Gecaj, Thaçit: Nuk ftohen liderët e partive politike sikur të ftoheshin të shkojnë në “shoping”

Aktuale

Gecaj, Thaçit: Nuk ftohen liderët e partive politike sikur të ftoheshin të shkojnë në “shoping”

Nga: H.O. Më: 6 korrik 2018 Në ora: 22:40
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pasi është kthyer nga Brukseli ka raportuar për dialogun e zhvilluar me Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. Ai madje iu ka bërë thirrje për bashkim në dialog edhe gjithë spektrit politikë, përfshirë edhe opozitën.

Presidenti Thaçi madje në një moment ju ka drejtuar atyre me fjalët se ‘ejani dhe tregoni dijen dhe patriotizmin tuaj në tavolinën e dialogut’.

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj thotë se një deklaratë e tillë në këtë situatë kaq të rëndësishme të këtij procesi, vetëm se e përkeqëson gjendjen. Ai thotë se spektri politik nuk ftohet në këtë mënyrë, sikur të shkohej për ‘shopping’.

Image
Bajram Gecaj

“Deklarimet e tilla unë besoj që më shumë e përkeqësojnë se sa që kontribuojnë në arritjen e konsensusit të domosdoshëm për këtë fazë jashtëzakonisht të rëndësishme të dialogimit me palën serbe, duke marrë parasysh se flitet për rrumbullaksimin e gjithë procesit përmes arritjes së një “marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme”! Nuk ftohen liderët e partive politike sikur të ftoheshin të shkojnë në “shoping”, por duhet të dizajnohet e të zhvillohet një proces serioz diskutimesh në mënyrë që të arrihet deri në një unitet të tillë të nevojshëm”, vlerëson Gecaj.

Ai thotë më tutje se vetë pozita e presidentit, i lejon Thaçit të tentoj të ndërtoj një konsensus nacional, por nuk i jep asnjë të drejtë që këtë ta bëj përmes arrogancës. Sipas Gecajt, ai dhe të gjithë zyrtarët e Republikës së Kosovës duhet t’i nënshtrohen vullnetit të Kuvendit.

“Pozicionimi i Presidentit në nomenklaturën e institucioneve të Republikës së Kosovës vërtetë i japë autoritet atij të gjurmojë dhe tentoj të ndërtoj konsensus nacional në lidhje me çështjet e rëndësisë kombëtare, por nuk i japë atij asnjë të drejtë ta bëjë këtë përmes arrogancës dhe imponimeve. Në fund të fundit, Kosova është republikë parlamentare dhe ai vetë është i zgjedhur i parlamentit, vullnetit të së cilit duhet t’i nënshtrohet si ai ashtu edhe gjithsecili zyrtar shtetëror i Republikës. Vetëm parlamenti, dhe atë me dy të tretat e votave, do të duhej të vendoste mbi platformën, kornizat dhe formatin e këtij dialogu”, thotë zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat