A do t’ia dalë Thaçi të krijojë ekip këtë javë për bisedimet me Serbinë?

Aktuale

A do t’ia dalë Thaçi të krijojë ekip këtë javë për bisedimet me Serbinë?

Më: 3 korrik 2018 Në ora: 11:59
Hashim Thaçi

Bisedimet me Serbinë tashmë kanë hyrë në fazën përfundimtare, megjithatë Kosova akoma nuk ka arritur konsensus të brendshëm për ekipin negociues gjithëpërfshirës. Opozita zyrtarisht nuk është lëkundur nga qëndrimi kundër Presidentit Thaçi. Kreu i shtetit, të premten, e kaluar paralajmëroi për këtë javë themelimin e ekipit negociator, por Bekim Çollaku, shef i stafit të Presidentit në një prononcim ka lënë të kuptohet se nuk dihet se kur do të ndodhë kjo.

Akoma nuk është konstituar një ekip negociues, edhe përkundër se autoritetet në Bruksel  kanë paralajmëruar një fazë intensive e dialogut mes Kosovës dhe Serbinë deri në arritjen e një marrëveshjeje.

Presidenti, javën që shkoi, pas kthimit nga Brukseli ka folur për konstituimin e Ekipit Negociator pa e ditur nëse aty do t’I shkojë opozita ose më saktë Lidhja Demokratike e Kosovës e cila I duhet më së shumti.

“Gjatë javës së ardhshme pres nga liderët politikë pozitë dhe opozitë të ulemi për të konkretizuar ekipin negociator të Kosovës”, ka thënë Thaçi gjatë raportimit në Qeveri për takimin me Vuçiq.

Shefi i Stafit të Presidentit Hashim Thaçi ka thënë për Express se nuk është vendosur për konstituimin e ekipit, me të cilën Presidenti do të nisej për në Bruksel.

Kësisoj, edhe më tutje nuk ka dakordim mes partive politike dhe Presidentit Thaci për mënyrën se si do të shkohet në Bruksel tani kur dialogu po hyn në fazën përfundimtare.

Zyra e përfaqësueses së lartë e BE’së, Federica Mogherini, javën e kaluar ka thënë se në takimin e fundit mes Thaçi e Vuciqit janë marrë vesh që dialogu të jetë shumë më intensiv dhe se takimi i ardhshëm pritet brenda javëve.

Kosova akoma nuk ka arritur deri në një konsensus të brendshëm dhe ka mbetur pa ekipin gjithëpërfshirës. Edhe më tutje, Presidenti ka vetëm përkrahjen e AAK’së së kryeministrit Ramush Haradinaj dhe PDK’së. Nisma është partia e koalicionit qeverisës që nuk është pajtuar që bisedimet të udhëhiqen nga i pari i vendit. 

Haradinaj ka përsëritur disa herë kërkesën e presidentit te opozita për t’u marrë vesh për ekipin negociues, ndërsa kërkesë të njëjtë ka pasur dje edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Memli Krasniqi, për opozitën. 

Thaçi javën e kaluar ftoi publikisht grupet parlamentare që të diskutojnë dhe të arrijnë konsensus për fazën finale të dialogut me Serbinë.

Opozita edhe më tutje, zyrtarisht, është kundër çdo ekipi me Thaçin kryenegociator. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat