Rrëfimi i tmerrit për të bëmat e serbëve në Mitrovicë: Rrahjet, arrestimet, plaçkitjet e shqiptarëve

Aktuale

Rrëfimi i tmerrit për të bëmat e serbëve në Mitrovicë: Rrahjet, arrestimet, plaçkitjet e shqiptarëve

Nga: H.O. Më: 7 korrik 2018 Në ora: 06:24
Ilustrim

Kryetari i KLMDNj-së në Mitrovicë, Halit Berani në një postim të tij në Facebook ka vazhduar të rrëfej për tmerrin në Mitrovicë në vitin 1994.Ai ka treguar për plaçkitjet e inspektorërve serbë, në bizneset e shqiptarëve mitrovicas.

Ai më tutje ka rrëfyer se si shqiptarët janë larguar me dhunë nga banesat e tyre, për tu vendosur punonjësit serbë në këtë komunë.

Ai ka treguar edhe për plaqkitjet e tjera të shqiptarëve të cilët i përmend me emra nga policët serbë, të cilët në shumë raste i arrestuar, keqtrajtuan e ua morën gjithqka që kishin.

Më poshtë lexoni rrëfimin e plotë:

DO E VAZHDOJME EDHE FEJTONIN E TMERRIT...
Më 8.VI.1994, prej orës 1800 – 1930, pesë (5) inspektorë serbë të SPB – së (civilë) hyjnë nëpër disa dyqane private të shqiptarëve, me ç’rast plaçkitin një sasi të konsiderueshme të devizave. Ata, pasi prezantohen si inspektorë, kontrollojnë arkat dhe marrin devizat që i gjejnë, duke ua tërhequr vërejtjen shitësve: “Është rreptësisht e ndaluar shitblerja me këtë valutë të huaj”. Të plaçkiturit ishin: Ali (Ramë) Brahimi, Ilmi Brahimi, Idriz Rrustemi, Sylë Barani, etj. 
Më 9.VI.1994, gjatë tërë ditës, inspektorët serbë të komunikacionit i urdhërojnë pronarët e autobusëve të “Rilindi Turist”, “Saranda Tours”, “Fagut Turist” dhe “Sion Tours”, që menjëherë ta bëjnë shkrimin e firmës së tyre nëpër autobusë në gjuhën serbe dhe atë gjithsesi në çirilicë. Edhe tabelat e udhëtimit (relacioni) më parë gjithsesi duhet të jenë të shkruara në çirilicë, përndryshe do të pasojë dënimi prej 1000 DM dhe më vonë edhe ndërprerja (ndalimi) i qarkullimit të autobusëve. 
Më 20.VI.1994, në orën 1000 paradite, tre policë serbë e ndërpresin mësimin në katër punkte (shtëpi – shkolla), ku mbajnë mësime nxënësit e SHMM “Xheladin Deda” dhe SHME “Hasan Prishtina”, ku, përveç ndërprerjes së mësimit, policët keqtrajtojnë shumë nxënës dhe mësimdhënës. Në mesin e policëve ishte edhe polici i quajtur Bane nga fshati Vërnicë i Mitrovicës. 
Se spastrimet etnike nga pjesa e okupuar e qytetit të Mitrovicës, që i kryente pushteti i instaluar serb, kanë filluar shumë herët, tregojnë edhe rastet në vazhdim. 
Kështu, më 27.VI.1994, tre policë dhe dy inspektorë serbë shkojnë në lagjen “Lumbardhi”, ku me dhunë e nxjerrin nga banesa familjen pesë (5) anëtarësh të Fuat (Isa) Pulës. Kjo banesë, para katër vitesh, i ishte ndarë Nexhmije Pulës nga FXM, ku ajo punonte, kështu që ajo dokumentacionin e kishte në rregull. Në këtë banesë u vendos një punëtor serb i “Kosovatransit”, i quajtur “Papa”. Të njëjtën ditë, në të njëjtën lagje, policia serbe, po ashtu me dhunë, nxori nga banesa e tij Fahri Misinin, punëtor i shtypshkronjës “Progres” në Mitrovicë. Në banesë të tij u vendos sekretarja serbe e drejtorit të shtypshkronjës në fjalë me emrin Mira. 
Më 6.VII.1994, tetë (8) policë serbë shkojnë në fshatin Vinarc i Poshtëm të Mitrovicës, në shtëpinë e Sali Mustafës (70). Këtu kërkojnë nipin e Saliut, Afrim (Bajram) Mustafën (29), i cili ndodhej në botën e jashtme. Pasi nuk e gjejnë, policët bastisin tri shtëpitë e djemve të Salihut, me ç’rast gjejnë një pushkë dhe një revole, të cilat i konfiskojnë dhe në fund arrestojnë djemtë e Saliut, Xhaferin (42) dhe Halilin (37), të cilët në SPB – në e Mitrovicës i mbajnë prej orës 900 të mëngjesit deri në orën 1530 pasdite, ku i keqtrajtojnë mizorisht dhe në fund i lirojnë me kusht që të nesërmen në polici ta sjellin nipin e tyre Afrimin. 
Të njëjtën ditë, në Podujevë, policia serbe ndalon autobusin, i cili po kthehej nga Bullgaria, e i cili ishte pronë e Brahim Tmavës nga Shipoli i Mitrovicës, me ç’rast bastis të gjithë udhëtarët, ku prej të gjithëve plaçkit të holla dhe mallra të ndryshme. Me këtë rast, më së rëndi e pëson Xhemë (Jahir) Barani (48), të cilin, pasi e keqtrajtojnë, i plaçkitin mall në vlerë prej 420 DM. Të gjithë udhëtarët shqiptarë, që ndodheshin në autobus, merreshin me shitblerjen e mallrave të ndryshme, në mënyrë që të siguronin kafshatën e gojës për familje të tyre, pasi që pushtuesi serb të gjithë i pati larguar me dhunë nga puna. 
Më 12.VII.1994, policia financiare serbe, e shoqëruar edhe nga dy policë dhe një inspektor i SPB - së, gjatë tërë ditës hyri nëpër të gjitha dyqanet dhe firmat private të shqiptarëve në qytet dhe periferi. Policia plaçkiti të gjithë pronarët shqiptarë të dyqaneve dhe firmave, duke ua marrë, në emër të njëfarë takse shtetërore, nga 500, përkatësisht 1000 din. 
Më 14.VII.1994, në orën 830 të mëngjesit, në fshatin Fushë - Ibër të Mitrovicës, dy policë serbë ndalin kamionin transportues të tipit “Mercedes”, pronë e Nuhi Namanit (34) nga Prishtina, i cili po kthehej nga Titogradi, ku kishte blerë 5000 kg. domate. Policia ia plaçkit domatet, edhe pse Nuhiu kishte dokumentin mbi blerjen e domateve dhe lejen që kishte të drejtë të merrej me shitblerjen e mallrave, të cilën ia kishte lëshuar Kuvendi Komunal i Prishtinës. Duhet cekur se policia i kishte thënë: “Edhe pse ti ke leje përkatëse, ligji ndryshon brenda ditës”. Këto domate policia i dërgon në kazermën ushtarake të AJ-së “Meto Bajraktari” në Mitrovicës. 
Më 15.VII.1994, në orën 1000, pesë (5) policë financiarë, në mesin e tyre edhe dy “shqiptarë” dhe dy inspektorë të SPB - së plaçkitin shumë shitës në tregun e pemëve dhe perimeve në Mitrovicë, ku marrin speca, shalqi dhe mallra tjera, të cilat me kamionë i dërgojnë në kazermën ushtarake serbe “Meto Bajraktari” në Mitrovicë. 
Më 16.VII.1994, në orën 945, në afërsi të xhamisë “Haxhi Veseli” në Mitrovicë, tre policë serbë, në mesin e tyre edhe Teofil Vujnoviq, plaçkitin 10 traktorë dhe 5 qerre kuajsh të mbushura me zhavorr dhe rërë, të cilat pronarët e tyre shqiptarë i shisnin për nevoja të veta familjare. Zhavorrin dhe rërën policia i dërgon në fabrikën e betonit në Mitrovicë, ku punonin vetëm punëtorë serbë. 
Më 21.VII.1994, në orën 830 të mëngjesit, katër (4) policë serbë shkojnë në fshatin Broboniq të Mitrovicës, në shtëpinë e Ajet (Mehmet) Hasanit (44), ku nga ai kërkojnë një pushkë M-48. Pasi ai nuk kishte pushkë, policët e arrestojnë, ku në SPB e mbajnë një orë e gjysmë, duke e rrahur. Në fund e lirojnë me kusht që pas një jave ta blejë një pushkë dhe ta dorëzojë, në të kundërtën “do ta shkatërrojmë të gjithë familjen”. 
Më 21.VII.1994, tre policë serbë, të cilëve u printe Velko Mihajloviq, shkojnë në fshatin Vllahi, me ç’rast bastisin shtëpitë e: Muharrem Kurtit, Shahin Begut, Rasim Kurtit, Nazif Feratin, Muzli Feratit dhe Abit (Sylë) Miftarit. Pasi nuk gjejnë armë, e arrestojnë Abitin, Nazif Feratin, Muharremin dhe Rasimin, të cilët i dërgojnë në stacionin e policisë në Stantërg, ku i mbajnë deri në orët e vona të pasdites. Policët Veloviq, Kandiq dhe Binaku i rrahin në mënyrën më barbare. Më së rëndi e pësuan: Muharremi, Abiti dhe Shahini, të cilët edhe u alivanosën. 
Më 23.VII.1994, në orën 1230, në një shtëpi private në lagjen “Ilirida” të Mitrovicës, 9 policë serbë dhe 2 inspektorë të SPB – së ndërhynë dhe ndërprenë mbledhjen e nëndegës së Partisë Socialdemokrate të Kosovës, ku keqtrajtuan fizikisht Bajram Kurtin (45), sekretar i PSD, Shefqet Ferizin (48), Isa Balën (51), Xhylazim Halitin (45), anëtarë të kryesisë së kësaj partie dhe kryetarin e kësaj nëndege, Bislim Bislimin (45), të cilin në fund e arrestojnë dhe në polici e keqtrajtojnë fizikisht. Duhet përmendur se policia ua mori gjithë dokumentacionin e partisë. 
Më 29.VII.1994, në orën 500 të mëngjesit, rreth 50 policë e inspektorë serbë të armatosur të SPB - së shkojnë në fshatin Broboniq të Mitrovicës, me ç’rast rrethojnë lagjen “Ukaj”, ku bastisin familjet e: Xhemail Ukës (60), familje 13 anëtarësh, Avdi Ukës (50) - 7 anëtarësh, Veli Ukës (45) - 7 anëtarësh, Haxhi Ukës (37) - 9 anëtarësh, Musli Ukës (40) - 7 anëtarësh, Tahir Ukës (37) - 6 anëtarësh, Mexhit Ukës (35) - 6 anëtarësh dhe Fehmi Ukës (30) - 5 anëtarësh. Policët u sollën me brutalitet dhe në prani të anëtarëve të familjes, në mënyrën më shtazarake, rrahën Mexhitin dhe Avdiun. Gjatë bastisjes, policët tek Haxhiu gjejnë një revole dhe 6500 DM. Në fund, policia arreston djalin e Tahirit, Imerin (16), Avdiun, Musliun, Tahirin, Mexhitin dhe Fehmi Ukën. Duhet theksuar se fshati Broboniq bënë pjesë në komunën e Mitrovicës, por policia kishin qenë të Skenderajt dhe të gjithë të arrestuarit i dërgojnë në Skenderaj, ku të gjithë keqtrajtohen rëndë fizikisht mbi pesë (5) orë. Policët kishin ardhur me 1 autoblindë, 4 pizgauerë, 3 vetura “Zastava 101” dhe 1 veturë “Golf”./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat