Në shtator, LDK me “plan B” për rrëzimin e Qeverisë

Aktuale

Në shtator, LDK me “plan B” për rrëzimin e Qeverisë

Më: 2 korrik 2018 Në ora: 14:18
LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se së shpejti do të organizojë një tryezë përfundimtare për arritjen e një konsensusi politik për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Ani pse deri më tani janë organizuar katër tryeza të këtij lloji, vetëm dy prej tyre kishin si temë diskutimi shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.

Në një periudhë kur konsensusi politik për caktimin e datës së zgjedhjeve nuk duket se është afër për tu arritur, nga Lidhja Demokratike e Kosovës po thonë se kanë një “plan B’’ për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Ismet Beqiri, ka thënë se tryezat e filluara nga LDK-ja duhet ta kenë një fund, e përfundimi më i mirë, sipas tij, do të ishte një marrëveshje mes pozitës dhe opozitës lidhur me çështjet e shtruara.

Tutje, Beqiri tha se veprimet e radhës së LDK-së do të lidhen me funksionimin e Kuvendit dhe inicimin e një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë.

“Në qoftë se nuk arrihet konsensus, sepse është më se e qartë se pozita nuk është e interesuar për zgjedhje të reja, atëherë ne si LDK mendoj që duhet të fillojmë nëse mund të themi me planin B, dhe të shkojmë edhe në çështjen e funksionimit të Kuvendit. Ne po ashtu duhet të fillojmë ta luajmë rolin tamam opozitar edhe në seancat e parlamentit, ngase seancat asnjëherë nuk e kryejnë punën si duhet për shkak të mungesës së deputetëve të pozitës, dhe ne të fillojmë ta luajmë rolin opozitar pse jo edhe me mos votim të projektligjeve dhe me bojkotim të seancave”, u shpreh Beqiri.

Beqiri po ashtu tha se LDK-ja do të fillojë më veprimet e veta qysh në shtator, pas fillimit të sesionit të ri të punimeve të Kuvendit.

“Atëherë pa u vonuar ne duhet të bëjmë një mocion mosbesimi ndaj qeverisë, dhe kjo punë duhet të fillojë pas pushimit të kuvendit, domethënë në shtator të intensifikojmë këta hapa, qoftë rreth kuvendit apo rreth mocionit të mosbesimit të qeverisë”, bëri të ditur Beqiri.

I pyetur për faktin se nëse këto veprime të LDK-së do të thoshin bllokim të institucioneve të Kosovës, ai u shpreh se Institucionet veç se janë të bllokuara dhe zgjedhjet e reja sipas tij do të thoshin rrugëdalje nga kjo situatë.

Ndryshe, radhën për organizimin e tryezës së përbashkët me partitë politike e ka AAK-ja, parti kjo që po ashtu ka paralajmëruar se së shpejti do të thërras spektrin politik për të diskutuar çështjen e dialogut me Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat