Konsumatorët frikësohen, Agjencia e Ushqimit siguron se vezët janë të sigurta

Aktuale

Konsumatorët frikësohen, Agjencia e Ushqimit siguron se vezët janë të sigurta

Më: 15 qershor 2018 Në ora: 13:30
Ilustrim

Lajmet që në tregjet evropiane, qarkullojnë vezë të infektuara me insekticidin Fipronil, kanë ngjallur frikë dhe tek konsumatorët kosovar, për cilësinë e vezëve që janë në treg.

Ata preferojnë që të konsumojnë vezë vendore, pasi që nuk janë të sigurt për cilësinë e vezëve të cilat vijnë nga importi. Por, Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës, thotë se mbi 90 për qind e vezëve në tregun kosovar, janë vendore dhe se nuk ka arsye për dyshime në cilësinë e vezëve, të cilat ndodhen në tregun tonë, pasi që ato kontrollohen.

Ajnie Canolli, e cila kishte zgjedhur tregun për tu furnizuar me vezë, thotë se blen vezë vendore, pasi që beson më shumë në cilësinë e tyre. E nuk preferon të konsumojë, vezë të cilat vijnë nga importi, pasi që thotë se dyshon në prejardhjen e tyre.

Canolli: Blej vezë vendore, sepse u besoj më së shumti

“Gjithë këtyre iu besoj. Këta po thonë se janë vendore. Këtu i marrë gjithë. Me i marrë tjetër kund ose mishin ose vezët, po helmohen. Unë këtu preferoj më së shumti. Edhe me i marrë të shtëpisë, po i marrin dikund e po thonë të shtëpisë e nuk po dalin të mira....Te importume nga jashtë ku medit, prej  ku i kanë pru. A të kahit janë, a janë të vjetra. Nuk preferoj me marrë. Unë gjithë këtu vij marrë“, tha ai.

E të njëjtin shqetësim,  ka dhe Magbule Maliqi, qytetare nga Prishtina. Ajo thotë se blen zakonisht vezë vendore, pasi që për ato që importohen nuk dihet për kualitetin e tyre dhe se çka përmbajnë.

Maliqi: Vlej vendore, se frikohem prej nga vijnë

“Duke marrë parasysh, që vezët  përdoren shumë dhe kemi parasysh që vezët  blihen vetë prej të fermave vendore, në mënyrë që të dimë prejardhjen bile dhe nëse ndodh diçka prej kujt po i blen. Për arsye të prejardhjes ushqimit, kualitetit ”, tha ajo.

Por AVUK, siguron qytetarët që t’i konsumojnë pa merak vezët që janë në tregun kosovar.

Lamir Thaçi, zyrtar për informimin në Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës thotë për KosovaPress se të gjitha rastet e dyshimta për vezët që ndodhin në BE  i raportohen atyre dhe se nuk  ka fare import nga vendet, për të cilat dyshohen se vezët janë të infektuara me Fipronil.

Thaçi: S’kemi pasur import fare nga vendet ku është prezent fipronili

“Në vitet e fundit, nuk kemi pasur import fare nga këto vende, ku është prezent fipronili në vezë. Pra si problem nuk jemi  të prekur dhe mund të ndihemi të sigurt. Në anën tjetër në vitin e  kaluar, kur për herë të parë është paraqitur prezenca e fibronilit në vezë, ne si autoritet kemi angazhuar ekipe shtesë. Kemi bërë kërkesa shtesë, që të aftësojmë edhe laboratorin tonë. Të krijojmë metoda dhe t’i kemi kapacitetet për testime laboratorike në fibronil dhe këtë e kemi arritur në vitin e kaluar. Tani më veç se i kemi metodat, e zhvilluara në laboratorin e ushqimi për testime laboratorike, të prezencës së fipronilit në vezë. Dhe vitin e kaluar, kemi marrë mostra tek prodhuesit vendos, kemi kryer testimet laboratorike dhe të gjitha këto mostra kanë rezultuar negativ dhe nuk ka asnjë dyshim të prezencës së fibronilit  në vezët, që shiten në tregun e Kosovës”, tha ai.

Thaçi madje thotë se Kosova fare pak importon vezë, pasi që 90 për qind e tregut mbulohet nga prodhuesit vendor. E pak ato importe që bëhen, bëhen nga vendet fqinje, të cilat nuk janë të prekur nga kjo problematikë, sa i përket  cilësisë së vezëve.  .

Thaçi: Mbi 90 për qind të tregut e mbulojmë me zezë vendore

“Në vitet e fundit ne kemi shumë pak import të vezëve. Është një sasi tepër e vogël. Kryesisht ka qenë nga rajoni nga vendet e rajonit, të cilat nuk janë të prekur nga kjo problematikë. Por në vitin e fundit thuajse në masën mbi 90 për qind, është mbuluar nga prodhuesit vendor. Është një përqindje tepër e vogël, që kemi pasur import nga rajoni...Të gjitha vezët që janë në treg, janë të kontrolluara dhe janë të testuara sa i përket fipronilit. Kemi pasur raste kur ne kemi larguar vezë nga tregu për probleme tjera, për  mos deklaracion të duhur, apo skadim të afatit apo probleme tjera, për  ata dhe ekzistojnë inspektorët. Gjatë kontrolleve të rregullta, ka mund të hasim dhe në secilin rast kur ka pasur ndonjë dyshim atëherë vezët largohen dhe asgjësohen”, tha ai.

Thaçi thotë se në momentet kur konsumatorët i lajmërojnë për produkte të dyshimta, AVUK gjithmonë veprojnë me kohë, me qëllim që të pengojnë çfarëdo dyshimi eventual,  që ka të bëjë me produkte ushqimore, me qëllim që  produktet e dyshimta,  të mos  shkojnë deri tek konsumatori.

Ndryshe, ditë më parë rreth 73.000 vezë me origjinë nga Holanda dhe të infektuara me insekticidin Fipronil u tërhoqën nga tregu gjerman.

Kontaminimi i vezëve me Fipronil u zbulua në gusht  të vitit 2017 në Evropë.

Në total, miliona vezë dhe nënprodukte të infektuara u gjetën në 25 nga 28 shtetet anëtare të BE-së. Miliona vezë u groposën ose u tërhoqën nga supermarketet evropiane, si dhe një numër i madh produktesh si biskota dhe ëmbëlsira. Produktet e tërhequra kryesisht kishin si origjinë Belgjikën dhe Holandën. Por disa produkte ishin prodhuar në Francë, me vezë që vinin nga Holanda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat