Sabotimi i shtetësisë së Kosovës, çon ujë në rritjen e apetiteve ruse!

Aktuale

Sabotimi i shtetësisë së Kosovës, çon ujë në rritjen e apetiteve ruse!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 7 korrik 2018 Në ora: 16:48
Ilustrim

Politologu Mentor Tahiri thotë se, pas vitit 1999 kur në Rusi erdhi në pushtet Vladimir Putin, ka një rikthim të koncepteve strategjike në politikën e jashtme ruse.

Sipas ti, dikur sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton, e ka quajtur këtë politikë ruse si “ri-sovjetizim”.

Image
Mentor Tahiri

Federata Ruse, sipas politologut Tahiri, ka shfrytëzuar relativisht me sukses hapësirat e lëna bosh nga perëndimi dhe shpejtë ka rikthyer supremacinë e saj në pjesën më të madhe të shteteve që lindën nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik.

“Përjashtime në këtë drejtim janë vetëm shtetet baltike të cilat shpejtë u “evropianizuan” dhe më Gjeorgjia dhe Ukraina. Por këto dy të fundit, kanë paguar ashpër konfrontimin e tyre me Moskën”, thotë Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Ai thekson se, Ballkani dhe lindja e mesme paraqesin një fazë të dytë në këtë ekspanzion strategjik rus.

“Në Ballkan, ka pasur një reagim të shpejtë të perëndimit duke inkorporuar Rumaninë dhe Bullgarinë në kuadër të BE, për të vazhduar edhe me përfshirjen e Shqipërisë dhe Malit të zi në NATO. Por kritike ka mbetur gjendja në shtetet të cilat nuk janë aktualisht të përfshira as në BE e as në NATO. Në këto shtete, ka ende përpjekje ruse në njërën me metodë të infiltrimit politik, kurse në disa raste edhe me “sponsorizime” politiko-ushtarake sikurse ato në relacion me Serbinë”, shton Tahiri.

Sipas tij, Kosova së paku deklarativisht e ka të sqaruar përkatësinë e saj pro-perëndimore, megjithatë veprimet janë shpesh të kundërta.

“Sabotimi i shtetësisë së Kosovës dhe çfarëdo vonese e shkaktuar në drejtim të përafrimit të Kosovës me BE-në, qoftë edhe në çështjen e lëvizjës së lirë, çon ujë në rritjen e apetiteve ruse. Një pjesë e spektrit politik në Kosovë, aspak nuk e ka kuptuar se forcimi i shtetësisë së Kosovës sot është mjeti më i fortë për të mbrojtur vendin nga ndikimet politike me qendër në Moskë. Stabilizimi i shtetësisë së Malit të zi, është shembulli më tregues se si i jipet fund infiltrimeve politike ruse”, përfundon politolgu Mentor Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat