Çfarë përmban projektrezoluta që Kuvendi pritet ta miratojë për 53 milionët?

Aktuale

Çfarë përmban projektrezoluta që Kuvendi pritet ta miratojë për 53 milionët?

Më: 5 korrik 2018 Në ora: 16:40
Kuvendi i Kosovës

Liburn Aliu i Vetëvendosjes ka paraqitur pikat kyçe të projekt-rezolutës që presin të miratohet në lidhje me pagesën e 53 milionëve për “Bechtel-Enka”-n për zgjatjen kohore të punimeve në autostradën Prishtinë – Hani i Elezit.

Pikat kryesore të projektrezolutës ishin publikimi i kontratës me konsorciumin “Bechtel-Enka” dhe të dokumenteve tjerë në të cilat është bazuar pagesa e 5 milionë eurove. AAK-ja dhe PDK-ja nuk u pajtuan që pjesë e kësaj rezolute të jetë edhe projekti i autostradës “Ibrahim Rugova”, megjithatë të gjithë ishin të pajtimit që të diskutojnë rreth rezolutës.

Pikat e rezolutës të prezantuara nga Aliu:

1.            Brenda pesë ditësh Qeveria, respektivisht Ministria e Infrastrukturës, të sjell në Kuvend dosjen e plotë, studimin e fizibilitetit së autostradës, kontratën me “Bechtel-Enka”-n, pasqyrat e pagesave nga thesari për cdo këst të paguar, letërkëmbimin, kërkesat dhe përgjigjet mes Qeverisë dhe “Bechtel-Enka”-s për borxhin e pretenduar

2.            Të paraqes me shkrim menjëherë pas miratimit të kësaj rezolute para Kuvendin e Republikës së Kosovës arsyet e pagesës së 53 milionë eurove shtesë për këtë projekt.

3.            Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të hartojë raport të auditit për zbatim të kësaj kontrate dhe mbikqyrje të saj nga Qeveria, Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Financave

4.            Qeveria menjëherë pas miratimit të kësaj rezolute të paraqes me shkrim kuvendit koston përfundimtare të autostradës Ibrahim Rugova.

5.            Qeveria të paraqes në Kuvend raportin e mbikëqyrjes së projektit të autostradës Ibrahim Rugova

6.            Qeveria të publikojë në faqet zyrtare kontratat dhe dokumentet e plota të këtyre projekteve.

***

Më tej u kërkua që të ketë koordimin të grupeve parlamentare për diskutim të pikave të rezolutës.

Ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, sqaroi se “Bechtel-Enka” ka dërguar draftin ku janë larguar pjesët e kontratës që konsiderohen të jenë sekrete, e një të tillë Zharku ka thënë se mund ta ketë secili deputet.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se LDK-ja pajtohet që të hidhet menjëherë rezoluta në votim, por mund edhe të diskutojnë. 

Memli Krasniqi nga PDK-ja nuk u pajtua që pjesë e rezolutës të përfshijë edhe autostradën "Ibrahim Rugova", pasi interpelanca e sotme për temë pati autostradën “Arbën Xhaferi”. Për të diskutuar rreth rezolutës nga PDK-ja do të marrë pjesë vetë Krasniqi.

Konjufca nga Vetëvendosja tha se grupet parlamentare do të mundë të krijonin disa pika të rezolutës që do të merrte vota të mjaftueshme. Liburn Aliu do ta përfaqësojë VV-në në diskutim.

Shqipe Pantina e PSD-së tha se pajtohet me tekstin e rezolutës të prezantuar nga Aliu i VV-së, ndërsa përfaqësues i tyre është Dardan Sejdiu.

Muharrem Nitaj i AAK-së tha se pikat e rezolutës nuk janë bazë për harmonizim për faktin që në rezolutë përfshihen edhe autostrada "Ibrahim Rugova", ndërsa për diskutim propozoi deputetin Blerim Kuçi.

Nga Nisma Socialdemokrate do të marrë pjesë në diskutimin për projektrezolutën deputeti Enver Hoti.

Me shumica të votave u mor vendim që seanca të vazhdojë nesër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat