Përfundon pa marrëveshje tryeza për dialog, LDK, VV dhe PSD e bojkotojnë Thaçin

Aktuale

Përfundon pa marrëveshje tryeza për dialog, LDK, VV dhe PSD e bojkotojnë Thaçin

Më: 4 korrik 2018 Në ora: 17:56
Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri

(E plotësuar) - Shoqëria civile ka dështuar t’i bëjë bashkë liderët e partive politike për të diskutuar për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Në tryezën e thirrur nga Naim Rashiti, morën pjesë vetëm përfaqësues të subjekteve politike, Vetëvendosje nuk mori pjesë fare.

Kjo e kishte nervozuar partinë me të madhe opozitare LDK-në. Nënkryetari i këtij subjekti Lutfi Haziri, ka akuzuar partitë në pushtet për mos seriozitet, papërgjegjshmëri dhe sjellje jo të duhur karshi opozitës për një proces shumë të rëndësishëm siç është dialogu me Serbinë.

Ai duke lëshuar takimin në gjysmë, ka thënë se i vetmi organ në të cilin mund të flitet për një proces kaq të rëndësishëm është Kuvendi i Kosovës.

Për këtë, Haziri ka thënë se kanë vendosur si LDK t’i vendosin tri kritere dhe nuk do të marrë pjesë në diskutime të tilla më, derisa kjo çështje nuk diskutohet në Kuvend, aty ku e ka vendin.

“Ne kemi vendosur tri kritere nga 24 maji për këtë proces politik të rëndësishëm për vendin. Mekanizmi dhe mjeti i vetëm politik për t’i zgjidhur problemet është dialogu, duhet t’i përmbahemi këtij mjeti politik, por duhet të sillemi përgjegjshëm. Edhe sot u pa, në këtë tavolinë, u pa mënyra e përfaqësimit, mënyra se si e injorojnë në tavolinë pjesëmarrjen e opozitës tregon qartë që ne nuk kemi hapësirë, nuk kemi mundësi të vazhdojmë, i kthehemi punëve tona të brendshme si parti politike dhe natyrisht presim të shtyhet aty ku e ka vendin, e ky vend është Kuvendi i Kosovës. Deri atëherë të shohim së çfarë rezultate mund të sjellin krejt ky debat publik që po organizohet”, tha Haziri.

Haziri akuzoi PDK-në e AAK-në, si dy parti që tërë ditën flasin për konsensusin, derisa në anën tjetër punojnë për ta rrënuar atë.

“Natyrisht që ne dhamë qëndrimet tona dhe e lëshuam, ata tash por nuk jemi të interesuar që të dëgjojmë deklarata politike, vetëm pozicione deklarative për konsensus, derisa gjithçka po punohet që të rrënohet konsensusin, mos me realizu konsensusin dhe me përjashtuar konsensusin si mjet politik. Kjo e sotshmja tregon qartë që PDK-ja dhe AAK-ja si dy parti kryesore që qeverisin dhe bartin institucionet duhet të ndryshojnë rrënjësisht mënyrën e sjelljes karshi opozitës dhe LDK-së këtë rast si parti më e madhe politike edhe në Kuvend edhe në publik”, u shpreh Haziri.

Pas përfundimit të takimit, zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, konfirmoi dallimet mes partive politike për procesin e dialogut, ani pse sipas tij, të gjitha janë për dialog.

Hoxhaj: Ka dallime mes partive, por të gjithë janë dialog

“Natyrisht se ka dallime sa ju takon subjekteve politike por ajo, por ajo që është më e mira e mundshme në një proces të tillë është se të gjithë janë për dialog dhe të gjithë e shohin dialogun si mjet që t’i normalizojmë raportet me Serbinë dhe pritja e të gjitha partive politike, apo subjekteve politike si dhe subjektit tonë është që dy kriteret që e masin fundin e këtij procesi është njohja e ndërsjellët dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB. Kemi një momentum shumë të ri në rajon meqë pas adresimit të çështjes së emrit në mes të Shkupit dhe Athinës ka një vëmendje ndërkombëtare, ka një plan kohor që ky proces të përmbyllet, dhe ka edhe një interesim të partnerëve tanë perëndimor, partnerëve evropianë dhe amerikanë që ta ndihmojnë Kosovën në përmbyllje të shtetësisë së saj”, tha Hoxhaj.

Numri dy i PDK-së, shpreson që në një të ardhme të afërt do të ketë pajtim të plotë në mes të partnerëve të koalicionit si dhe opozitës, se si të përfshihemi në dialog, dhe së përtej dallimeve strukturore që kanë sa i përket dialogut të koncentrohen e epilogu i dialogut.

E ky sipas tij do të jetë marrëveshja obligative ligjore, e cila për ata si parti tha se ka vetëm një emër, njohjen e ndërsjellë.

Hoxhaj iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve sa i përket kritikave të LDK-së, për përfaqësimin në dialog si dhe faktit që në tryezën e liderëve sot nuk kishin ardhur liderët e partive, por vetme nënkryetarët e tyre.

Hoxhaj: Synimi ynë është që të arrijmë një konsensus për fundin e dialogut

“Z. Veseli dhe Haradinaj kanë qenë me agjenda tjera dhe ne kemi qenë të përfaqësuar në nivel të nënkryetarit të të gjitha partive politike dhe synimi ynë është që të arrijmë një konsensus të plotë mes partive politike për dialogun dhe për shkak të asaj që ka pasur shumë dallime në fund të procesit do të jetë një situatë ku edhe partitë politike në Qeveri por edhe ato në opozitë do të jenë bashkë në një proces të tillë. Përtej asaj se si ne e shohmi dialogun në Kosovë, ka një kontekst ndërkombëtarë kompleks. Ne kemi pas një takim të parë rreth asaj se si të shkohet tutje dhe kam besimin se të gjitha subjektet politike si në qeveri si në opozitë do të jenë serioze në procese të tilla”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërsa, Shpend Ahmeti nga PSD e ka quajtur tentim të pa sukses këtë takim, meqë munguan liderët e partive të mëdha, ndërsa për Ekip të Unitetit thotë që as që bëhet fjalë.

Ai ka deklaruar se liderët nuk po mund të takohen as për të diskutuar për mundësitë si të ecet para e aq më pak për arritje të marrëveshjeve. Papjekuri politike e ka quajtur mungesën e liderëve.

Ahmeti e ka ripërsëritur edhe në takim, siç thotë ai, e edhe pas takimit, që kërkojnë që Kuvendi të jetë bartës i dialogut, të krijohet një komision mbikëqyrës dhe po ashtu mandatimi të jetë me 2/3 e Kuvendit ku do të votohet edhe platforma për dialog.

Vlerëson se nuk përputhen qëndrimet e askujt, Qeverisë, Presidencës, subjekteve politike që janë në koalicione e as qëndrimet e opozitës.

Ahmeti: Për Ekip të Unitetit as që bëhet fjalë

“Nuk po e quaj tentim të dështuar, por tentim që nuk pati sukses për tu ulur e për tu dakorduar për procesin...Ekipi i unitetit as që bëhet fjalë, qëndrimi ynë zyrtar ka qenë që të jetë Kuvendi bartës. Nuk kemi nevojë për institucione joformale jashtë institucionale, kur e kemi Kuvendin e edhe Qeverinë edhe bartësit e institucioneve që e kanë përgjegjësinë kryesore. Mbetet nga ata të vendosin çka po kërkojnë nga të tjerët”, tha Ahmeti.

Në këtë takim ishte paraparë që të merrnin pjesë liderët e partive politike, por që asnjëri nga ta nuk mori pjesë, përveç kryetarit të PSD-së, Shpend Ahmeti.

Ahmeti lëshon takimin, thotë se s’marrin pjesë më në tryeza të tilla

Pas përfaqësuesve të LDK-së, nga takimi i liderëve është larguar edhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti.

Pasi doli nga salla, Ahmeti tha se tryeza e sotme ishte një tentim i radhës i shoqërisë civile që të arrihet një marrëveshje për dialogun me Serbinë.

“Që në fillim ky tentim dështoi ngase nuk morën pjesë as kryetarët e PDK-së, AAK-së dhe dalja e LDK-së nga tryeza. Qëndrimet e qeverisë dhe koalicionit janë shumë të largëta për këtë konsensus. Partitë prezantuan qëndrimet e veta me të cilat ne nuk u pajtuam. Besoj që iniciativa të tilla po konsumojnë arritjen e një marrëveshje. Nuk bëhet nevojë për ekip uniteti kur kemi Kuvendin për dialogun. Nuk u dakorduam për takime tjera mirëpo nëse janë të tilla nuk marrim pjesë”, ka thënë Ahmeti.

Në takimin e sotëm para se të nis, Vetëvendosje lajmëroi se nuk do të marr pjesë, pasi që sipas saj, tryezat e tilla janë shpeshtuar dhe nuk po kanë efekt.

Image
Pas përfaqësuesve të LDK-së, nga takimi i liderëve është larguar edhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti

LDK e lëshon tryezën e thirrur nga Thaçi: Për dialogun duhet të diskutohet në Kuvend

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje e kanë bojkotuar takimin e organizuar nga Instituti “Grupi Ballkanik për Politika”, në të cilën janë ftuar liderë dhe përfaqësues të subjekteve politike për të diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili është parë në ambientet ku po mbahet takimi, ka treguar arsyet pse partia e tij po e bojkoton këtë debat.

“Mos-serioziteti, papërgjegjshmëria dhe sjellja e tillë politike karshi një procesi kaq të rëndësishëm neve na bën të pamundshëm me marrë pjesë në debate të tilla. LDK e distancon veten politikisht përderisa kjo çështje nuk debatohet në Kuvend. Mekanizmi dhe mjeti i vetëm është dialogu, duhet t’i përmbahemi këtij mjeti por duhet të sillemi përgjegjshëm. Edhe sot u pa mënyra e përfaqësimit, mënyra se si e injorojnë opozitën”, tha Haziri, pasi bashkë me Bajram Gecajn kanë dalur nga salla ku po mbahet takimi.

“Nuk kemi hapësirë me vazhdu dhe natyrisht ky proces duhet të shtyhet aty ku e ka vendin. Deri atëherë presim çfarë do të sjellë ky takim. Nuk jemi të interesuar me dëgju vetëm deklarime politike. Vetëm pozicione deklarative për konsensus, përderisa gjithçka po punohet me rrënu konsensusin edhe me përjashtu konsensusin si mjet politik. Kjo e sotmja tregon qartë se PDK-ja dhe AAK-ja si dy parti kryesore që qeverisin dhe bartin institucionet duhet me ndryshu mënyrën dhe sjelljen karshi opozitës dhe LDK-së si parti”, tha Haziri.

Ndryshe në këtë tryezë nuk ka shkuar as Lëvizja Vetëvendosje. 

Kuvendi i Kosovës duhet t'ia tregojë vijat e kuqe presidentit Thaçi

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur përmes një komunikate për media arsyet e mospjesëmarrjes së kësaj partie në tryezën për dialogun politik, planifikuar të mbahet sot nga organizata Balkan Research Policy Group (BRPG) si “takim i liderëve”.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, tryezat e tilla janë shpeshtuar shumë kohëve te fundit dhe duhet të reduktohen, dhe se ato bëhen edhe më problematike kur formati i propozuar dhe organogrami për diskutim në tryezë përputhet me formatet e Zyrës së Presidencës që drejtohet nga, siç thuhet, një person i diskredituar dhe i delegjitimuar si Hashim Thaçi. 

“Ajo që na duhet është rikthimi i çështjes në Kuvend. Fokusimi shumë i madh i qeveritarëve te tryezat e shoqërisë civile për këtë çështje ndodh për faktin se Qeverisë i mungon shumica në Kuvend. Kurse për opozitën si dhe për shtetin e Kosovës është jetike që diskutimi të ndodh aty ku është përfaqësimi i zërit të qytetareve: në Kuvend. Kuvendi i Kosovës duhet t'ia tregojë vijat e kuqe presidentit Thaçi dhe Serbisë”, thuhet në deklaratë.

Nis tryeza e partive politike për dialogun, mungon vetëm Vetëvendosja

Me vonesë ka filluar tryeza e partive politike e thirrur nga Naim Rashiti dhe organizata e tij "Grupi Ballkanik për Politika" ku do te diskutohet për dialogun me Serbinë.

Të gjitha partitë politike po marrin pjesë në këtë tryezë, veç Vetëvendosjes.

Partia e Albin Kurtit vazhdimisht ka kundërshtuar udhëheqjen e dialogut nga presidenti Thaçi.

Pjesemarrës në këtë tryezë janë këta përfaqësues nga partitë politike.

Nga LDK-Lutfi Haziri

Nga PDK-Enver Hoxhaj dhe Kadri Veseli

Nga AAK-Blerim Kuçi dhe Muharrem Nitaj

Nga PSD-Shpend Ahmeti dhe Visar Ymeri

Nga Nisma-Bilall Sherifi

Kjo tryezë është e mbyllur për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat