Albin Kurti: Thaçi është një gënjeshtar, votëbesim ndaj Haradinajt

Aktuale

Albin Kurti: Thaçi është një gënjeshtar, votëbesim ndaj Haradinajt

Më: 21 qershor 2018 Në ora: 12:52
Albin Kurti

(E plotësuar) - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes një konference për media ka kritikuar kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe presidentin Hashim Thaçi.

Kurti ka përkujtuar se kjo parti ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj, i cili, sipas Kurtit, për çdo javë bën, së paku, nga një skandal.

“Ai duhet ta testojë qeverinë me votëbesim në Kuvend. Kosova nuk mund ta bëjë shtetndërtimin e saj pa demokraci. E, nuk ka demokraci me qeveri të pakicës. Kemi nevojë për zgjedhje të reja e të lira”, tha Kurti, për Hardinajn.

Duke folur për udhëheqjen e dialogut nga Presidenti Thaçi, Kurti ka thënë se Beogradi ka dy qëllime kryesore.

“Në këtë kontekst, qëllimet e Beogradit janë të qarta dhe mund të themi se janë dy kryesore: 1) ‘Zajednica’ e Serbisë në Kosovë; 2) Anëtarësim sa më i shpejtë i Serbisë në BE. Në përputhje me këto qëllime, president i Serbisë, Vuçiq, shtron kërkesa. Ndërkaq, Kosova nuk i ka formuluar as qëllimet dhe as parimet e saj dhe rrjedhimisht as kërkesat ndaj Serbisë”, u shpreh ai ndër tjerash.

Sipas kreut të VV-së, Thaçi po e përdor dialogun për t’u bërë imun nga Gjykata Speciale.

“Qartazi, Thaçi nuk është duke shkuar në Bruksel. Vuçiqi po shkon në Bruksel, kurse Thaçi po shkon te Vuçiqi. Sepse, ky dialog i nevojitet Serbisë për ta përshpejtuar anëtarësimin e saj në BE, kurse Thaçit i nevojitet për ta ngadalësuar përndjekjen nga Gjykata Speciale”, ka thënë ai.

Ai e ka quajtur të domosdoshëm vlerësimin zyrtar të dialogut me një raport qeveritar për vitet 2011-2017.

“Besoj që Presidenti aktual nuk është më njeri që bën gabime të paqëllimshme, por është një njeri që ka qëllime të gabuara. Thaçi nuk është as kredibil e as kompetent. Ai është edhe gënjeshtar, edhe i paditur. Thaçi është President për vete, jo për Kosovën. Marrëveshjet e Presidentit apo ujditë e fshehta të tij nuk do të vlejnë në Kosovë. Kot e ka”, u shpreh ai. 

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në një konferencë për media, ka folur për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Ai ka thënë se Presidenti Thaçi, nuk është kompetent që t’i udhëheq këto bisedime me palën serbe.

“Thaçi është gënjeshtar, ai nuk është kompetent që t’i udhëheq këto bisedime, fillimisht duhet të bëjmë vlerësimin e dialogut 6 vjeçar, dhe t’i caktojmë synimet  tona, më pas të flasim për ekipin i cili do t’i udhëheq këto bisedime. Dialogu 6-vjeçar që ka ndodhur duhet të vlerësohet dhe nuk duhet të nxitojmë me dialog të ri.  Le t’i humbim edhe gjashtë javë e t’i vlerësojmë marrëveshjet që janë bërë”, tha Kurti.

Kurti shtoi se Thaçi është president vetëm i vetës dhe jo i Kosovës.

“Ai është vetëm president i vetës dhe jo i Kosovës, me lider të mbrapsht  nuk do të kemi fitore, prandaj çdo propozim që vije nga presidenti nuk besoj që vjen për të mirën e vendit, por vetëm për ta shpëtuar vetën”, deklaroi Kurti.

Në fund, Kurti pohoi se janë pro dialogeve me parime, por jo dialoge me interesa personale.

Fjala e plotë:

Të nderuar gazetarë, mirëdita të gjithëve. 

Ju faleminderit që keni ardhur në këtë konferencë të radhës për medie të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Sot janë bërë saktësisht tre muaj të ratifikimit në Kuvend të demarkacionit me Malin e Zi. Edhe pas tre muajve nuk ka asnjë lëvizje lidhur me atë çfarë kryeministri ka thënë para Kuvendit sa i përket korrigjimit sipas raportit Bulliqi të vijës kufitare me Malin e Zi. Praktikisht e ka heshtur këtë çështje dhe nuk po lëviz asgjë në atë drejtim. Koordinatat sipas të cilave duhet të korrigjohet vija kufitare janë në raportin zyrtar por as nuk po përmenden nga kryeministri as nuk po i parashtrohen Malit të Zi. Të gjithë e mbajmë mend, se jo pak deputetë u patën mashtruar pikërisht nga premtimi për korrigjimin që nuk po ndodhë.

Por, për të qenë edhe më keq se kaq, ndodhemi në një situatë në të cilën nuk mund të kemi demokraci sepse kemi qeveri të pakicës. Numri i partive në koalicionin qeverisës është dyfish më i madh sesa numri i deputetëve të partisë së kryeministrit. Ne kemi kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj i cili për çdo javë bën, së paku, nga një skandal. Ai duhet ta testojë qeverinë me votëbesim në Kuvend. Kosova nuk mund ta bëjë shtetndërtimin e saj pa demokraci. E, nuk ka demokraci me qeveri të pakicës. Kemi nevojë për zgjedhje të reja e të lira.

Në anën tjetër, në Strategjinë e Bashkimit Evropian (BE) për Ballkanin Perëndimor, të publikuar më 6 shkurt të këtij viti, Serbia u pat privilegjuar bukur shumë duke u futur në të njëjtën kategori me Malin e Zi për anëtarësim në vitin 2025. Mali i Zi i ka hapur 30 nga 35 kapituj, ndërkaq Serbia vetëm 12 sosh. Për BE-në duket që raporti midis Kosovës dhe Serbisë është disi edhe më i rëndësishëm se vetë Kosova. Kjo nuk mund të vlejë edhe për neve.

Në këtë kontekst, qëllimet e Beogradit janë të qarta dhe mund të themi se janë dy kryesore: 1) ‘Zajednica’ e Serbisë në Kosovë; 2) Anëtarësim sa më i shpejtë i Serbisë në BE. Në përputhje me këto qëllime, president i Serbisë, Vuçiq, shtron kërkesa. Ndërkaq, Kosova nuk i ka formuluar as qëllimet dhe as parimet e saj dhe rrjedhimisht as kërkesat ndaj Serbisë. Krerët e institucioneve nuk e thonë as që synojmë dhe as që e kërkojmë njohjen e pavarësisë dhe dëmshpërblimin nga Serbia. Presidenti aktual flet për ‘kompromis të dhimbshëm’ dhe duket që e ka fjalën për dhimbjen që do ta ketë Kosova si shtet dhe populli ynë dhe jo vetë ai. 

Qartazi, Thaçi nuk është duke shkuar në Bruksel. Vuçiqi po shkon në Bruksel, kurse Thaçi po shkon te Vuçiqi. Sepse, ky dialog i nevojitet Serbisë për ta përshpejtuar anëtarësimin e saj në BE, kurse Thaçit i nevojitet për ta ngadalësuar përndjekjen nga Gjykata Speciale.

Dialogu me Serbinë është prioritet për Serbinë që të avancojë në negociatat për anëtarësim në BE, dhe për Presidentin Thaçi i cili e përdor dialogun me Serbinë si imunitet për vete nga Gjykata Speciale. Kjo gjykatë është e padrejtë dhe pikërisht Thaçi e imponoi atë me votimin e ndryshimeve kushtetuese më 3 gusht 2015 (bëhen tre vjet së shpejti). Dialogu me Serbinë nuk mund të jetë prioritet për Kosovën. Për neve janë prioritet punësimi, sidomos i grave dhe të rinjëve, luftimi i krimit e korrupsionit, arsimi e shëndetësia. Por, jo Serbia.

Kurrfarë finale e madhe nuk është ky dialog. Serbisë i nevojitet një marrëveshje me Kosovën për ta përmbushur sidomos kapitullin 35 në negociatat për anëtarësim në BE. Prandaj edhe kjo nguti në dialogun ‘Brukseli 2’. Presidenti Thaçi nuk mendoj që don ta përfundojë asnjëherë dialogun me Serbinë për shkak që dëshiron ta fillojë atë pa afate. E këtë e bën, meqenëse, jeta politike dhe posti zyrtar dhe liria personale i varen nga ai dialog. Duhet të rrojë dialogu me Serbinë që të rrojë Thaçi.

Qëllimi i dialogut duket të ketë qenë dialogu, meqenëse është vrapuar pas marrëveshjeve të reja pavarësisht moszbatimit të atyre të vjetrave. Dialogu për normalizim nuk e ka arritur as normalizimin e dialogut. 

Ne konsiderojmë që është e domosdoshme të bëhet vlerësimi zyrtar i dialogut me një raport qeveritar për vitet e humbura 2011-2017, të raportohet në Kuvend dhe të kemi debat parlamentar. 33 marrëveshje i kanë nënshkruar Kosova me Serbinë në këtë dialogun gjashtëvjeçar. Nuk mund të ketë dialog që na i merr 6 vjet pa pasur që paku edhe një vlerësim që na i merr 6 javë. Nuk ka demokraci pa llogaridhënie dhe nuk ka llogaridhënie pa vlerësim, pa bilans. Rezultati kryesor i dialogut për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, mund të themi se ishte vetëm Lista Serbe.

Besoj që Presidenti aktual nuk është më njeri që bën gabime të paqëllimshme, por është një njeri që ka qëllime të gabuara. Thaçi nuk është as kredibil e as kompetent. Ai është edhe gënjeshtar, edhe i paditur.

Thaçi është President për vete, jo për Kosovën. Marrëveshjet e Presidentit apo ujditë e fshehta të tij nuk do të vlejnë në Kosovë. Kot e ka. 

Se kush do të jetë udhëheqës i dialogut është shumë e rëndësishme, por ajo është një çështje që vjen në fund, kurrsesi në fillim. Nuk ka shtetndërtim me emra të përveçëm në fillim.

Duhet ta bëjmë shqyrtimin dhe vlerësimin e dialogut 6 vjeçar që të shohim se ku ndodhemi. T’i përcaktojmë synimet e kërkesat tona dhe vetëm më pas të vazhdojmë me emra të përveçëm, ekipesh e liderësh, të dialogut që duhet të jetë padyshim me parime e me kushte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat