnjë e me të vogla”, tha Aliu.

Ai ka kërkuar edhe shkarkimin e ministrit Rikallo, pasi nuk ka kuptim të bëhet një favorizim i tillë etnik.

Deputeti Salih Salihu, në emër të grupit parlamentar të PSD-së, theksoi se sektorin e bujqësisë kjo Qeveri nuk po e trajton seriozisht si sektor i zhvillimit ekonomik.

Salihu: Rikallo nuk erdhi kurrë në Kuvend

“Prej se e ka marrë pushtetin kjo Qeveri, ministri Rikallo nuk ka ardhur fare në Kuvend, përveç se kur është diskutuar çështja e tij, madje as për ta shpalosur programin qeverisës për bujqësi e as kur është diskutuar projektligji për buxhetin 2018. Ndërsa as sot nuk ka ardhur. Ndërsa, sa i përket shkarkimit të kryeshefit të Agjencionit të Zhvillimit të Bujqësisë, mendoj që sot ministri do duhej të vinte këtu dhe të sqaronte se çfarë shkeljesh ka bërë”, u shpreh Salihu.

Ndërsa, shefi i deputetëve të AAK-së, Ahmet Isufi, u shpreh se interpelancat që nuk kanë lidhje me kryeministrin, po shihet se përdoren me shumë për konsum politik se sa për të sqaruar çështje shumë të ndjeshme.

Isufi: Pse duhet kjo interpelancë, kur është Komisioni për Bujqësi

“Me habit fakti se pse kërkohet kjo interpelancë kur kemi Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, e që mund ta thërrasin edhe ministrin, edhe zëvendësministrin, sekretarin e përgjithshëm dhe të ketë Kuvendi një raport të detajuar me të cilin pastaj t’i analizonim të gjitha të dhënat që do  të dilnin nga Komisioni”, tha Isufi.

Shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti, ishte i ashpër ndaj kryeministrit Haradinaj, duke i thënë se kjo Qeveri nuk e ka fare brengë bujkun as fermerin. Sipas tij, ndryshe kjo nuk mund të kuptohet fare një qasje e ministrit i cili nuk shkon fare në mbledhje të Qeverisë, e nuk paraqitet në Kuvend, por buxhetin për grante e ndanë për interesa të tij personale dhe partisë së tij.

Hoti: Kryeministër, tash po dilni se ju jeni i ngratë

“Mua me vjen keq ta përsëris, por Haradinaj është më së paku kryeministër. Atë nuk e pyet askush më brenda Qeverisë. Ai është në krye të Qeverisë ku secili anëtar punon për hesape të veta apo partisë së tij, duke e kthyer krejt pasurinë shtetërore në plaçkë dhe është evidente se buxheti i shtetit po keqpërdoret. Vendimet e Qeverisë për ndarje të buxhetit janë skandaloze. Ju jeni shumë i fuqishëm për të sharë e për të fyer kudo që ju jepet mundësia, apo për të larguar gratë nga foltorja, por kur është rasti që jeni duke diskutuar ju e pranoni se jeni plotësisht i pafuqishëm. Ju i keni duart e lidhura kryeministër për të vepruar për shkak të pazarit të turpshëm për krijimin e Qeverisë. Ju jeni i fuqishëm për të fyer e përçmuar rivalët politik shqiptarë. Ai që ju diku e quanit të ngratë, me të cilin ju nuk mund të konkurroni, e kishte shkarkuar një ministër serb. Tash po del se ju jeni i ngratë. Kryemi nistër ju i keni turpëruar miqtë tanë ndërkombëtarë me këto sjellje, fundi i juaj në politikë nuk do të jetë i lavdishëm”, tha Hoti. 

Megjithatë, në fund të interpelancës, edhe pse u paraqit një rezolutë me katër pika për t’u votuar, nuk pati kuorum për të votim.

Seanca do të vazhdojë të martën prej orës 10:00. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test