Krasniqi i reagon ashpër Thaçit, tregon gabimet e mëdha të presidentit

Aktuale

Krasniqi i reagon ashpër Thaçit, tregon gabimet e mëdha të presidentit

Më: 25 qershor 2018 Në ora: 23:28
Jakup Krasniqi

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi në një shkrim të publikuar në Facebook, ka analizuar intervistën e presidentit Hashim Thaçi, ku mes tjerash vlerëson se “Askush nuk mund të barazojë fajin e kriminelit me “fajin” e viktimës”.

Shkrimi i Plotë i Jakup Krasniqit:

ASKUSH S’MUND TA BARAZOJ FAJIN E KRIMINELIT ME “FAJIN” E VIKTIMËS?!

Me thjeshtësuar shkrimin, po i sqaroj ata që e lexojnë, se në kursiv me shkronja Arial, janë citimet e shkëputura nga intervista e Thaçit. Kurse në shkronjat Times New Roman, janë komentet që i beje unë. Nga intervista i shkëputa disa nga gabimet e mëdha politike të Kryetarit Thaçi. Gabime që nuk kanë guxuar të ndodhin.

Shkrimi në vazhdim:

Ne një intervistë që Kryetari i Kosovës, zoti Thaçi i paska thënë Gazetës Frënge e të botuar e tëra sot në Koha.net, ai paska thënë: “ ... të gjendet një marrëveshje definitive, e cila është “fitues-fitues”?! Kush duhet ta gjejë pasi ti e Vuçiqi nuk e gjetet gjatë këtyre gjashtë viteve të bisedimeve? “Fitues- fitues”, mund të jeni vetëm nëse vendosni të bashkëjetoni me Vuçiqin. Ndryshe nuk ka mundësi.

“ ... por grindjet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës datojnë me disa shekuj, sepse shkojnë deri tek konfrontimet ndërmjet Perandorisë Otomane dhe Perandorisë Austro-Hungareze”. Pikolomini për atë kohë thotë se në Shqipëri (siç e quan ai me të drejtë Kosovën), është luftuar mes Perandorisë Osmane si pushtuese dhe Austro-Hungarisë, që këta të fundit janë ndihmuar edhe nga shqiptarët. Një pjesë e fisit të Kelmendit në atë kohë janë vendosur në Vojvodinë pasi janë tërhequr se bashku me Austro-Hungarinë.

“Jam i vendosur për arritjen e paqes definitive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. Ti pse je i vendosur po e shohim goxha moti?! Po bashkëbiseduesi yt, Vuçiqi a po mendon si ti? Ai, në çdo prononcim të tij po thotë diçka tjetër.

“Nëse paqja është e mundur, kjo ndodh për shkak se ka liderë të duhur në momentin e duhur”. Për cilët liderë e ka fjalën, për ata që po bisedojnë që gjashtë vjet e nuk po shihet asnjë rezultat i vetëm?

“…. Sot ne jemi të aftë dhe të guximshëm të flasim për paqen dhe të ardhmen”. Mirë është të folesh në njëjës se Vuciqi nuk e ka vullnetin tënd. A nuk po e dëgjon e lexon se çka po thotë ai? Jepi të drejtë që edhe ai ta thotë mendimin e tij?!

“Popujt tanë e kanë paguar një çmim të shtrenjtë nga lufta”. Gabim tepër i madh barazimi i vuajtjeve të shqiptarëve nga regjimet serbe, me “vuajtjet” e serbe nga privilegjet e shumta. Por, marrëzia nuk paska fund?!

“ ... por për t’u mirëkuptuar se fitorja, përmes kompromiseve reciproke, është e përbashkët”. Veç duhet t’ju tregosh shqiptarëve (kosovarëve tu), se cili do të jetë kompromisi?

“Procesi do të jetë i vështirë dhe i rëndë, sepse ne do të kritikohemi nga nacionalistët dhe ekstremistët në Prishtinë dhe në Beograd”. Në Serbi, nacionalizmi është në pushtet, në ASHAS, në media, në Kishën Serbe etj. A është e njëjta gjë edhe në Kosovë? Në Kosovën që më shumë mund të vërehet mohimi i kombit sesa nacionalizmi?!

“Status quo-ja është e rrezikshme, sepse në Beograd, sikurse në Prishtinë, disa kanë interes që t’i ushqejnë tensionet”. Përsëri me fajësime të barabarta?! Kush i beson kësaj çmendurie?

“Mendoj se dëshira e pakufi e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u integruar në Evropë është më e madhe sesa dëshira e atyre që dëshirojnë të largohen nga Bashkim”. Sikur këtij njeriu nuk po i mjafton mungesa e autorizimit që të fol në emër të qytetarëve të Kosovës, por, flet edhe për gjashtë vendet e Ballkanit?! Mbase edhe të kanë autorizuar?! Ku ta dish?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat