Personat e verbër hyjnë në grevë urie 24 orëshe

Aktuale

Personat e verbër hyjnë në grevë urie 24 orëshe

Më: 27 qershor 2018 Në ora: 09:31
Halil Kurmehaj

Mos zbatimi i ligjit për personat e verbër nga institucionet e Kosovës, ka bërë që Iniciativa e Pavarur e të Verbërve të hyj në grevë të urisë, me kërkesën që Ligji për ta të zbatohet.

Përfaqësuesi i kësaj Iniciative, Halil Kurmehaj, bëri të ditur se sot qysh nga ora 11 e 30 do të hyjnë në grevë të urisë dhe kjo grevë do të zgjasë 24 orë.

Ai shprehet i zhgënjyer që institucionet e Kosovës nuk kanë përmbushur kërkesat e tyre edhe përkundër që kanë pasur disa takime ku kanë marrë premtime se do t’i zbatojnë.

Arsyeja kryesore e hyrjes në grevë Kurmehaj thotë është mosrespektimi i ligjit për të verbrit.

Kurmehaj: Institucionet nuk po zbatojnë Ligjin për të Verbrit

“Greva është e rëndësishme dhe njëkohësisht ka arsye për të bërë një grevë të tillë, duke pasur parasysh faktin se Iniciativa e Pavarur e të Verbërve ka aranzhuar një numër të madh të takimeve me institucionet e Kosovës, njëkohësisht ne kemi pasur edhe protesta të ndryshme. Kanë qenë tri protesta radhazi dhe akterët e këtyre institucioneve akoma nuk kanë arritur që të bëjnë zbatimin e së paku ndonjërës prej pikave të parashikuara, respektivisht të parapara edhe në kornizën juridike të aplikueshme në Kosovë, e sidomos tek ligji për personat e verbër”, tha Kurmehaj.

Një kërkesë e Iniciativës është që pajisja me libreza të verbërisë të kalojë tek Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pasi që aktualisht pajisjen me libreza e bën Shoqata e të Verbërve të Kosovës.

Kurmehaj thotë se Shoqata e të Verbërve të Kosovës vjel një shumë të konsiderueshme të taksave, e këtë ai e quan në kundërshtim me Ligjin për Personat e Verbër.

Kurmehaj: Pajisja me libreza të verbërisë të bëhet nga institucionet e Kosovës

“Komuniteti i të verbërve detyrohet të anëtarësohet në Shoqatën e të Verbërve po që se dëshiron të pajiset me librezë të verbëris. Ne nuk jemi kundër anëtarësimit në organizata joqeveritare, pr libreza e verbërisë do të duhej të lëshohej nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Pasi që ky dokument nëse do të lëshohej nga këto institucione do të jetë dokument valid dhe i pakontestueshëm”, thotë Kurmehaj.

Çështja e punësimit është po ashtu një kërkesë e kësaj Iniciative,  të cilët thonë se dëshirojnë që të respektohet ligji ku në çdo 50 të punësuar duhet të jetë një person i verbër.

Kurmehaj: Në secilin 50 të punësuar do të duhej të ishte një person i verbër

“Kemi pasur edhe kërkesa të ndryshme, kemi pasur kërkesa sa i përket edukimit dhe arsimimit të këtij komuniteti, po ashtu kemi pasur kërkesa edhe sa i përket qasje në sistemin e drejtësisë, qasjes në shërbimet shëndetësore edhe këto të garantuara me kornizën juridike sa i përket aftësisë së kufizuar. Po ashtu, kemi pasur një varg të kërkesave edhe sa i përket çështjes së rehabilitimit të këtij komuniteti duke i ofruar theks të veçantë punësimit të këtij komuniteti, ku në secilin 50 të punësuar qoftë në sektorin privat apo publik do të duhej të ishte një person i verbër. Ne kemi nxjerrë edhe statistikat që nga viti 2014 dhe kemi dal në një përfundim se nëse do të zbatohej ligji, jo më herët se viti 2014 atëherë do të duhej të punësoheshin një numër i madh i këtij komuniteti”, tha ai.

Përfaqësuesi i Iniciativës së Pavarur të të Verbërve iu bën ftesë të gjitha organizatave që merren me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara të bashkëngjiten në grevë, duke thënë se është hera e parë që në Kosovë bëhet grevë për të kërkuar ligj dhe rend.    

Kurmehaj: Për herë të parë në Kosovë ndodh një grevë e tillë për të kërkuar ligj dhe rend

“I bëjmë thirrje gjithë opinionit publik, të gjitha shoqatave, ju bëjmë thirrje edhe të gjithë organizatave që merren me personat me aftësi të kufizuara, gjithë qytetarët e vullnetit të mirë të cilët duan të na bashkëngjiten dhe të jenë pjesë e grevës i bëjmë thirrje që të na ndihmojnë. Pasi që nuk ka kërkesë më dinjitoze sesa të kërkosh zbatimin e ligjit në Kosovë, është hera e parë në Kosovë që ndodh një grevë e tillë për të kërkuar ligj dhe rend”, tha ai.

Greva e urisë nga Iniciativa e Pavarur e të Verbërve do të fillojë nga ora 11 e 30 dhe do të zgjasë 24 orë, ku protestuesit do të vendosen në sheshin “Skënderbeu” para Qeverisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat