Presidenti Thaçi: Marrëveshja me Serbinë e domosdoshme për anëtarësimin e Kosovës në BE, NATO dhe OKB

Aktuale

Presidenti Thaçi: Marrëveshja me Serbinë e domosdoshme për anëtarësimin e Kosovës në BE, NATO dhe OKB

Më: 28 qershor 2018 Në ora: 19:59
Hashim Thaçi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur sot një konferencë për media, pas kthimit nga Brukseli, ku kishte marrë pjesë në takimin e parë në fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi ka theksuar se më 24 qershor, në përputhje me mandatin e tij kushtetues dhe ligjor, me ndërmjetësimin e Përfaqësues së Lartë të BE-së, zonjës Federika Mogherini, në Bruksel është takuar me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ky takim sipas tij, shënon fillimin e fazës përfundimtare të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Në këtë fazë finale synojmë arritjen e një Marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht e ndërkombëtarisht të obligueshme, për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve dhe popujve tonë, ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe njohjen reciproke në mes dy shteteve tona”, ka thënë Presidenti.

Ai ka shtuar se ka më shumë se dy dekada që Kosova ka kërkuar dialog, si mjeti i vetëm për të zgjidhur kontestet e hapura, konfliktin në mes të Kosovës dhe Serbisë. Presidenti Thaçi ka theksuar se gjatë tërë këtij procesi, Kosova ka qenë konstruktive dhe e hapur për çdo takim dhe çdo iniciativë për të realizuar aspiratën e qytetarëve tonë për jetë më të mirë.

“Edhe në takimin e fundit kemi qenë bashkëpunues në kërkimin e modaliteteve dhe opsioneve për atë se çfarë është mundur të arrihet në këtë proces por edhe për të parë se çfarë është e pamundur të pritet në këtë fazë përfundimtare të dialogut”, ka shtuar ai.

Presidenti ka paralajmëruar takime të ardhshme, ku do të diskutohet dhe do të negociohet substanca e marrëveshjes përfundimtare.

“Tani për tani inicialisht është folur vetëm për kornizën e marrëveshjes. Asgjë më tepër. Presim ftesën e Përfaqësueses së Lartë Mogherini për takimin e ardhshëm, që presim të ndodh shpejtë”, ka thënë ai para gazetarëve, duke shtuar se ajo që është e ditur qysh tani, është se Marrëveshja përfundimtar do të jetë ligjërisht, ndërkombëtarisht, obliguese për të gjitha palët.

Presidenti Thaçi ka theksuar se e mirëpret faktin që i tërë spektri politik në Kosovë, shoqëria civile, mediat, bota akademike, janë shprehur në favor të dialogut.

“Partitë politike, të koalicionit qeverisës dhe ato opozitare, janë duke zhvilluar një dialog të brendshëm politik në tryezat politike që kanë zhvilluar këto ditë dhe besoj që janë në fazën përfundimtare të marrjes së një vendimi apo drejtimi adekuat për mënyrën dhe modalitetet se si do të përfshihen në këtë proces”, ka thënë ai.

Sipas tij, është qenësore që konsensusi sa më i gjerë për dialogun të arrihet sa më shpejtë pasi koha është duke ecur, procesi është duke ecur dhe ne nuk mund të ndalemi në këtë proces.

Ai ka ftuar sërish edhe ekspertët, akademikët, shoqërinë civile dhe mediat, që të bëhen pjesë e këtij diskutimi. Kjo sipas tij, do të sigurojë ekspertizë, përgatitje të duhur por edhe konsensus politik e shoqëror për procesin, duke shtuar se komponentë tjetër e procesit duhet të jetë edhe transparenca dhe përgjegjësia.

“Prandaj, e përsëris, jam i gatshëm që sikur që kam bërë në përgjegjësitë institucionale te mëhershme, edhe tani si President i Republikës së Kosovës, t’i adresohem Kuvendit të Kosovës apo edhe qeverisë dhe të informoj deputetët dhe qytetarët e Kosovës për këtë fazë përfundimtare të dialogut. Në fund të fundit, Marrëveshja do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për të marrë vulën e miratimit nga përfaqësuesit e popullit”, ka vlerësuar ai.

Kreu i shtetit pret që në këtë fazë finale bisedimet të jenë të rënda, të vështira, por arritja e Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse me Serbinë është e domosdoshme për synimin tonë që të bëhemi shtet anëtar i OKB-së, për të përshpejtuar procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në Paktin NATO, për ta siguruar vendin e merituar të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Në fund të procesit duhet të ndodhë njohja reciproke. Përndryshe këto negociata do të ishin të pakuptimta”, ka theksuar ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova si gjithmonë, edhe në këtë fazën finale të dialogut me Serbinë, do ta ketë mbështetjen e fuqishme të SHBA-së që mbetet thellësisht e interesuar për arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

Gjithashtu, BE-ja sipas tij dhe shtetet anëtare të saj, janë të interesuara më shumë se asnjë herë më parë, që të arrihet marrëveshja për normalizim, si një kusht i domosdoshëm për anëtarësimin e Kosovës dhe të Serbisë në BE.

“Dua t’i siguroj qytetarët e Kosovës se procesi do të jetë transparent, i përgjegjshëm dhe do të udhëhiqet në mënyrë institucionale dhe të përgjegjshme si dhe të siguroj edhe një herë se unë do të mbroj interesin e Kosovës ashtu siç e kam bërë gjatë gjithë jetës sime”, ka thënë ai.

Sipas tij nuk do të këtë vija të kuqe, sikurse që ka pasur nga Grupi i Kontaktit në rastin e bisedimeve të Vjenës. Sipas tij, do të elaborohen vetëm temat për të cilat pajtohen të dy palët, si mundësi që dërgon deri të arritja e marrëveshjes përfundimtare.

“Nuk do të këtë marrëveshje tjetër të përkohshme. Palët nuk do të lejohen të kushtëzojnë negociatat me këtë apo atë çështje. Marrëveshja përfundimtare duhet të jetë e dizajnuar në kornizat e kritereve, standardeve dhe vlerave të perspektivës evropiane”, ka shtuar ai.

Presidenti Thaçi edhe njëherë ka ftuar spektrin politik, shoqërinë cilivile dhe gjithë të interesuarit të përfshihen në procesin e dialogut.

“Beteja me Serbinë zhvillohet tani në tavolinë në Bruksel, e jo në monologjet e thata të studiove televizive”, ka thënë ai.

Presidenti në fund ka theksuar se refuzimi i pjesëmarrjes në negociata është shmangie nga beteja që duhet të zhvillohet tani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat