Motra rrëfen tragjedinë ku u vra motra e u plagos i vëllai

Aktuale

Motra rrëfen tragjedinë ku u vra motra e u plagos i vëllai

Më: 5 korrik 2018 Në ora: 18:30
Foto ilustrim


Në gjykimin për vrasjen e bashkëshortes dhe plagosjen e mikut në Prishtinë në cilësi të dëshmitareve janë dëgjuar motra e të ndjerës si dhe djali i të akuzuarit.

I akuzuari R.G nga prokuroria po akuzohet se për motive të ulëta të xhelozisë ka vrarë bashkëshorten e tij ndërsa ka plagosur mikun.

E dëmtuara njëherësh dëshmitarja R.Rr e cila është motra e të ndjerës ka dëshmuar në seancën gjyqësore për vrasjen e motrës si dhe plagosjen e vëllait të saj nga dhëndri i tyre.

Ajo para trupit gjykues dhe të pranishmeve rrëfeu momentin kur kishte kuptuar për ngjarjen që kishte ndodhur si dhe për raportin të cilin tha se e kishte pasur e ndjera, motra e saj me bashkëshortin, tashmë të akuzuarin.

Ndonëse tha se nuk kishte qenë e pranishme në vendin e ngjarjes, për rastin që kishte ndodhur tregoi se ishte informuar nga vajza e motrës e cila e kishte telefonuar dhe i kishte thënë se kishte ndodhur diçka shumë e keqe.

“Vajza e vëllait më ka thirrë në telefon nuk më tregoj çka ka ndodhur, ajo më tha oj hallë a po vjen shpejtë se ka ndodh diçka e keqe. Kur shkova në vendin e ngjarjes e pash policinë ambulancën. Motrën time të ndjerë se kam parë hiq. Në autoambulancë kam hyrë dhe e kam parë vëllanë XH.H të shtrirë, e di se e kam pyetur çka ka ndodh, e di se më ka thënë se dhëndri R.G na e bëri”, tregoi dëshmitarja R.Rr.

Ajo tha se nga motra tjetër E.H e kishte kuptuar se motra e tyre M.G kishte ndërruar jetë ndërsa vëllai XH.H ishte i plagosur rëndë.

“Ka ardhur motra E.H dhe më ka thënë se motrën tonë M.G e ka vra R.G, ndërsa vëllanë XH.H  e kish palosur rëndë. Unë kam shkuar me ambulancë të spitali se nuk doja me besu se motra është e vrarë”, tha dëshmitarja.

Në lidhje me arsyen e vrasjes së motrës së saj, dëshmitarja tha se sipas saj i akuzuari, bashkëshorti i të ndjerës nuk ka pasur asnjë arsye për ta kryer një akt të tillë.

“Jo ai nuk e ka pasur as më të voglën arsye, jo pse është motra ime. Ai ka mund me e vra vetëm pse ka qenë shumë e sjellshme se e ka deshtë shumë dhe e ka respektuar. Te prindërit kur ka shkuar nuk ka qëndruar dy netë për shkak se ka thënë se ai mbetët vetë,  vetëm e mos ta lërë vetë”, deklaroi motra e të ndjerës.

Për të akuzuarin, dëshmitarja tha se ai më herët ka pasur sjellje shumë të mira ndaj saj dhe familjarëve të bashkëshortes por që disa muaj para rastit motra e saj tashmë e ndjera e kishte telefonuar dhe i kishte thënë se burri i saj ishte duke e akuzuar se ajo është duke e tradhtuar.

“Para rastit disa muaj një mëngjes më thirri në telefon motra, më tha hajde bëni be burrit tim se po më thotë se ti je duke më marrë dhe po me qon në spital e po më shet”, rrëfeu dëshmitarja se çka i kishte thënë motra e saj për akuzat të cilat ja i kishte bërë bashkëshorti.

“Unë shkova e thirra djalin e motrës dhe bashkë me të shkova, kemi shku të shpija e të akuzuarit kemi hy dhe i thash o zotëri jo që nuk e bëjë atë veprim as unë as motra ime se nuk rrjedhim nga një familje e tillë. I kam bërë be se kurrë në jetë nuk e kam bërë, as nuk mendojmë kurrë me e bë atë gjë as unë as motra ime, nuk jemi shitur nuk i tradhtojmë burrat tonë se e kemi nderin e moralin”, tha dëshmitarja ti kishte thënë burrit të motrës, tashmë të akuzuarit.

Për sjelljet e të akuzuarit me motrën e saj, ajo tha se nuk ka dijeni pasi që motra e saj shumë pak ka biseduar me të për këtë raport.

Por ajo shtoi se nga prindërit e saj kishte dëgjuar për një problem të cilin motra e saj e kishte pasur me bashkëshortin pas lindjes së djalit të parë.

“Sjelljet e tyre në martesë nuk i di se kam qenë e re kur janë martuar, e di se për sjelljet e tyre në martesë i kanë ditur prindërit. Më kujtohet një rast që ka treguar nëna jonë kur i ka lind djali motrës, aty ai ka filluar të flas këso fjalë palidhje, jo e ke dikë këtu e ke dikë atje, këso fjalë palidhje”, tha dëshmitarja.

Dëshminë e tij për këtë rast e dha edhe djali i të akuzuarit i cili është fëmijë nga martesa e parë e të akuzuarit.

Ai tha se në moshën një vjeçare babi i tij ishte ndarë nga nëna e tij dhe se nga ajo moshë atë e kishte rritur tashmë e ndjera të cilën tha se e kishte quajtur abë.

Për të ndjerën tha se atë dhe vëllanë e saj të cilët kishin qenë fëmijë të martesës së parë të të akuzuarit, e ndjera, njerka e tyre i kishte trajtuar njësoj sikurse dy fëmijët e saj legjitim.

Kurse për marrëdhënien e babit të tij me tashmë të ndjerën, dëshmitari tha se asnjëherë nuk kishte vërejtur se ata kishin pasur ndonjë problem në mes vete.

Por për babanë e tij tha se kohëve të fundit i kishte ndërruar sjelljet disi pasi që tha se herën e fundit kur e kishte vizituar tre vite para se të ndodhte ngjarja te ai kishte vërejtur se kishte humbur shumë në peshë dhe se po fliste nganjëherë gjëra pa kuptim.

“Po sa kam qenë këtu e di se baba ka fol ndonjëherë palidhje në raport me axhën dhe djemtë e tij, pse po harxhoni pare e qashtu. Kam pas në plan me qëndru 6 muaj e kam shku më herët. Ndërsa në raport me abën nuk i kam parë duke u përla. “, deklaroi dëshmitari i cili tha se sipas tij ai nuk i di arsyet të cilat e kanë shtyrë babin e tij ta vras njerkën.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në dhjetor të vitit 2016 në orët e mbrëmjes në Prishtinë në lagjen “Mati 1” në rrugën “Mbreti Genc” I pandehuri R.G I nxitur nga motivet e ulëta të xhelozisë në mënyrë dinake e privon nga jeta anëtaren e familjes bashkëshorten e tij, tani të ndjerën M.G, në atë mënyrë që derisa e ndjera kishte shkuar mysafir tek familjaret e saj dhe ishte duke ndenjur me ta në banesë, i pandehuri e ka thirr në telefon tani të ndjerën të cilës i ka thënë se ka shkuar për ta marrë, e ndjera duke mos dyshuar asgjë është nisur për të shkuar te i pandehuri i cili i kishte thënë paraprakisht se e priste në rrugë.

Në bazë të aktakuzës vëllai i të ndjerës i dëmtuari XH.H e kishte përcjellë te motrën kur papritmas atyre iu ka dalë në pritë i pandehuri me revole në dorë, i cili me dashje që ta privoj nga jeta ka shtënë në drejtim të tani të ndjerës të cilën e qëllon me dy plumba në pjesën e përparme të gjoksit ku njëri plumb e ka goditur në zemër dhe e cila ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Tutje në aktakuzë thuhet se i pandehuri pasi që qëllon në bashkëshorten e tij tashmë të ndjerën, në mënyrë dinake i afrohet mikut të tij, të dëmtuarit XH.H dhe me dashje që ta provoj nga jeta ka shtënë me të njëjtën armë dy herë në drejtim të tij me ç’rast i ka shkaktuar plagë të rënda trupore të rrezikshme për jetën si lëndime të rënda trupore, me mundësi të pasojave të përhershme për shëndetin.

Me anë të këtyre veprimeve sipas prokurorisë i pandehuri R.G ka kryer veprat penale të vrasjes së rëndë, vrasjes së rëndë në tentative dhe armë mbajtje pa leje./kallxo

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat